Rrahman Paçarizi: Alarmi i gjuhës shqipe

Nga 141 kandidatë që konkurruan për t’u pranuar në Degën e Gjuhës Shqipe në UP, vetëm 2 për qind kanë ditur se si bën pjesorja e foljeve guxoj, marr, jap, di, bie, dhe vetëm 4 për qind janë përgjigjur pjesërisht.

I dashur ministër, Bytyçi

E di që këto ditë je shumë i zënë me takime protokollare e me incizimin e gjendjes. E di që duhet të takosh figura publike e politike. E di që je nën presion të madh sa i përket përzgjedhjes së ekipit, pasi ke obligime ndaj partisë e partive të koalicionit. E di që grupe të caktuara mund të të imponohen e të përpiqen të t’i tregojnë prioritetet.

Zoti ministër, e di që të bombardojnë me llafe se si gjendja në UP na qenka e mjerueshme, e çka jo tjetër. E di që harrojnë të t’i përmendin universitetet publike nëpër qytetet e Kosovës dhe kolegjet jopublike. Tekefundit, më lehtë është me u marrë me UP-në. Por, për këto një here tjetër.

Alarmi, z. ministër ka rënë moti. Ai alarm ka të bëjë me shkollat fillore dhe të mesme. Me to nuk merret kush, përjashtuar kohën e fushatës kur ua bëjnë “zbor-in” e i çojnë nëpër darka e dreka, se u duhet vota e tyre.

Këtu i ke disa të dhëna që dëshmojnë cilësinë e shkollimit parauniversitar. Këto rezultate janë nga lënda e Gjuhës shqipe. Në Departamentin e Gjuhës Shqipe e mbajtëm provimin pranues. NGa 141 kandidatë vetëm 6 kanë ditur se çfarë pjesësh të ligjëratës janë fjalët këndim, popullore, shkarazi, duke dhe sepse. 9 të tjerë kanë janë përgjigjur pjesërisht. Pra më pak se 5 për qind janë përgjigjur saktë dhe nja 7 për qind janë përgjigjur pjesërisht – 90 për qindëshi tjetër s’ia kanë haberin.

Vetëm 16 nga 141 kandidatë kanë ditur ta lakojnë nëpër rasa emrin letër.

Pritni, i dashur ministër, se ka ende. Nga 141 kandidatë, vetëm 3 kanë ditur se si bën pjesorja e foljeve: guxoj, marr, jap, di, bie. Ju jeni ekonomist dhe statistikat i nxirrni më lehtë sesa unë. Për publikun më duhet të shpjegoj se vetëm 2 për qind e kandidatëve i janë përgjigjur saktë kësaj pyetjeje dhe 6 kandidatë apo 4 për qind kanë arritur t’i përgjigjen pjesërisht.

I dashur ministër, ky është një alarm. Alarmi është më i zhurmshëm, pasi bëhet fjalë për lëndën “Gjuhë shqipe” e cila mësohet nga klasa e parë e fillores, deri në klasën XII. Alarmi bëhet shurdhues, kur dihet se këta kandidatë kanë kryer me sukses testin e maturës (ku pyetjet nga gjuha e letërsia janë disafish më të vështira). Alarmi, bëhet i padurueshëm kur shikohet se shumica dërrmuese e këtyre kandidatëve vijnë me sukses të shkëlqyeshëm nga shkollat e mesme.

Tash, Ju si të doni. Është vështirë të hyhet në sherr me armatën e mësuesve që janë votues potencialë.

Me respekt

Rrahman Paçarizi, pedagog në Universitetin e Prishtinës.