Lutfi Dervishi ironizon Bashën për Patozin: Njeri i korruptuar… që s’di të lidhë dy fjalë, që ka qenë ministër

Analisti dhe gazetari Lutfi Dervishi, i cili jo pak herë zgjedh të reagojë përmes ironizimit, ka reaguar së fundmi për përjashtimin e Astrit Patozit nga listat e kandidatëve të PD-së për deputetë në zgjedhjet e 25 qershorit.

Duke ironizuar kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ai shpreh mbështetjen për politikanin Astrit Patozi, duke thënë pikërisht gjithë çfarë Patozi nuk është.

“Një njeri i korruptuar, një njeri që nuk di të lidhë dy fjalë me shkrim dhe me gojë, një njeri që ka qenë ministër dhe që ka abuzuar me postin, nuk e meritonte të ishte në listën e PD-së. Besoj e kuptoni që e kam fjalën për.. Astrit Patozin.”, shkruan analisti Dervishi.

Astrit Patozi është njëri prej politikanëve në rradhët e demokratëve që nuk do të jetë pjesë e Partisë Demokratike në listat e kandidatëve të saj për deputetë për zgjedhjet e parlamentarit.

Në reagimin e tij të sotëm, Patozi u shpreh se “asgjë nuk ka ndodhur në një ditë”, duke rrëfyer se për herë të parë në jetën e tij ka qenë i dyzuar, mes qëndrimit dhe largimit të tij. Ai u shpreh se është me arsye largimi i tij në listat e kandidatëve të Partisë Demokratike, por edhe nëse do të ishte ndryshe, nuk do të përbënte problem, nuk do të ishte fundi i botës.

Astrit Patozi, së bashku me Jozefina Topallin, Majlinda Bregun, Eduard Selamin, e Ridvan Boden, janë disa prej figurave kryesore të Partisë Demokratike që mbetën jashtë.