Petrit Ruka: PROJEKT PËR RIBËRJEN E BOTËS

 

 

Më tha Zoti në ëndërr një nate të gjatë

ti ç’dreqin ke,

që botën s’ma pëlqen?

Më sill një projekt ta marr në shqyrtim,

unë vetë jam një poet

që koka më zjen….

 

U zgjova me djersë nën ndjenjën e shenjtë,

(truri të çahet, veç ta mendosh,)

kur ja, si gjithmonë, Ti u shfaqe për ndihmë

dhe vetes i thashë:

veç Ty të kopjosh…

 

Gabimi filloi kur ti, Zot, i lodhur

nga një brinjë ordinere

gruan e bëre të fundit.

Prandaj zhgënjimi i shkoj botës nga pas,

si shija e athtë që shkon pas plumbit…

 

Mendoje: veç ajrit dhe erës pa shije-

t’i jepje aromën

që Ajo ka në buzë,

perëndimet të kopjonin  gjinjtë në shtrat

ngjyrë alle anash

dhe thithkat si shpuzë…

 

Mendoje, O Zot,…. ujrat që rrjedhin,

të qeshurën e saj

ta kishin melodi.

me kisha rrumbullake si gjinjtë e ngrohtë,

si qafa e saj e lëmuar çdo xhami.

 

Luginat shtrirë butë si barku i  ngrohtë,

me bar të rimtë si pushi përfund,

mbjellë prush lulekuqja fletë- fletë e saj

kuq ta bëj botën

gjithkund që mund.  

 

Lumenjve binjakë si kofshët e ngrohta,

me kthesa kitare

si ijet mbi mez,

dhe hënën kopjuar nga vithet –dy kodra,

kur çarcafi i lodhur rrëshqet një mëngjes… 

 

Dhe valët e detit që tunden gjithë hir

si mesi dhe shpina jote (mbi mua,)

me buzët e saj shartuar gjithë frutat

tik – tak për orët

rënkimet e tua…

 

Më thuaj, a s’është projekti madhështor,

veç vuri një vulë

çfarë Bote do të dalë!

Nuk dua autorësi, më ler anonim,

më fshih pas gruas, që Ti ma ke falë…

 

                      4 dhjetor 2012