Albspirit

Media/News/Publishing

Bushati me Gabriel: Brenda 2017 hapim negociatat, BE të ndihmojë Ballkanin

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati në konferencën e 8-të të Ministrave të Jashtëm të Europës Juglindore që u mbajt në Berlin tha se pas zhvillimeve të fundit në vend, është shpresëplotë që Shqipëria këtë vit do të marrë dritën jeshile për të nisur negociatat me Bashkimin Europian.

Ministri Bushati gjithashtu evidentoi rolin dinamik dhe stabilizues të Shqipërisë për të arritur bashkëpunimin rajonal me efekte konkrete në jetën e qytetarëve. Duke iu referuar edhe aktualitetit në vend, Bushati tha se sundimi i së drejtës dhe zhvillimi ekonomik janë dy anë të së njëjtës medalje.

“Sot në Berlin patëm një konferencë rajonale ndryshe nga të tjerat. Me kolegët Sigmar Gabriel dhe Ministrat e jashtëm të rajonit diskutuam mbi çfarë mund të bëjmë më mirë për të rritur aftësinë e vendeve tona për të përthithur më shumë investime të huaja, dhe për të krijuar më shumë vende pune.

Përgjatë takimeve që pata, këmbëngula në faktin se sundimi i së drejtës dhe zhvillimi ekonomik janë dy anë e të njëjtës medalje, prandaj dhe ne jemi të vendosur t’i çojmë deri në fund të gjitha reformat e nisura në vendin tonë, mbi të gjitha Reformën në Drejtësi.

Mirënjohës Gjermanisë për gatishmërinë për të vënë në dispozicion të vendeve të rajonit, instrumente të rinj financiar, për të jetësuar projekte infrastrukturore, për të investuar në teknologjitë e reja dhe për të zhvilluar trajnimin profesional të të rinjve.

Me optimizëm, mund të them se jemi në rrugën e drejtë për krijimin e kushteve të favorshme, që brenda këtij viti, Shqipëria të marrë dritën jeshile nga vendet anëtare për t’u ulur në tavolinen e negociatave me BE-në.” shkruan Bushati në Facebook

EC5D9681-2

I pranishëm, Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Sigmar Gabriel u shpreh se në disa vende të Ballkanit popujt po lodhen nga zgjatja e negociatave duke e parë anëtarësimin si një proces sakrificash.

“Rreziku është që qytetarët e rajonit ta shohin procesin e anëtarësimit si një proces sakrificash dhe reformash të vështira të cilat rëndojnë pjesën më pak të avantazhuar të shoqërisë, sidomos të rinjtë, të cilët përballen me sfidën e papunësisë”, theksoi Gabriel, duke thënë se BE duhet të ndryshojë qasje ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të vënë në dispozicion të rajonit më shumë instrumente financiarë me qëllim rritjen e investimeve infrastrukturore dhe teknologjike.

Dy ministrat ranë dakord mbi nevojën për një qëndrim koheziv të vendeve anëtare të Bashkimit Europian në funksion të tejkalimit të krizave të demokracisë në rajon dhe kërcënimeve nga faktorë të tretë që synojnë të devijojnë ritmin e reformave dhe kursin euro-atlantik.

Please follow and like us: