Albspirit

Media/News/Publishing

Mesazhi i së bijës Donika për babain e saj, hero kombëtar, Jusuf Gërvalla

Donika Gërvalla-Schwarz në një mesazh sot në rrjetin social facebook përkujton babin e vet, Jusuf Gërvalla, që është njëkohësisht edhe një hero kombëtar. Jusuf Gërvalla, poet shqiptar dhe atdhetar i shquar, lindi më 1 tetor 1945 në Dubovik, rrethi i Deçanit, nga një familje bujare. Vritet mizorisht më 17 janar 1982) në Untergruppenbach (Gjermani). Shembulli i tij mbeti i gjallë ndër intelektualë të kohës moderne, si shkrimtar dhe atdhetar i shquar për liri deri në vdekje. Jeta e Jusuf Gërvallës ka qenë e vështirë, vdekja e tij ka qenë tragjike. Për këtë është thënë e shkruar shumë dhe do të thuhet e do të shkruhet ende. Vepra e tij letrare nuk është tepër e njohur, me gjithë botimin shembëllor që ia bëri J. Gërvallës më 1992 Sabri Hamiti (Jusuf Gërvalla: Vepra letrare. “Ora”, Prishtinë, 1992). Opinioni e respekton dhe adhuron dëshmorin e kombit, simbolin e luftës për liri, shembullin e kurajës prej qytetari dhe intelektuali, ndërsa duket se e harron shkrimtarin e rëndësishëm që ishte dhe mbetet. Roli i tij prej simboli të qëndresës e hijesuaka faktin se ishte poet i dorës së parë. Në letërsi, ai nuk i takonte qarkut të “lapidaristëve” të poezisë fjalëpakë që e shoshiste të tashmen me shkrimin simbolplotë alegorik në petkun e arkaikes mbikohore e në frymën e visarit të traditave të lashta gojore. Zëri i tij poetik ishte zë më vete, mjaft origjinal, personal dhe individual. Poezia e tij na flet drejtpërsëdrejti, ngrohtë, zbutë, thellësisht njerëzor e me një sensibilitet të stërholluar. Në dy përmbledhjet e tij të para – “Fluturojnë e bien” (1975) dhe “Kanjushë e verdhë” (1978) – poezia e tij merrej kryesisht me vatrën e poetit tek janë mjaft kuptimplotë titujt e cikleve “Shtëpia në kornizë” dhe “Skena nga jeta e fshatit”. Poezia e tij e përmallshme e këndon dashurinë, e kujton dhimbshëm (dhe pa idilë ruraliste) vendlindjen dhe na e rrëfen porosinë e saj qendrore, kërkimin e poetit për “pak frymë njeriu e pak dritë qiriri”. Me kohë, duke u bërë gjithnjë e më shumë refleksiv poeti kaloi gjithnjë e më shumë te një qark më i gjerë tematik dhe te të folurit poetik me bukuri e begati të rrallë metaforike e figurative. Kështu, poezia e tij e përmallshme e vendlindjes gjithnjë e më shumë bëhet edhe universale. Në vëllimin e tretë poetik, “Shenjat e shenjta” (1979), kemi të bëjmë dhe me fjalë e elemente si “hije”, “pluhur”, “frikë”, “terr”, “ftohtë”, “varr”. Shkallëzohen vetmia dhe shqetësimet e poetit që flet shpesh edhe për fundin dhe vdekjen. Me një thellësi që nuk hetohet në lexim të cekët, na qet tabllo tejet të qëlluara të groteskës që e quajmë “jeta”. Thelbi kryekëput human i vargjeve, ligjërimi lirik dhe substancial i poetit të mallit, të dashurisë, të dhembjes, të vetmisë e të vdekjes e bëjnë Jusuf Gërvallën një zë të patjetërsueshëm të poezisë së re shqipe.

 Mesazhi i Donika Gërvalla-Schwarz

Jusuf Gërvalla!

1 tetor 1945 – 18 janar 1982.

36 vjet jetë, një epokë e tërë në ndërgjegjen shoqërore të shqiptarëve në trojet e tyre, jashtë Shqipërisë administrative.

Shëmbëlltyrë e dëshirës së pashterrur të shqiptarëve për liri dhe drejtësi.

Shëmbëlltyrë e luftëtarit të mirëfilltë të lirisë.

Krenaria e një gjenerate, e cila ishte e ndërgjegjshme që liria arrihet vetëm me trimëri, mençuri dhe dije.

Sa e brishtë jeta e luftëtarit të lirisë përballë një diktature të pamëshirshme.

Fotografia e Premton Gervalla

Please follow and like us: