100 vjetori i Presidentit John F. Kennedy

E hëna shënon 100 vjetorin e lindjes së John F. Kennedy-t, presidenti i 35-të i Shteteve të Bashkuara. Kennedy lindi më 29 maj 1917, në Bruklin të shtetit Masaçusets. Ai u vra në Dallas të Teksasit, më 22 nëntor të vitit 1963.

John Fitzgerald Kennedy u lind në vitin 1917 në një nga familjet më të njohura politike në Amerikë, në Bruklin Masaçusets.

Gjyshi i tij ishte ish-kryebashkiaku i Bostonit, Xhon F. Fitzgerald. Babai i tij, manjati i biznesit, Joseph P. Kennedy, u bë ambasador i Shteteve të Bashkuara në Londër.

Jack, ashtu siç e thërriste familja në rini, ishte djali i dytë në familjen e madhe katolike Kennedy. Nëna e tij Rose kishte nëntë fëmijë.

Ishte gjatë kohës së qëndrimit të babait të tij në kryeqytetin britanik, kur i riu Kennedy provoi për herë të parë shijen e politikës kur mori detyra për të ndihmuar në zyrën e babait të tij në vitin 1939.

Ai u diplomua në Harvard, por një dëmtim nga futbolli në kolegj, më pas i përkeqësuar nga lëndimet në luftë, e la atë me probleme të shpinës gjatë gjithë jetës së tij.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Kennedy shërbeu si një toger i marinës në Paqësor.

Ai u dekorua dy herë për përpjekjet e tij për të siguruar dhe shpëtuar ekuipazhin e tij, pasi anija e tyre u shkatërrua nga një forcat armike.

Politika ishte në gjakun e familjes Kennedy, dhe Joe Kennedy po e përgatiste djalin e e madh, që mbante emrin e tij, për Shtëpinë e Bardhë.

Kur avioni i Joe Jr. shpërtheu mbi bregdetin anglez në gusht të vitit 1944, këto shpresa u transferuan tek djali i dytë, Jack.

Duke gëzuar një valë lavdërimesh për heroizmin e tij si një oficer i marinës, Kennedy fitoi zgjedhjet e vitit 1947 në disktriktin e 11-të të kongresit në Masaçusets.

Ai u zgjodh në senatin amerikan në vitin 1953 dhe, katër vjet më vonë, fitoi çmimin Pulitzer për librin e tij biografik “Profilet e Kurajos”.

Në vitin 1953, Kennedy u martua me Jacqueline Lee Bouvier, një martesë që tërhoqi pas çiftit njerëz të famshëm nga mbarë Amerika dhe rriti famën e tij. Shpejt ai filloi të përmendej si kandidat për zyrën ovale.

Historia e John Kennedy-t ishte ajo që duhej për garën presidenciale të vitit 1960: një hero i Luftës së Dytë Botërore, i zgjuar dhe një familjar, i cili premtonte të ringjallëronte vendin.

Megjithatë, katolicizmi i Kennedy-t ishte një problem, por zgjedhja e tij ishte një moment historik në perceptimin e Amerikës si një komb gjithëpërfshirës.

Në një garë të ngushtë, Kennedy mposhti Richard Nixonin dhe u bë personi më i ri ndonjëherë që merrte detyrën e presidentit.

Debatet e rëndësishme televizive me kandidatin republikan ndihmuan në bindjen e publikut.

Rreth 70 milionë amerikanë e panë debatin e parë, me Kennedy-n karizmatik që dukej se do të fitonte.

Debatet televizive do të bëheshin elementë të rëndësishëm të fushatave të ardhshme presidenciale.

Në fjalimin inaugurues, Kennedy foli për rëndësinë e dorëzimit të pushtetit tek brezi i ri që ai përfaqësonte, pasi ishte presidenti i parë amerikan i lindur në shekullin e 20-të.

JFK emëroi vëllain e tij më të vogël Bobby, në pozitën e Prokurorit të Përgjithshëm dhe jozyrtarisht ai ishte këshilltari i tij më i afërt.

Familja Kennedy solli një frymë e re në Shtëpinë e Bardhë. Eleganca e Jackie-t dhe fëmijët e bukur të çiftit, shtuan ndjenjën e forcës rinore që parashtroi JF Kennedy.

Por presidenti vazhdoi të kishte probleme me shpinën dhe kaloi pjesën më të madhe të presidencës së tij në një situatë të pakëndshme.

Si president, prioriteti kryesor i Kennedy-t ishte politika e jashtme. Kishte sfida të mëdha të Luftës së Ftohtë që nga Bashkimi Sovjetik tek Vietnami dhe Kuba. Invazioni i dështuar në Kubë, dhe kriza mbi raketat sovjetike kërcënuan të nxisnin një luftë bërthamore.

Ndërkohë, në vend, vala e lëvizjes së të drejtave civile nuk mund të shpërfillej.

Marshimi paqësor në Uashington në gusht të vitit 1963 bëri jehonë në mbarë botën.

Menjëherë pas kësaj, Kennedy u takua me udhëheqësit e marshimit në Shtëpinë e Bardhë, ku diskutuan legjislacionin për të drejtat civile që më në fund do të shkonte në Kongres.

Udhëheqësit e nxitën presidentin të forconte legjislacionin; Presidenti parashtroi shumë pengesa.

Disa besojnë se Kennedy preferonte të priste deri pas zgjedhjeve të vitit 1964 për ta shtyrë këtë çështje. Megjithatë, në fjalimet e tij publike, ai foli gjithnjë e më shumë për drejtësinë për të gjithëve.

Për shumë afrikano-amerikanë të moshuar, Kennedy ishte një president i cili simpatizonte betejën e tyre si askush më parë.

Pas vdekjes së tij, thashethemet rreth marrëdhënieve të dyshuara jashtëmartesore u bënë të dukshme, sidomos me yllin e Hollivudit, Marilyn Monroe, e cila vdiq nga një mbidozë droge në vitin 1962.

Por imazhi i lumturisë dhe magjepjes, e shoqëroi çiftin Kennedy përpara botës, pavarësisht hidhërimit nga humbja e dy fëmijëve gjatë martesës së tyre.

Në nëntor 1963, politika e çoi presidentin 46-vjeçar në Teksas, një shtet i rëndësishëm dhe shqetësues në planet e tij të rizgjedhjes.

Me nxitjen e politikanëve lokalë, Kennedy urdhëroi heqjen e mburojës nga limuzina presidenciale gjatë vizitës së tij në Dallas më 22 nëntor 1963.

Pak para orës 12:30 autokolona e zbuluar filloi të përshkonte rrugën Elm përgjatë së cilës ishte një ndërtesë shtatë katëshe. Më pas u dëgjuan të shtënat.

Gjysëm ore më vonë, Kennedy u deklarua i vdekur në Spitalin Memorial Parkland.

Lee Harvey Oswald, i dyshuari për vrasjen e tij, u vra nga pronari i një klubi nate Jack Ruby para se ai të dilte në gjyq për vrasjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara.