Juncker: Turqia e Erdoganit s’ka shanse të futet në BE

Turqia mori një tjetër mesazh të fortë nga Brukseli se kursi antieuropian që po ndjek i bën zero shanset që ajo të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Në fjalën e përvitshme nga parlamenti Europian, Presidenti i KE, Jean Claude Juncker i bëri të qartë Ankarasë se problemi nuk është populli turk, por la të kuptohet se përplasja me Europën është e udhëhqjes politike dhe konkretisht e presidentit Erdogan.

“Turqia po lëviz për një kohë të gjatë larg BE-së, gazetarët e kanë vendin në media dhe jo në burgje, ndaj dhe i bëj thirrje Turqisë të lirojë gazetarët tanë dhe të tjerët. Evropa është një kontinent i demokracive të pjekura dhe ata që na sulmojnë po djegin ura – tha Juncker nga Strasburgu.

Ai shtoi se është e papranueshmë që një shtet që identifikon BE-në me “fashistët” dhe “nazistët” të bëhet anëtar i saj. Juncker la të kuptohet se minimi i negociatave të anëtarësimit me Turqinë mund të ketë nxitje vetë Ankaranë. Megjithatë, Presidenti i Komisionit Europian nuk e mbylli plotësisht derën duke thënë plotësisht se BE e ka të shtrirë dorën e bashkëpunimit për qytetarët turq dhe që dëshirojë të punojnë dhe të ndajnë të njëjtat vlera me Bashkimin Europian.

Bashkimi duhet të përqafojë vizionin e Emmanuel Makron për Evropën dhe idenë e një konsultimi të gjerë publik për të ardhmen, tha Jean-Claude Juncker pak para mbylljes së fjalës së tij, duke kërkuar që Bashkimi Evropian të jetë në gjendje të kapërcejë veton e vendeve anëtare për çështjet e politikës së jashtme.