Kush është Romeo Gurakuqi që mënjanoi Topallin?

Tronditja më e madhe apo zhurma që po bëhet këto ditë pas publikimit të listave të PD-së, ka qenë zëvendësimi i “Gruas së hekurt”, Jozefina Topalli me historianin Romeo Gurakuqin, një prurje e re që kundërshtarët e Bashës në parti, ia faturojnë UET-së së Henri Çilit.

Romeo Gurakuqi është vërtetë një profesor në Universitetin Europian të Tiranës, por përpara se të vinte deri këtu, ai ka një karrierë të gjatë akademike dhe vjen si mbështetës dhe militues i hershëm i Partisë Demokratike.

Madje edhe anëtar i kryesisë lokale të PD-së në Shkodër.

Gurakuqi, ashtu si Jozefina Topalli i përket një familje të njohur katolike të Shkodrës.

Por ndryshe nga familja Çoba, prej nga vjen Jozefina dhe ajo Topalli e bashkëshortit të ish-kreut të Kuvendit, që kanë qenë tregtarë të njohur të qytetit më të madh të veriut, familja Gurakuqi ka nxjerrë përgjithësisht intelektualë të njohur dhe nëpunës të spikatur të administratës.

Me influencë të hershme nga tradita austriake që në Shkodër ka rrënjë të rëndësishme, po aq sa Vatikani, familja Romeo Gurakuqi duke se vjen nga ky ndikim.

I ati Vilhelm ka pasur një emër tipik gjermanik, ndërsa Karl Gurakuqi, një nga parardhësit e kësaj familje, është një prej figurave më të njohura të themelimit të arsimit dhe kulturës shqip.

Karl Gurakuqi është themeluesi i Bibliotekës Kombëtare laike në Tiranë, si dhe një nga profesorët e parë të shkollave kombëtare.

Romeo Gurakuqi megjithatë, 25 vitet e demokracisë nuk i ka të mbushur me aktivizëm politik, por me karrierë akademike.

Si pedagog i Historisë Moderne në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Romeo përveçse punoi me breza të tërë studentësh, thelloi dhe studimet e tij në arkivat kryesore të Europës.

Është nga të paktët historianë që ka gërmuar arkivat e Londrës dhe Beogradit për të zbardhur të gjithë misterin ende të pazbuluar plotësisht të viteve të mbrapshta të kohës së Luftës së Parë Botërore, ku shteti shqiptar u end sa në një dorë në tjetrën dhe në një tollovi politike e kaotike, drejt formësimit të elitave që do të themelonin shtetin modern shqiptar.

Romeo Gurakuqi vjen në Tiranë pas vitit 2005 dhe është një nga themeluesit e Universitetit Europian të Tiranës, ku drejtoi edhe programin e doktoraturës.

Si profil politik ka qenë i djathtë, madje i angazhuar në idetë e tij. Dy vite më parë, ai u përplas hapur me historianët e tjerë Paskal Milo e Pëllumb Xhufi në lidhje me rolin e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.

Gurakuqi mbron idenë se Shqipëria nuk u çlirua më 29 nëntor 1944, por u pushtua nga komunistët, që sipas tij, persekutuan tërë elitën kulturore të veriut, veçanërisht Shkodrës dhe Malësisë së saj.

Këtu nisi dhe aktivizimi real publik i Romeo Gurakuqit, i cili me shkrimet dhe pamfletet e tij, dalloi si një përfaqësues i krahut të djathtë e konservator.

Gjatë vitit të fundit, profesori i historisë, ka kërkuar publikisht reformimin e Partisë Demokratike, duke bërë thirrje për largimin e asaj klase politike që e ka dëmtuar të djathtën.

Bie në sy se Gurakuqi ka qenë nga të paktit ligjërues pro Reformës në Drejtësi në radhët e mbështetësve të PD-së.
Në statuset e tij të gjata dhe kryesisht akademike, Gurakuqi është një nga kritizerët shumë të ashpër të Edi Ramës, por që ka kërkuar që PD të mos identifikohet si një parti që bëhet armike me Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë apo shtetet e tjera të Bashkimit Europian.

Gurakuqi, nuk ka pasur afërsi politike me lobin politik të Shkodrës, duke nisur nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli, por është fakt që edhe pse dëshira e tij ka qenë angazhimi direkt, i shprehur publikisht jo aq drejpërsëdrejtë, vullneti i “elitës” së PD-së në Shkodër, ka qenë për të mos e afruar në politikë.

Jozefina Topalli, e cila ka pasur deri në një farë kohe “dorë të lirë” në Shkodër, është marrë personalisht me filtrimin dhe përzgjedhjen e elitave, duke krijuar herë pas here pakënaqësi dhe polemikë edhe brenda së djathtës.

Përpara zgjedhjeve të vitit 2013, Topalli u përplas me Sali Berishën në mbledhjen e kryesisë së PD-së, pasi doktori vendosi veton për listën e Shkodrës, e cila qëlloi jo e sukseshshme, pasi për herë të parë PD-ja si koalicion humbi primatin në qark.

Në zgjedhjet vendore të 2015-s, ishte Lulzim Basha që ndërhyri për të kandiduar Voltana Ademin, që duket nuk ishte e preferuara e Jozefina Topallit.

Madje kjo e fundit, nuk mori pjesë në prezantimin e kandidates së PD-së në Shkodër. Nuk u mor vesh kurrë e vërteta, nëse nuk u ftua apo ishte Jozefina që e bojkotoi, por në fund të fushatës edhe Topalli shkoi të përkrahë Voltana Ademin.

Por kryebashkiakja, menjëherë pas zgjedhjes ka çmontuar hap pas hapi të gjitha strukturat e Jozefinës në Shkodër dhe aktualisht ish-kryetarja e Kuvendit nuk e ka më “partinë e saj” që e ka kontrolluar për gati 20 vjet.

Romeo Gurakuqi, vjen si udhëheqës i listës së Shkodrës si “outsider” dhe sipas të gjitha gjasave ai është më shumë një ikonë sesa një drejtues politik i fushatës.

Në këtë rol sipas të gjitha gjasave do të vihet Voltana Ademi, e cila është kthyer në një lloj “Jozefine e re” e Shkodrës, pasi ka lënë në minorancë kryetarin e PD-së, Ramiz Çoba, i cili para dy ditësh shpërtheu e dha dorëheqjen nga kandidimi, e sipas gjasave do të mënjanohet fare.

Romeo Gurakuqi, duket se është përzgjedhur nga Lulzim Basha jo si alteregoja e Jozefina Topallit, por më shumë si një imazh, sesa si një politikan aktiv në fushë. Ku natyrisht vendin e ka zënë kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, e ndihmuar ndoshta jo rastësisht nga Edi Rama me polemikat e tij, që e ka promovuar si një kundërshtare e fortë e socialistëve./te sheshi/