Kastriot Dervishi: Dy fjalë për sherrin Tahiri-Marko

 

Lexova sot në facebook një tekst demaskues të ish ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, kundër presidentit të zgjedhur Ilir Meta. Nuk më intereson fare brendia e këtij, por meqë në të doli dhe mori udhë emri i Ilir Markos, më duhet të them për publikun disa të vërteta. Natyrisht nuk do komentoj asgjë rreth kazanëve e tepsive apo për çështjeve që nuk lidhen me mua, por vetëm ato që i takojnë “gjymit” tim. Ilir Marko ishte emërimi i parë i Saimir Tahirit në MPB në shtator 2013 si drejtor i Inspektimit.

Në periudhën shtator 2014 deri në janar 2016 ka qenë i besuari i Saimir Tahirit, duke dhënë kontribut, në shkatërrimin e administratës së kësaj ministrie, përpilimin e listave të personave që do hiqeshin nga puna në nëntor 2013 si “armiq të partisë në pushtet”, etj. E pra, kryekëshilltari i Saimir Tahirit ka qenë Ilir Marko, tanimë i akuzuar ndryshe nga ish ministri.
Personi i parë që është përdorur kundra meje, me porosi të Saimir Tahirit, ka qenë Ilir Marko. Pra si “aksioner” i përpilimit të memos së parë nga inspektori Anastas Meçi, përmbajtja e së cilës ishte tërësisht amatore e me shkelje të rënda ligjore (përveçse me fshehje të vërtetash). Mjafton t’ju citoj një rresht të kësaj memoje të datës 18.9.2012 drejtuar sekretarit të përgjithshëm, në të cilin dallohet lehtas “analfabetizmi administrativ”:
“Në zbatim të porosisë suaj lidhur me administrimin, ruajtjen nxjerrjen dhe asgjësimin e informacionit të klasifikuar sekret shtetëror…”. Nuk ka arkivist që i jem dum kësaj fjale.
Kur nuk gjetën asgjë kundra meje, filluan teknikën e sajesave, të cilat gjykata i gjeti në shkelje të rënda të ligjit. U largova nga detyra sepse isha profesionist dhe nuk isha komunist apo derivat i tyre. Me sa pashë, që të vijoje punë në atë ministri duhej të ishte i paaftë dhe militant i orëve të para dhe sigurisht bir oficeri kontributor në diktaturën komuniste. Sigurisht nuk e plotësoja këtë kusht.
Pas veprimeve kundra meje (në fakt ndaj Arkivit) ku ishte “aksioner” edhe Ilir Marko, ministri Saimir Tahiri dhe sekretari i përgjithshëm Genc Gjonçaj i dhanë Arkivit të Sistemit të MPB-së shkelmin më të madh në historinë e vet, aq sa sot ky Arkiv është vetëm me një arkivist dhe për pasojë gjithë sistemi arkivor i MPB-së është krejt jashtë funksionit. Nuk e kam kuptuar kurrë nëse e bënë këtë nga padija apo nga urrejtja. Sido që të jetë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, i kanë shkaktuar një dëm të pallogaritshëm trashëgimisë historike të Shqipërisë, pasojat e së cilës do jenë fatalisht shumë të gjata.
Praktikën e rastit tim ia kam bërë të njohur institucioneve ndërkombëtare si dhe do ta bëj publike të gjithën në një rast të përshtatshëm.
Mjaftonte që Saimir Tahiri të kujtonte si e nxiste Ilir Markon në gushtin e vitit 2014 të gjente apo sajonte ndonjë gjë për të më hequr nga puna e drejtorit të Arkivit (këto biseda i kam ditur qysh në atë kohë). Se në këtë lojë të ulët e të mjerë u përdorën letrat klasore që bënin oficerët pleq të Sigurimit si p.sh. Idajet Hoxha (më kanë nderuar sepse nuk pres lëvdata prej tyre).
Nuk e di cili është mirëbërësi jetës së Ilir Markos, por mendoj se këtë herë Saimir Tahirit duhet t’i përgjigjet gjerësisht e jo me sms vetëm Ilir Marko. Do ishte në nderin e Ilir Markos, të deklaronte ndër të tjera publikisht atë që u bë kundra meje në shtator 2014 se fjalë të përgjithshme me kazanë, gjyma, qypa, kusi, kemi dëgjuar mjaftueshëm këtë sezon. Të mësojë publiku shqiptar si zbatohet ligji dhe maliqi leninist i luftës së klasave nga “shtetbërësit”. Le të thotë të vërtetën dhe këtë t’ia çojë edhe DAP-it, në mënyrë që ky ta ketë si medalje nderi në punën e tij certifikuese ndaj shkeljeve ligjore.