Albspirit

Media/News/Publishing

Si ta lexojmë fitoren e ngushtë të Angela Merkel?

Jenny Hill, BBC

Angela Merkel dukej e lodhur dhe e tensionuar, kur mbërriti në selinë e partisë së saj në mbrëmje, pas përfundimit të zgjedhjeve. Teksa dilte nga makina, ajo sajoi një buzëqeshje fillimisht për kamerat, më pas për besnikët e partisë, që ishin mbledhur jashtë selisë së CDU. Kancelarja e dinte se do i fitonte këto zgjedhje. Por nuk ishte kjo fitorja për të cilën kishte shpresuar. Ky është rezultati më i keq i konservatorëve nën drejtimin e saj. Një verdikt, ndoshta, lidhur me vendimin e saj për të hapur dyert e Gjermanisë për 1 milion refugjatë. Duke iu adresuar partisë, Merkel pranoi se katër vitet e shkuara kanë qenë të vështira. Megjithatë partia e arriti qëllimin e saj- të dilte e para. Por brohoritjet nuk ishin shumë entuziaste. Kjo për shkak se historia e suksesit në këto zgjedhje i përket AfD-së. Në anën tjetër të qytetit, në një dhomë të mbushur me tollumbace blu dhe të bardha, anëtarët e partisë anti-emigracion, anti-Euro, po brohorisnin pasi u bë e qartë se jo vetëm do hynin në parlament, por do jenë partia e tretë në Bundestag. Alexander Gauland është një prej liderëve të AfD- tashmë deputet. Ai i tha turmës se partia e tij do vazhdojë gjuetinë pas zonjës Merkel. “Ne do rimarrim vendin dhe popullin tonë,” tha ai, një retorikë e jashtëzakonshme për Gjermaninë e post-Luftës së Dytë Botërore. Fushata e hapur ksenofobike e AfD-së, si dhe incidentet në disa tubime të zonjës Merkel, janë thuajse pa precedent. Jashtë selisë, policia po mbante nën kontroll protestuesit anti-AfD, që po demonstronin kundër asaj që për shumë njerëz është një zhvillim shokues politik. Ishte një ditë kaotike për politikën gjermane. Dhe për Berlinin, që organizoi maratonën e përvitshme, teksa votuesit shkonin te kutitë. Ka një ndarje dhe pakënaqësi në zemër të këtij vendi. Mes turmës që po ndiqte maratonën, një burrë më tha se është i terrorizuar nga rritja e nacionalistëve të krahut të djathtë. “Ata janë si nazistët nën Hitlerin. Kam lindur në vitin 1939. Isha fëmijë i luftës. Jam rritur në rrënoja dhe tani e kemi sërish këta. Ata janë kriminelë. Gjithmonë kam votuar CDU-në dhe dua kancelaren Merkel”. Zonja Merkel duhet të gjejë tani partnerë për koalicionin. Mos prisni që të ketë ftesë për AfD. Ajo duhet të bindë vendin- ndoshta edhe disa brenda partisë së saj- se është njeriu i duhur për atë punë. Ka qenë një fushatë e gjatë dhe e lodhshme. Merkel mund të ketë fituar zgjedhjet, por nuk ndjehej si një fitore. Zgjedhjet do futen në librat e historisë për dy arsye. Angela Merkel mund të ketë fituar një mandat të katërt, por është rezultati më i keq i saj. Dhe nacionalistët e djathtë tashmë janë pjesë e establishmentit gjerman. Ajo që është normë politike në shumë vende europiane, konsiderohej e paimagjinueshme në Gjermaninë e pas-luftës. Jo më!

Please follow and like us: