Lista e PD, Patozi: Finalizim i një procesi të pandalshëm degradimi

Patozi komenton mos përfshirjen e tij në listat e PD-e. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Patozi shprehet se kishte kohë që e mendonte largimin nga politika, por ishte i dyzuar. Ndaj, ai ka falënderuar  kreun e PD-së, Lulzim Basha që e çliruan nga mëdyshja. Më tej Patozi shkruan për sutuatën në të cilën ndodhet sot opozita, sipas të cilit nuk është e  mirë.

Postimi i plotë i Patozit

Asgjë s’ka ndodhur në një ditë, gjithçka është si më parë

Kisha shumë kohë qe e ndaja me miqtë e mi një lloj neverie për katandisjen dramatike të ambientit politik në Shqipëri, pa guxuar asnjëherë të mendoja që edhe unë vetë të mos isha pjesë e përgjegjësisë. Por pa harruar asnjë çast se për të ardhur deri tek unë radha do të ishte tmerrësisht e gjatë. Në këtë kontekst u kam thënë atyre se për herë të pare në jetë kam qenë i dyzuar, se nuk e dija tamam në doja të qëndroja apo të largohesha. Ndoshta për shkak se njeriu e ka të vështire të ndahet nga pasionet e veta, apo për shkak të bindjes së fortë që, për sa më ka përkitur kam bërë gjënë e duhur, të paktën atë që kam besuar se është e drejtë, mesa duket e kisha të vështirë që ta vendosja vetë. Ndaj sot i falënderoj njësoj dhe pa asnjë keqardhje të dy ata që e morën këtë vendim, duke me çliruar nga mëdyshja ime. Natyrisht, edhe nga çdo lloj detyrimi. Ndoshta ka qenë një vendim i formës së prerë, që mund të jetë marrë këtu e katër vjet të shkuara, por kjo nuk ka asnjë rëndësi, as për publikun e aq më pak për mua.

Miqtë e mi,

Është me arsye mungesa ime në listën e kandidatëve të Partisë Demokratike, por edhe po te ishte ndryshe, nuk do të kishte qenë fundi i botës.

Është finalizim i një procesi të pandalshëm degradimi dhe bjerrjeje vlerash që nuk ka filluar mbrëmë. Për fatin tim të mirë unë nuk kam pritur që të flas sot për të gjitha këto, por e kam bërë në vijimësi, kudo ku me është dhënë mundësia, ndonëse me shumë, shumë vetëpërmbajtje. Arsyeja e vetme për të qenë i rezervuar lidhej thjeshtë me ndjesinë e njeriut që kërkonte të shpëtonte shtëpinë e vet, duke e riparuar nga brenda.

Për ironi të fatit, paralajmërimin e fundit për sa ndodhi ma dha kryekundershtari ynë në seancën e fundit të parlamentit, i cili vuri në dyshim vijimësinë time si deputet pas shtatorit. Sigurisht, nuk jam as paranojak dhe as delirant që të mendoj se ka një komplot ndërkombëtar ndaj meje ose dikujt tjetër apo që Edi Rama e ka shtrirë marrëveshjen me PD-në deri tek listat e deputetëve të saj. Mendoj se profecia e tij ka të bëjë thjesht me intuitën politike, se çfarë do të kishte bërë ai vetë në një rast analog.

Ndaj me duhet ta falënderoj edhe kryeministrin joteknik, që e parashikoi saktë, pavarësisht se e lehtë duhet të ketë qenë për të. Jo thjesht për shkak të marrëveshjes, ëndrrat e Republikës së Re me ato të “Rilindjes” ngjajnë. Madje, ka raste që ato janë e njëjta gjë.

Por edhe pse e njoh mirë këtë ligatinë, dhe pse nuk shpresoj që ky armëpushim të funksionojë gjatë, nuk kam asnjë pendesë që luftova dhe bëra sa munda që të kishte një marrëveshje.

Jo thjesht se nuk e pranoj revolucionin si koncept, por edhe se e njoh mirë teknologjinë e shtirjes politike që prodhon kauza të rreme. Dhe sot nuk jam fare i trishtuar që shoh se si ithtarët e luftës, ose Lej Fenet e partisë sime, që vetëm 10 ditë me parë i hakërreheshin hënës, po t’u përmendje që një ditë do shkonim në zgjedhje, tani po i lëpihen paqes.

E bëra këtë shpjegim në respekt te atyre njerëzve, me të cilët për një kohë relativisht të gjatë kam ndarëbindje të ngjashme, jo domosdoshmërish politike. Një mijë herë po të me jepej mundësia të kthehesha pas këto vite, një mijë herë do të kisha bërë të njëjtën gjë. Ndaj edhe sot jam shumë i qetë dhe pa asnjë peng. Kjo nuk do të thotë se nuk kam gabuar, mos e dhëntë Zoti! Por jam shumë i sigurt që sado të mëdha të kenë qenë shkeljet e mia, ato do të ishin gjithsesi si bulëza uji në oqeanin e mëkatit politik të këtyre viteve në Shqipëri.

Ndaj sot dua te falënderoj te gjithë ata qe me mbështeten, votuan apo besuan tek unë ne kohëra te vështira dhe te mira për Partine Demokratike. Ndërkohe qe u kërkoj ndjese te gjithe atyre qe nuk kam pasur mundësi t’i ndihmoj apo mund t’i kem lënduar gjate ushtrimit te funksioneve te mia publike.

I uroj sukses dhe mbarësi çdo anëtari te Partisë Demokratike, duke përfshire këtu edhe kryetaret, ne zgjedhje dhe kudo tjetër!

Një urim te veçante e kam sot për demokratet e Vorës, me te çilet pata fatin dhe privilegjin te punoj ne kohet e fundit, duke veçuar sidomos betejën gati epike te zgjedhjeve lokale te vitit 2015. Ata i paraprinë kauzës se zgjedhjeve te lira dhe ndershme ne Shqipëri, te paktën 2 vjet para çadre, qe u ngrit për te shpëtuar lëkuren e Lulzim Bashes. Mbetet për t’u provuar ende nëse ky objektiv do te arrihet ose jo.

Te nderuar miq!

Asgjë e keqe nuk ka ndodhur. Sepse unë nuk e besoj përrallen e keqperdorur qe tani “asgjë nuk është me si me pare”. Dhe për shkak se kemi mbetur ne vend, i qëndroj me shume bindjes sime te kahershme se Shqipëria ka nevoje për një shkundje te forte, e cila pa asnjë dyshim ka për te ardhur.

Ju përshëndes me mirënjohje te gjithë juve, qe, ashtu si unë, besoni se për te pastruar qytetin duhet ta nisesh nga oborri i shtëpisë tende. Dhe se nuk mund te ketë as shtet dhe as Shqipëri me te mire, nëse partitë do te bunkerizohen dhe do te kthehen ne kompani biznesesh te pista me një pronar te vetëm.

Ne qe e mendojmë kështu jemi shume me tepër se ajo skote gjobaxhinjsh, qe po përpiqen te mbajnë peng vendin për shkak te pengjeve te veta te parrëfyeshme dhe te keqkuptimit qe kane për politiken, shtetin, shoqërinë, por ndoshta edhe për vete jetën ne ketë bote, si vdekatare qe jemi. Unë jam me i motivuar se kurrë te ndjek bindjet e mia dhe vizionin tim për Republikën joimagjinare qe meritojmë dhe jam po kaq i sigurt se janë qamet shume ata qe e mendojnë si unë.