Kievi ndjek penalisht personat e përfshirë në rikthimin e Sakashvilit

Autoritetet ukrainase premtuan sot do të ndjekin penalisht personat që ndihmuan rikthimin në Ukrainë të ish-presidentit gjeorgjian, Mihail Sakashvili duke dënuar kështu një sulm kundër qeverisë.

“Nuk është thjesht një shkelje e ligjit. Është fillimi i një sulmi kundër shtetit ukrainas, një tentativë për destabilizim të situatës në vend, tashmë nën presionin e një konflikti të armatosur në Lindje me rebelët prorusë”, deklaroi në faqen e tij në Facebook, kryeministri Volodimir Grojsman.

“Çdo person që ka marrë pjesë në kalimin me forcë të kufirit dhe sulmin kundër rojave kufitare do të identifikohet dhe ndëshkohet nga ligji”, u shpreh në Facebook ministri i Brendshëm ukrainas, Arsen Avakov.

Policia ka nisur një “hetim kriminal” për “kalim të paligjshëm të kufirit, një krim që mund të rëndojë deri në pesë vite burg”, shtoi Avakov.