Albspirit

Media/News/Publishing

‘Vettingu’ i Universiteteve, Nikolla: Në dhjetor do të ketë një raportim transparent

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla zhvilloi sot një takim me homologun e saj të Kosovës, Shyqiri Bytyqi. Lindita Nikolla theksoi se integrimi dypalësh i politikave arsimore midis Shqipërisë dhe Kosovës ka rëndësi të veçantë. Ministrja deklaroi gjithashtu se brenda dhjetorit do të ketë një raportim transparent për publikun mbi vlerësimin dhe akreditimin institucional të universiteteve realizuar nga agjencia britanike në Shqipëri. “Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e arsimit parauniversitar dhe universitar do të vazhdojë të konsolidohet. Në kuadër të implementimit të kurrikulës së re do të jetë i vlefshëm bashkëpunimi në procesin e kualifikimit të mësuesve, si dhe bashkëveprimi për të gjitha nismat reformuese në këtë sektor. Për MASR reforma në arsimin e lartë është një tjetër proces i rëndësishëm, gjatë të cilit mund të krijojmë bashkëpunim dhe shkëmbim eksperience. Brenda dhjetorit do të ketë një raportim transparent për publikun mbi vlerësimin dhe akreditimin institucional të universiteteve realizuar nga agjencia britanike. Ne do të krijojmë kushtet për të rritur cilësinë në arsim, pasi kjo është sfida jonë e radhës. Jam e bindur se me punë dhe gatishmërinë e përbashkët do arrimë integrimin dypalësh të politikave arsimore”. Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi shprehu gatishmërinë për vijimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis dy vendeve. “Bashkëpunimi midis dy vendeve në fushën e arsimit është shumë i rëndësishëm dhe do të vijë duke u forcuar në vijim. Kosova dhe Shqipëria kanë bashkëpunuar në çështjen e kurrikulave dhe ajo çfarë mbetet prioritare midis dy dikastereve në vijim është rritja e cilësisë në fushën e arsimit” deklaroi ai.

Please follow and like us: