Robert Berns: LUTJE NATËN PËR FAMILINË E NJË MIKU TË DASHUR

 

Pushtet i tmershëm, o Zot Fuqiplot,
Që mbretëron në qjell siç të ka hije,
Dëgjoma lutjen që të prura sot
Për kët’ azil të qetë dashurie.

Thinjoshit átë kurseja shumë vjet
Goditjen e përvdekshme e pa mëshirë,
Për lumtërinë e familis’ së vet
Dhe si shpërblim për njerëzit e mirë.

Atë, që dridhet veç për bijtë e saj,
Në shpresë e frikë duke gjunjëzuar,
Me gas prej nëne mbushe paskëtaj,
Kurseja nënës lotët e trishtuar.

Djaloshin, shpresë e ndihmë për të dy,
Që djalërisë po i kalon kufirin,
Ti, Zot i dashur, kije shpesh në sy,
Mbështetja t’et dëshirat për të birin.

Dhe këtij vargu metrash ëngjëllor
(Të lutem fort me lot të përvëluar),
Ti, që kupton mashtrimin njerëzor,
M’ja ruaj hapat duk’ e udhëzuar.

Kur, shpejt a von’, do niset për tek Ti,
Pas kaq furtunash dhe pas kaq mynxyre.
Le të dërfrejë e ndershmja famili
Se përmbi dhé nuk humbi asnjë prej tyre.
Shqipëroi Lasgush Poradeci.

 

Robert Burns (lindi më 25 janar 1759, në Alloway, Ayrshire, Skoci21 korrik 1796, Dumfries, Skoci) djal i William Burns (bujk), ishte më i madhi nga shtatë fëmijët e familjes. Rininë e tij e kaloi duke punuar në fermën e babait të tij dhe pavarësisht nga varfëria, babai i mundësoi arsimim shumë mirë sepse me këmbëngulje angazhoi një mësues për të dhe dhe vëllin e tij më të ri, Gilbertin. Nga mosha 15 vjeçare, i ra barra e punëtorit kryesor në fermë. Për t’i ikur lodhjes, ai i rrekej shkrimit që e bëntë të harrojë punën e rëndë dhe të vështirë duke medituar për një botë më të mirë. Në këtë moshë edhe dolën në dritë vargjet e tij të para, odë për Skocinë dhe për gratë «Nela ime e bukur».

Kur babai i tij vdiq në vitin 1784, Roberti dhe vëllai i tij e vazhduan bashkërisht punën në fermë. Megjithatë, Robertin e tërhiqte natyra romantike e poezisë dhe femrat (me të cilat pati plot aventura dhe disa fëmijë jashtëmartesorë), se sa lëvrimi i tokës. Në këtë kohë, për të ikur nga puna e rëndë, ai planifikoi të largohet drejt klimës së Antiljeve.

Ai u dha pas pasionit të vet të parë dhe publikoi librin me poezi “Poems, Chiefly in the Scottish Dialect”, kryesisht në dialektin skocez ku kendon për dashuri të «thyer». Këto këngë u pritën mirë nga lexuesit dhe kritika. Kjo e shndërroi në të përkëdhelurin dhe në krenari të familjes. Me këtë, ai hoqi dorë nga mërgimi dhe filloi të udhëtoj nëpër vendlindje. Kështu mbërrini në Edinburg ku u bashkua me rrethin e shquar të artistëve dhe shkrimtarëve të cilët të prekur nga bukuria e poezisë së tij e pranuan mirë (megjithëse më vonë disa e quajtën «poeti fshatar») dhe e pëlqyen punën e tij poetike.

Në mes të viteve 1793 e 1818 iu botua koleksionoi “A Select Collection Of Scottish Airs for the Voice” në gjashtë volume dhe 114 këngë të tjera popullore. Që nga kjo kohë, filloi të konsiderohet si poet i parë romantik dhe gjithëmonë u shërbeu gjeneratave si inspirim. Fatkeqësisht, Burns vdiq i ri, në moshën 37 vjeçare nga një sëmundje e zemrës, sigurisht pasojë e lodhjes së tepërt me punët e fermës që nga koha më e hershme. Vdekja e gjeti ditën kur gruaja e tij Jean, lindi djalin e tyre të fundit të emëruar Maxwell. Në varrim morrën pjesë rreth 10.000 vetë. Në këtë kohe, lavdia e tij nuk kishte arritur as nga larg nivelin që e fitoi më pas. Pas vdekjes së tij, për çdo vit, për ditëlindje, skocezët nga do ku janë, organizojnë darkë dhe festojnë me krenari poetin e tyre, «haggis» (plëndës i mbushur me mish delje), zonjat dhe Whisky-n.