Albspirit

Media/News/Publishing

Kastriot Dervishi: Si funksiononte Sigurimi i Shtetit?

Një ndër armët më efiçente të diktaturës komuniste në Shqipëri që tregonte edhe shkallën e zhvillimit të kësaj diktature ishte edhe Sigurimi i Shtetit – i cilësuar shpesh si “Syri vigjilent i Partisë”. Një makinë e tillë i siguroi pushtetin për vite PPSH-së dhe u bë faktor frenues në zhvillimet demokratike në vitet 90-të.

 

Pikërisht për të njohur diçka më tepër në organizimin dhe funksionimin e këtij organi, menduam se do të ishte me interes një shkrim i tillë. Sepse niveli i një shërbimi informativ tregon edhe nivelin e konsolidimit të pushtetit në çfarëdo kohë.

 

 

 

Historia e spiunazhit në Shqipëri

 

Ndonëse Shqipëria u njoh si shtet më 29 Korrik 1913, për shumë vite, për shkaqe të ndryshme ajo nuk arriti të ndërtonte strukturat  natyrore të shtetit. Pas Kongresit të Lushnjës u pa se po fillonte ndërtimi i institucioneve kryesore të shtetit. Megjithatë nuk mund të flitej për ndërtim të rrjetit të mirëfilltë informativ. Pas ngjarjeve të vitit 1924 dhe pas Triumfit të legalitetit, Ahmet Zogu arriti të ndërtojë të parin shërbim sekret shqiptar.

 

Ky shërbim bënte pjesë në Ministrinë e Brendshme dhe njihej me emrin Zyra Sekrete. Jo vetëm që u punua me parametra profesionale, por u arrit të ngrihej edhe një rrjet i mirë agjentësh në Jugosllavi dhe Greqi.  Eshtë për t’u kujuar se pas pushtimit komunist të Shqipërisë në Nëntor 1944, i gjithë arkivi i Ministrisë së Brendshme iu vu në dispozicion jugosllavëve, të cilët zbuluan ndër të tjera dhe agjentët që kishte Mbreti Zog në Jugosllavi.

 

Shumica e këtyre agjentëve u vranë nga jugosllavët. Do të ishin pikërisht jugosllavët ata që do të krijonin shërbimin e ri sekret në Shqipëri të quajtur Sigurimi i Shtetit. Këtu merret si pikënisje, mbase jo zyrtare 19 Prilli i vitit 1944, kohë kur Enver Hoxha zyrtarisht urdhëroi shtabin e batalionit “Hakmarrja” të fillonte “organizimin e shërbimit të informacionit”.

 

Hartues të platformës fillestare të këtij shërbimi informativ u bënë emisarët jugosllavë. Këta për interesat e tyre nxitën formimin e një shërbimi informativ në mënyrë që ky organ vetëm kombëtar të mos ishte. Me ardhjen në pushtet të Enver Hoxhës, Ministër i Brendshëm ishte Haxhi Lleshi, i cili rridhte nga një familje me tradita të kulluara serbofile.

 

Pas Lleshit në Mars 1946, në vend të tij u emërua Koçi Xoxe, që ishte njëkohësisht edhe Zv/Kryeministër. Koha e Xoxes përkon edhe më fuqizimin e Sigurimit të Shtetit nën kujdesin e posaçëm të këshilltarëve jugosllavë. Si edhe me parë, Sigurimi vazhdoi të ishte pjesë e Ministrisë së Brendshme. Nesti Kerenxhi, Vaskë Koleci e Zoi Themeli ishin ndër më të njohurit që u morën me ndërtimin e armës së Sigurimit nën kujdesin e përhershëm të Këshilltarëve jugosllavë. Pikërisht u bë shkak kjo kohë që pas vitit 1948, Parti e Punës të theksonte se ishte ajo që komandonte Sigurimin.

 

Pas divorcit me jugosllavët, Sigurimi i Shtetit pati një ngritje  edhe më të madhe profesionale nën patronazhin jugosllav.Gjatë gjithë ekzistencës së tij Sigurimi i Shtetit mbeti gjithnjë një produkt jugosllavo-sovjetik. Ai ngeli përherë syri vigjilent i Partisë së Punës dhe arma më e fortë e diktaturës komuniste. Ky  shërbim nuk arriti kurrë të ishte një shërbim kombëtar. Ai survejonte gjithçka që ndodhte në Shqipëri për t’i shërbyer mbajtjes së pushtetit nga Partia e Punës.

 

Në vitin 1991 në qeverinë Nano 2 u krijua Ministria e Sigurimit  e drejtuar nga Gramoz Ruçi. Një rast krejt i veçantë ky. Në verën  e vitit 1991 u miratua ligji për Shërbimin Informativ Kombëtar (SHIK) dhe Irakli Koçollari u bë kryetar. Në Qershor 1992 në krye të këtij institucioni vjen Bashkim Gazidede dhe filloi reforma e madhe e SHIK-ut që përfshiu 98% të efektivit. Në Maj 1997, pas rrebelimit komunist dhe pas dorëheqjes së Gazidedës, në krye të këtij institucioni u emërua  Arben Karkini.

 

Me ardhjen e socialistëve në pushtet, në Shtator 1997 në vend të Karkinit u emërua NënKryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve Fatos Klosi. Më vonë SHIK-u ndërroi emrin në SHISH. Klosi riktheu në funksione gjithë punonjësit e vjetër. Aktualisht SHISH është shumë larg një Shërbimi Infromativ Kombëtar. Ai është një vegël e Partisë Socialiste.

 

 

Organizimi i Sigurimit të Shtetit

Mënyra organizative e Sigurimit të Shtetit ishte mjaft  e studiuar dhe hierarkike. Në krye të kësaj metode qëndronte Byroja Politike e K.Q të PPSH-së. Me këtë rast Sigurimi vepronte sipas Platfomrës së Byrosë Politikë të K.Q, të PPSH-së. Kjo gjë bëhej për të theksuar se ishte Partia ajo që udhëhiqte Sigurimin. Për vetë komunistët qe trajtuar apo gjykuar si e gabuar koha e pasluftës ku Sigurimi Komandonte Partinë.

 

Pas eliminimit të grupit të Koçi Xoxës, udhëheqësi Komunist Enver Hoxha, me të madhe vuri në dukje se partia ishte mbi Sigurimin. Në vitin 1982, pas eliminimit të Mehmet Shehut, Hoxha do të përsëriste  vazhdimisht se ishte partia ajo që kishte zbuluar “komplotet” e Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut etj dhe jo Sigurimi. Duke folur  në këtë mënyrë, Hoxha e ktheu  partinë ndër  të tjera edhe në një  organ të specializuar spiunazhi, megjithëse  kjo gjë mund të duket si absurde.

 

Gjithësesi vazhdojmë më tej. Në platformën e Byrosë Politike ndër të tjera  dallojmë esencialisht  dy pika  kryesore. Në njërën  nga këto pika thuhej se anëtar i PPSH-së nuk mund të ishte bashkëpunëtor i Sigurimit  pa lejen  e Partisë. Kjo do të thotë që strukturat e Partisë informoheshin paraprakisht për arsyet e  rekrutimit të anëtarit të tyre.

 

Në pikën tjetër thuhej se rrjetin sekret informativ duhej ta përbënin në shumicë elemente që vinin nga familjet e deklasuara, të internuara  apo që kishin të afërm jashtë shtetit.

 

Përsa i përket anëve  të tjera  të survejimit, agjentë  të Sigurimit ndodheshin  edhe brenda në burgje (ordinere  apo politike) si dhe në institucione të Shtetit si për shembull në ministri, drejtori, hoteleri etj, në të cilat parashikohej që një vend i caktuar i organikës t’i lihej një bashkëpunëtori të Sigurimit.

 

Nën  nivelin  e Byrosë Politike të K.Q  të PPSH-së, vinte Ministria e Brendshme. Në këtë organ një zv/ministër  drejtonte Sigurimin e Shtetit dhe tjetri kufirin. Zv/ministri i ngarkuar me Sigurimin komunikonte  me Kryetarët e  Degëve të Punëve në Brendshme  në rrethe  dhe 3  drejtorët e Sigurimit.

 

– Drejtoria e Parë e kundërzbulimit

– Drejtoria e Dytë e Sigurimit të Udhëheqjes

– Drejtoria e Tretë e Zbulimit

 

 

Më konkretisht këto drejtori  ndaheshin në disa  degë:

 

  1. Drejtoria e Parë e Kundërzbulimit:

 

– Dega e Parë: Zbulimi i depërtimit të agjenturave të huaja  kjo degë  merrej me ndjekjen  dhe survejimin e elementit  të dyshuar si agjentë të huaj. Megjithatë në shumë raste Sigurimi sajonte agjentë për të justifikuar punën e tij.

 

– Dega e Dytë: Kundërzbulimi i zbulimit të ambasadave të huaja të akredituara në Shqpëri. Në këtë bëhej survejimi i plotë i veprimtarisë së selisë të këtyre ambasadave dhe i personelit të tyre.

 

– Dega e Tretë: Pastërtia e figurës së punonjësve të Ministrisë së Brendshme. Në këtë degë grumbullohej i gjithë dokumentacioni dhe të dhëna të tjera në lidhje me punonjësit e Ministrisë së Brendshme. Survejimi i efektivave të kësaj ministrie përfshinte çdo gjë që kishte të bënte me të kaluarën e tyre si origjina, familja, shkollimi etj, si dhe  mënyra e  jetesës jashtë detyre. Nuk ishte pa rëndësi  survejimi i punonjësit në profilin e tij të punës. Kjo mënyrë survejimi rriste besnikërinë e punonjësit ndaj diktaturës dhe garantonte një organ të rëndësishëm të kësaj diktature.

 

– Dega e Katërt: Administrimi i dokumentave operativë. Kjo degë siç duket edhe nga emri administronte dosjet e arkivuara dhe kartelat ku ndodheshin të dhëna për bashkëpunëtorët dhe për personat që ndiqeshin. Përveç këtyre kjo degë  administronte edhe  dokumenta të institucionit.

 

– Dega e Pestë: Teknika operative.

 

Kjo degë merrej me administrimin e teknikës operative të Sigurimit si incizuesit, kamerat etj, si çdo gjë që hynte si mjet survejimi apo regjistrimi. Ishte ndër degët më të rëndësishme të Drejtorisë së Parë.

 

– Dega e gjashtë: Sigurimi i Ushtrisë.

 

Kjo degë garantonte “pastërtinë” e efektivave të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore dhe të kishte nën kontroll veprimtarinë e mundshme “të armiqve” kundër teknikës ushtarake. Megjithatë ky sektor në mjaft raste mbështeti teoritë që krijonte Enver Hoxha kur godiste grupe ushtarakësh.

 

– Dega e Shtatë: Zbulimi i krimeve ekonomike.

 

Me anë të rrjetit të informatorëve  kjo degë kishte  për qëlim të gjente “sabotatorët” që shkaktonin “krime ekonomike”. Megjithatë ky  sektor  nga ana  organizative  u suprimua  më vonë  për t’iu bashkangjitur  një sektori tjeter.

 

– Dega e tetë: Zbulimi i veprimtarisë së elementëve  armiqësore antiparti.

 

Kjo degë  ndahej  në dy  nëndegë:

 

– Nëndega e internim-dëbimeve, që merrej me survejimin e elementëve të internuar e dëbuar, duke pasur një rrjet të gjerë informatorësh brenda këtij kontigjenti.

 

Nëndega  e kampeve dhe burgjeve merrej me survejimin e të burgosurve ordinerë dhe politikë. Brenda  në burgje  ekzistonte një rrjet  informatorësh të burgosur.

 

Përsa  i takon  kuadrove të Sigurimit të Shtetit duhet thënë se shumica e tyre (ose rreth 95%) vinin nga Zona e Parë Operative.

 

 

  1. Drejtoria e Dytë: Sigurimi i Udhëheqjes

 

Kjo Drejtori ndahesh në këto degë:

 

– Dega e prapavijës. Kjo degë  survejonte  çdo gjë që përdorej nga  udhëheqja  si vilat, zyrat, ushqimet e udhëheqjes, makinat e tyre etj, etj. Në shërbim  ishin oficerë  legalë.

 

– Degë e Shoqërimit. Këtu  bënin pjesë ata shoqërues  të udhëheqjes që ishin oficerë legalë.

 

– Dega e teknikës. Përfshinte të gjithë infrastrukturën e mjeteve të survejimit si regjistruesat, kamerat etj, etj.

 

– Dega e Administrimit të Dokumentave Operative. Kjo degë bënte administrimin shkresor.

 

 

  1. Drejtoria e Tretë. Zbulimi.

 

Kjo Drejtori e kishte qendrën në katin e katërt të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe përbëhej nga oficerë legalë, të cilët kamufloheshin me funksione diplomatike në ambasada të RPSSH-së në vende  të huaja. Kështu oficeri i Sigurimit në një ambasadë të Shqipërisë në një vend të caktuar kamuflohej në sekretar  apo konsull të ambasadës dhe jo më tej.

 

Ky ishte niveli i mesëm ku vepronte  Sigurimi. Në vitin 1992 (muaji maj) kur ministër u bë Alferd  Serreqi, plasi edhe  skandali i përgjuesve të Ministrisë së Jashtme, që në fakt ishin pjesë integrale e Sigurimit të Shtetit. Nga ana organizatore  Drejtoria e Tretë e Sigurimit të Shtetit ndahej në disa degë:

 

– Dega e parë mbulonte Evropën

– Dega e dytë mbulonte Lindjen e Mesme  dhe vendet e tjera.- Dega e tretë mbulonte Amerikën dhe vende  të tjera.

– Dega e katërt mbulonte diasporën. Këtu mund të shtojmë se rrjeti i agjentëve të Sigurimit ka qënë mjaft i madh. Mbase agjentët në diasporë mund të ishin më të veçantë.

– Dega e pestë ishte ajo që administronte dokumentat operative.

– Dega e gjashtë ishte ajo që administronte teknikën  operative.

 

 

Rrjeti informativ Sekret

 

Ky rrjet përbëhej nga:

 

– Rrjeti infromativ pa dokumenta.

– Rrjeti informativ me dokumenta.

 

  1. Rrjeti informativ pa dokumenta

 

Përbëhej nga një kategori e veçantë bashkëpunëtorësh specialë të cilët betoheshin para Sekretarit të Parë të PPSH-së. Në shtyp janë përmendur disa emra, të cilët janë në krye të shtetit sot dhe që njihen  si ramizistë (si duket janë betuar para tij).

 

  1. Rrjeti informativ me dokumenta

 

Në rrjetin informativ sekret me dokumenta  dallojmë 4 lloje  bashkëpunëtorësh  të Sigurimit të Shtetit. Më konkretisht  ata janë:

 

Rezidenti.

Ishte ndihmës i operativit të Sigurimit dhe mbante lidhje me disa informatorë. Ishte  person civil, kërkohej me nivel të lartë profesional, i besueshëm dhe parashikohej që të ishte operativ aktiv  në kohë  lufte. Disa  prej tyre  kanë bërë edhe kurse speciale.

 

Agjenti.

Ishte infromativ i kualifikuar i Sigurimit të Shtetit që jepte  të dhënat kryesore atje ku qëndronin interesat e Sigurimit. Informatori. Ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, i cili jepte informata sipas skemës për të cilën ai ishte ngritur.

 

Strehuesi.

Ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, i cili vinte  në dispozicion  të Sigurimit, banesën, zyrën, hotelin ose ambjete të tjera që kishte mundësi.

 

Strehuesi  quhej edhe bashkëpunëtor vullnetar.

Në mjediset që ai vinte  në dispozicion  ndër të tjera zhvilloheshin takime të operativit, rezidentit etj.Të gjitha këto nivele informatorësh ishin me pseudonime.

 

(TIRANË, 22 shtator 2001)

 

 

Please follow and like us: