Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Kaçubja e fshehur

Me kalimin e viteve të mbeten pak gjëra
as sa një kaçube,
si kaçubja ku venë e fshihen për herë të parë
Një çift adoleshentësh
…puthen, dhe as e dinë se të gjithë po i shohin.

Këto pak gjëra…
Mund t’i marrësh me vete
Aty ku ulesh vetëm
Me kafen e ditës se re përpara.
I thërret në buzë
një lutje u dërgon, pa zë,
që nuk e marrin vesh,
kurrë nuk do ta dinë.

Ndër ato pak gjëra për të cilat lutesh
mund të jetë perëndimi i diellit në verë
Në një vend pranë detit.

Befas ajri bymehet, pemët ndezin
kurorat si me shkumën e shampos së kuqërremtë,
ra zjarr, thua, po arrin qiellin,
u shkrumbuam…
Por jo. Sikundër qyta e pushkës tek shprazet,
rreh fort supin e rekrutit,
ashtu rreh dielli, para se të kapërcejë matanë.

Godet pa zë, me dallgë heshtjeje të përskuqur.
Rrahjet e gjakut, jo aq të forta, por dhembin.
Një ndjenjë kjo që të bujis e s’di ku ta çosh,
të mbetet si ajo tufa e karafilave që u thanë
në xhepin e brendshëm të xhaketës
nga që nuk i fale dot, atje ku duhej.

Mund të lutesh dhe për karafila kopshti me aromë,
dy… tre karafila,
jo një kaçube,
(nuk kanë veshë, nuk të dëgjojnë).
Edhe për atë, për të cilën karafilat dikur i këpute,
Mund të lutesh:
“pa ty cimbal tingëllues,
pa ty, pa ty nën gëmushë i fshehur jam”…

Po.
Për diellin, për karafilat
Dhe për ca gjëra të tjera
ia vlen ditë për ditë në paqe të lutesh.

12.03.13

Please follow and like us: