Albspirit

Media/News/Publishing

Lulzim Tafa: Ku i keni gratë?

Ne kemi gra të mençura, të shkathëta, profesioniste e të përkushtuara, të përkushtuara për familje, shoqëri e shtet, të dashura e paqësore. Po të kishte çmim Nobel për përkushtim, pa dyshim se atë do ta fitonte gruaja shqiptare, nëse për asgjë tjetër, për përkushtimin që ka ndaj familjes (edhe shteti është si familja), ndaj punës, por më së shumti për përkushtimin që kanë ta durojnë deri në pafundësi “Burrërinë” tonë…

Në dy koalicionet e mëdha; njëra që udhëhiqet nga PDK dhe që brenda vetes ka po ashtu dy parti parlamentare AAK dhe Nisma, plus shumë parti tjera të vogla, dhe nga koalicioni tjetër po ashtu i madh që udhëhiqet nga LDK dhe dy parti jo parlamentare, por edhe nga partia e tretë në konkurrencë serioze, po ashtu parti jo e vogël, pra Vetëvendosja pa ua kërkuar askush nominimet për Kryeministër (ngase nuk është as obligim ligjor) shpejtuan për të shpallur kandidatët për Kryeministër. Të tre kandidat për Kryeministra janë burra, dy prej të cilëve burra shumë të fortë (Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti dhe një paksa më modest për nga burrëria  tradicionale, pa të keq, kuptohet).

Është për keqardhje se si asnjëra nga partitë tona nuk gjetën kurajën që të nominojnë një femër si kandidate për Kryeministre.

Nuk e di se si janë ndierë gratë për këtë, por, po ju them se si jam ndier unë si Burrë (e besoj mos ta merr kush si mungese modestie, por besoj që burrnisë goxha shumë ia di rendin).

Si Burrë jam ndier keq, jam ndier keq edhe si djalë i një Nëne më të mirë në botë (për mua së paku) jam ndier keq si bashkëshort i një gruaje që më ka bërë me katër vajza të bukura, që ajo së bashku me katër vajzat e kanë bërë më të bukur këtë botë, (djali nuk po më duhet e as nuk më është dashur kurrë asgjë, për hir të korrektësisë) jam ndier keq si vëlla i një motre të bukur e besnike (historia nuk njehë tradhti të motrës) jam ndier keq si bashkëpunëtor i shumë kolegeve të mija me të cilat punoj, jam ndier keq si bashkëkombës i bashkëkombëseve të mija, të bukura e të mençura, sakrifikuese sa nuk ua gjen shoqet në planetin tokë, jam ndier keq si Burrë (jo bash Burrë i ligsht).

Po a bënë burrëri partitë tona politike më këtë gjest dhe a është kjo burrëri, apo ta thjeshtësojmë pak, çka është burrnia dhe si matet ajo. Nuk po përgjigjem çka është “burrni”. Nuk e di pse po më pëlqen të mos përgjigjem.

Tani kryesisht po më pëlqen të tregoj çka nuk është burrni, ama as këtu nuk po më pëlqen shumë të flas ngase më “qelë mëngjesi” duke i  numëruar me rend çka nuk është burrni, ndoshta duke thënë edhe diçka që edhe mund të mos jem i sigurt, por megjithatë po them vetëm diçka për të cilën jam i sigurt, madje jam shumë i sigurt se kjo çfarë bënë partitë tona politike, nuk është burrni, përkundrazi është ligësi, fuqia burrit pra e ashtuquajtura “burrni” matet me qasjen tonë ndaj grave. Kjo çfarë bëmë ne është zhgënjyese.

Kjo që po ndodh na le të kuptojmë se po të mos ishin ndërkombëtarët burrat e partive politike nuk do të u linin as një të treten e parlamentit grave, edhe pse nuk jam pajtuar e as nuk pajtohem kurrë me  kuotat e përcaktuar për femra. Janë të vogla, janë pak, e ne bëhemi sikur  duam barazi. Kuptimi fjalës ‘’barazi” do të thotë diçka që është e barabartë, e barabar nuk është një e treta, barabar është gjysma, gjysma burra e gjysma gra, kjo është e barabartë, kjo është barazi. Pjesëmarrja e grave në parlament duhet të jetë 50% e jo 30%, po ashtu edhe së paku njëra prej tri pozitave kryesore në shtet (Nëse jo dy) duhet t’i takoi gruas, jo që duhet t’ia falim por se Ju takon. Ne kemi gra të mençura, të shkathëta, profesioniste e të përkushtuara, të përkushtuara për familje, shoqëri e shtet, të dashura e paqësorë. Po të kishte çmim Nobel për përkushtim, pa dyshim se atë do ta fitonte gruaja shqiptare, nëse për asgjë tjetër, për përkushtimin që ka ndaj familjes (edhe shteti është si familja), ndaj punës, por më së shumti për përkushtimin që kanë ta durojnë deri në pafundësi “Burrërinë” tonë. Mua me keni zhgënjyer por gratë jo, sepse ato janë më të forta bile edhe se “Burrëria” jonë dhe nuk zhgënjehen, ndoshta sepse edhe nuk presin më shumë nga ne.

Me burra e përfundova, tash po flas veç pak me gratë, po ju them që të  vazhdojnë të qëndrojnë, i inkurajoj që të vazhdojnë të ecin kështu të forta dhe të pa zhgënjyera. Të gjitha gratë dua t’i inkurajojë me disa vargje të një poezie frymëzuese që e ka shkruar Nëna Terezë për to;

Kur të rëndojnë vitet e s’mundesh më të vraposh,

ec shpejt

Kur s’do të mundesh as të ecësh shpejt,

ec!

E kur as të ecësh s’do të mundesh,

përdore shkopin e shko…

Veç për t’u ndalë,

ti kurrë mos ndalo!

E për fund, një pyetje për partitë.

Ku i keni gratë more? Zoti Ju vraftë!

Please follow and like us: