Michael Bowman: SHBA, procesi zgjedhor dhe rreziku nga hakerët

Zyrtarët federalë thonë se operativë rusë u përpoqën të futen në mënyrë dixhitale në sistemin e votimit në 21 shtete amerikane gjatë zgjedhjeve presidenciale vjet. Siç njofton korrespondenti Michael Bowman, seancat me pyetje-përgjigje në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat nxorën në pah tensione të dukshme mes zyrtarëve shtetërorë që mbikqyrin zgjedhjet dhe agjencive federale që kanë për detyrë të garantojnë integritetin e proceseve zgjedhore. Ndërkaq presidenti Trump ka përsëritur dyshimet e tij ndaj konkluzionit të agjencive të zbulimit se Rusia ndërhyri në procesin zgjedhor:

Vetëm dy shtete pohuan që në fillim që infrastruktura e votimeve ishte sulmuar nga hakerët. Ligjvënësit mësuan më pas se sulmet kibernetike ruse kishin pasur një objektiv shumë më të gjerë.

“Kemi prova se në 21 shtete sistemet që lidhen me zgjedhjet u vunë në shenjestër”, tha Jeanette Manfra e Departamentit të Sigurisë Kombëtare.

“Por në ansjë prej rasteve nuk u ndikua rezultati i votimeve në ndonjë mënyrë, apo jo”, pyet Senatori republikan Richard Burr.

“Jo, nuk u ndikua”, përgjigjet zonja Manfra.

Zyrtarët nuk pranuan të identifikojnë specifikisht shtetet e vëna në shenjestër apo numrin e atyre shteteve ku pati ndërhyrje në regjistrat e votuesve apo në të dhëna të tjera, gjë që solli reagime nga senatorët.

“Nuk mendoj se vendi ynë bëhet më i sigurtë duke mos e informuar publikun. Nuk jam i interesuar të vë asnjë shtet në pozitë të vështirë”, shprehet Senatori demokrat Mark Warner. Por një nga zyrtarët zgjedhorë kishte një paralajmërim për nxjerrjen e informacionit.

“Më prishet gjumi kur mendoj se si do të ndikohet besimi i publikut tek sistemi zgjedhor. Dëmi më i madh që mund të shkaktojmë është t’u themi njerëzve që vota e tyre s’ka vlerë”, thotë zyrtarja Connie Lawson nga Indiana.

Zyrtarët zgjedhorë në nivel shtetëror i kanë bërë rezistencë ndihmës nga organet federale për të identifikuar dhe neutralizuar rrezikun kibernetik, thotë një ish-zyrtar i lartë i administratës Obama.

“Vërejtëm një intesifikim të aktiviteteve ndërhyrëse në regjistrat e votuesve. Ua shpjeguam zyrtarëve shtetërore që të bashkëpunonin me ne për ndihmë”, thotë ish-Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Jeh Johnson.

Admnistrata Obama i karakterizoi sistemet e votimit si një ndër elementët kritikë të infrastrukturës së sigurisë, duke bërë të mundur akordimin e fondeve federale për shtete që kërkonin ndihmë.

Presideti Trump postoi një koment në Twitter ku duket se vë në pikëpyetje përfundimet e agjencive të zbulimit mbi ndërhyrjet e Rusisë. “Nëse Rusia po përpiqej kaq fort të ndërhynte në zgjedhjet e 2016, të gjitha këto ndodhën gjatë administratës Obama. Përse nuk i ndaloi (administrata e mëparshme) këto përpjekje?”

Në një tjetër postim, Presidenti Trump vë në dukje se Jeh Johnson, Sekretari për Sigurinë Kombëtare në administratën e Presidentit Obama, “është më i fundit ndër zyrtarët e lartë të zbulimit që deklaron se nuk ka pasur një skemë bashkëpunimi mes Trumpit dhe Rusisë”.

Zoti Johnson tha para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin se nuk ka dieni që zoti Trump apo ndihmësit e tij gjatë fushatës bashkëpunuan në mënyrë të paligjshme me përfaqësues të Rusisë që ta ndihmonin të fitonte zgjedhjet. Këto aludime janë në qendër të procesit hetimor nën prokurorin e posaçëm Robert Mueller.

Por shumë shtete i bënë rezistencë politikave të institucioneve federale për të mbrojtur procesin zgjedhur nga ndërhyrjet, duke argumentuar se fuqia e sistemit zgjedhor qëndron tek karakteri i tij i decentralizuar.

“Autonomia e sistemit shërben për ta mbrojtur nga aktorë me qëllime keqdashëse”, thotë zonja Lawson.

Në përgjigje të mospajtimeve që shfaqin zyrtarët federalë dhe ata shtetërorë për mënyrën më të mirë të operimit, një informaticien paralajmëron për rrezikun ndaj sistemit zgjedhor:

“Në çdo rast vërejtëm pika të dobëta që hakerët mund t’i shfrytëzonin për të sabotuar makinat e votimit apo për të vjedhur votat. Armiqtë e Amerikës mund t’i shfrytëzojnë këto dobësi,”thotë informaticieni Alex Halderman.

Megjithëse makinat e votimit nuk janë të lidhura me internetin, specialistët vënë në dukje se hakerët mund të ndërhyjnë tek programi kompiuterik i këtyre makinave për të manipuluar zgjedhjet.