Albspirit

Media/News/Publishing

Valentina Duka: Basha më telefonoi të premten, kërkoi të kryesoja listën e Korçës

Oriola Pampuri, e cila kryeson listën e PD-së në Tiranë, nuk është kandidatja e vetme e përzgjedhur nga Basha, që e ka marrë vesh minutat e fundit se do të ishte pjesë e listës së opozitës. Edhe kryesuesja e listës së Korçës, Valentina Duka thotë se është i bërë propozimi nga Basha të premten e kaluar, pikërisht ditën kur PD publikoi lista vonë në mbrëmje.

E pyetur nga “Panorama” se si i erdhi propozimi për të qenë pjesë e listës së PD-së, ajo thotë:

“Propozimin e kam marrë të premten e shkuar. Mesazhi ishte i qartë, i shkurtër e bindës: unë duhet të përfshihesha në një betejë politike për të sjellë në pushtet PD-në dhe për të hapur kështu erën e re të transformimit të gjithanshëm të Shqipërisë. Pas një hezitimi të shkurtër për të zgjedhur midis vijimit të karrierës sime akademike e universitare dhe kalimit në jetën politike aktive, unë vendosa për këtë të fundit. Natyrisht, edhe pas një konsultimi me familjen time. Pa dyshim, ka qenë një vendim shumë i vështirë po të kemi parasysh faktin se, ndonëse nuk është mbushur viti që unë kam marrë detyrën e dekanes së Fakultetit të Histori-Filologjisë të UT-së, kisha shtruar shina të fuqishme për realizimin e projektit për modernizimin e gjithanshëm të këtij institucioni. Megjithatë, mendova se fitorja e PD-së në këto zgjedhje u shërben interesave të larta të vendit, prandaj dhe u bëra pjesë e skuadrës që do ta përmbushë këtë mision të rëndësishëm”, thotë Duka.

Ky është një tjetër rast që përforcon zërat e kritikëve të Bashës brenda partisë, të cilët thonë se listat e kandidatëve janë amatore, të pakonsultuara dhe klienteliste.

Please follow and like us: