Albspirit

Media/News/Publishing

Meta dekoron sportistin dhe diplomatin e shquar Agim Fagu

Presidenti i Republikës,  Ilir Meta vlerësoi sot me një ceremoni solemne basketbollistin dhe diplomatin e shquar Agim Fagu, duke i akorduar Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me motivacionin: “Me mirënjohje dhe vlerësim të thellë për veprën dhe kontributin madhor që ka dhënë për ngritjen e sportit të basketbollit në nivelet më të larta ndërkombëtare, si personalitet i shquar në njohjen dhe lartësimin e vendit tonë në botë”.

Agim Fagu falënderoi Presidentin Meta për fjalët, të cilat siç tha ai, “ndoshta disa herë i kalonin kufijtë e së vërtetës, por le ta gjykojnë të tjerët dhe ju falënderoj dhe për atë që, të gjithë këtë respekt dhe dashuri të shqiptarëve, ju i ligjëruat në një dekret duke më vlerësuar mua me dekoratën më të lartë të vendit”.

“Do të uroja që kjo ceremoni të shërbente si një mesazh për shqiptarët kudo ku janë që ata të kuptojnë që kjo ceremoni u thotë atyre se kontributi i veçantë, por i vërtetë i qytetarëve në Shqipëri do të vlerësohet gjithmonë në mënyrën e duhur. Pavarësisht se dekorata është nominative, unë mendoj se ajo është dhe një mesazh për të gjithë djemtë dhe vajzat shqiptare të brezave tanë që me punën kontributin pasionin dhe talentin e tyre e transformuan Shqipërinë në arsim, shkencë, art, sport dhe kulturë”, përfundoi mesazhi i Agim Fagut.

Please follow and like us: