Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko:…NËN DHUNËN E DRITËS

 

Herë-herë shoh ëndërr
një bibliotekë platitur nëntokë
nga një tërmet.
nuk ia gjen dot hyrjen
skedat, raftet, librat.

Truri një njollë, një varrë
në bulbin e zambakut të shkëmbit
rendi i librave, kujtesa,
oraret, largësitë terur, shkrirë.
ca fije përçojnë në plasa dheu
nën flokët e kafkës krisur, çarë.

Korja e trurit
syrit përplasur
prodhon njolla,
pika gjaku mbi ekran,
hje vallëzojnë
mbi gojë të kalbura trarësh
drejtuar në hone.

Dhuna e dritës në periferi të rrethit
fshik e verbon hijet.
hije, milingona rendin
të gjejnë vrimën nën tokë
jashtë stuhisë.

Trandja e tërmetit,
përçartja përmbysëse
nuk qe freski për bulbe, për lëngje, jetë.
njolla, pika gjaku, plagë,
as qartësi, as kthjellim.

I mbahem territ,
drithmës blu ku syri bëhet pikë e vrimë
jshtësitë tashmë shtypur e shfytyruar
si nën tornado.
Kufinj, ravijëzime jete
pelte, pluhurimë,
tog pluhuri me imazhe.

Në bërthamë të errësirës,
veç mesi,
qendra me pak dritë…
një njollëz.

Përtej
pikës së mortit
ç’largësi shkartisen, vidhisen;
vallë dhe ti
fari i terreve në shkëmbin e molit
nën këmbë tornadoje
nën thundra elefantësh në rendje?

Dil
dil nga
gjurmë elefantësh që më rendin në tru
merr e gjej kohën tënde,
jetën, thonë,
dhuratë nga hyjnitë.

Blanat pa vijëzime
të kipsit tim, hije muzgu,
atje tej zgjatur,
i vesh si rroben çdo mëngjes
e mbart si kufomën nëpër dritë
shtyhem nga pas hijesh
përtej dhunës së dritës në periferi të terrta.

Please follow and like us: