Zamira Cavo: Fundi palavdi i partive postdiktuaturë

 

Sipari ra. Pas 26 vjetësh partitë e pjella nga gjiri i Partisë së Punës, më në fund u dorëzuan! U dorëzuan edhe partizat e vogla që u krijuan gjatë këtij rrugëtimi të gjatë. Nga sot në skenën politike do kemi parti që s’kanë të bëjnë më as me ideologji, as me “res-publikën” e as me popullin. Partitë tashmë janë grupe klienteliste, që mbështesin interesat klanore! Ja dhe arsyet:
– Dy partitë e mëdha: Partia Socialiste dhe ajo Demokratike, që kanë sa vlera aq edhe përgjegjësi për këto 26 vjet, tashmë nuk egzistojnë! Rilindja ka disa vite që e rrudhi deri në eleminim Partinë Socialiste. Sot e bëri edhe Basha. Elita e vjetër politike gradualisht po largohet nga skena politike.
-Partizat e tjera dëshmuan që as nuk duan t’ja dinë për partinë e vet, për siglat e tyre, për emrin e partisë dhe antarëve të saj: Ata zgjodhën të qëndrojnë “ushtarë” të grupimeve të reja politike. As Duka nuk rezistoi dot! Nga sot këto parti në sytë e shqiptarëve do të shihen si grupime që nuk arritën dot të kuptojnë se vlejnë vetëm emrat e kryetarëve dhe asnjë antarë apo antarësi!
Nga sot partitë që garojnë do jenë thjeshtë instrumente për të mbështetur interesa të caktuara të grupimeve brënda apo jashtë vendit!
A është mirë kjo? Do të ishte një ogur i mirë pasi eleminohet një pjesë e mirë e elitës së vjetër politike. Por e ardhmja duket e zymtë: Emrat e rinj të parlamentit shqiptar janë “ushtarë” të bindur të kryetarëve që nuk pyetën asnjë strukturë partie për cka zgjodhën, duke u kujdesur të ruajnë “ushtarët” e tyre personal dhe jo misionarët e pushtetit të popullit!
Uroj me zemer që partitë që guxuan të hyjnë vetë në këtë garë si LIBRA dhe “Sfida për Shqipërinë” të jenë supriza e këtyre zgjedhjeve!