Albspirit

Media/News/Publishing

Belind Këlliçi: Lotët e Gertës, tallja e Ramës dhe mjerimi i ulur këmbëkryq kudo në fshat e qytet

Në parlament foli një vajzë Mirditore. Më shumë se fjalët (jam i bindur se janë të paktë ata që mbajnë mend sot se çfarë tha) janë lotët e saj që prekën gjithkënd. Janë lot dhembje dhe trishtimi për realitetin që ndjen së pari ajo, e pas saj dhe të tjerët.

Gerta nuk ishte një e panjohur për një pjesë të mirë të qytetarëve. Gerta u bë e njohur në kronikat dhe reportazhet televizive si vajza Mirditore që ka studiuar për shkenca politike në universitetin prestigjoz të “La Sapienza-s” në Rome, e specializuar për marrëdhënie ndërkombëtare, e cila më pas u kthye, por dyert e bashkisë së qytetit të saj Mirditës, i gjeti të mbyllura për një punë dhe hapi një ferme me dhi.

Ndoshta lotët e Gertës në parlament, lidhen më së shumti me faktin që një vajzë si ajo, e mirë arsimuar dhe edukuar, nuk gjen dot hapësirë të ulet në ato karrike të pushtuara nga gjithfarë kriminelësh, mashtruesish, hajdutësh e analfabetesh.

Gerta u ankua për rrugën e fshatit dhe ka të drejtë sepse në katër vite nuk u shtrua asnjë metër rruge, as në qytet dhe as fshat. Mjafton të shikosh aksin Tiranë-Elbasan, që vështirë se do të mbyllet dhe në këtë mandat.

Nuk i paragjykoj aspak lotët e saj, në veçanti për mungesën absurde të ujit e rrugës, sepse ndarja e re territoriale hoqi gjithë vëmendjen nga fshati dhe e zhyti atë në mjerim.

Infrastruktura e arave të mbjella me kanabis dhe siguria e krimit ishin dhe mbeten prioritet për Edi Ramën.

Teksa Gerta fliste mu kujtua Dibra. Mjerimi që pamë në fshatrat e Dibrës më sjell trishtim sa herë e kujtoj. Katër vjet të harruar, të braktisur. Ndarja e re territoriale dhe mungesa e investimeve ua kishte vështirësuar jetën. Nuk kishin me as shërbimet më elementare dhe për ta fatkeqësisht rruga ishte kthyer në luks. “Jemi rikthyer në mesjetë” më pati thënë një grua e re Dibrane, e cila  vuante përditë gjendjen e krijuar. Por fatkeqësisht ajo dhe shumë të tjerë e harruan këtë mjerim ditën e votimit dhe preferuan 2.000 leke sot, për të shtyrë ditën në këmbim të votës, dhe harruan se pas asaj dite mjerimi aty do ishte si më parë e do të thellohej edhe më tej.

Kjo ndodhi dhe më 25 qershor e do të ndodhë gjithmonë derisa qytetaret ta kuptojnë rëndësinë e votës. Ato pak para apo një thes miell për votën janë zgjidhja e një dite, por mjerimi aty do të jetë nesër, pasnesër dhe çdo ditë. Sepse kur të blejnë votën nuk kanë më asnjë detyrim dhe vijojnë rrugën të bindur se do t’ju blejnë përsëri me paratë e grumbulluara nga krimi e korrupsioni.

Lotët e Gertës janë simbol i lotëve të shumë e shumë grave dhe burrave gjatë qeverisjes së Edi Ramës.

Lotët e Gertës janë të njëjtë me lotët e grave dhe femijëve të lagjes “Fushë Mbret” të Elbasanit, kur policia në mes të natës, si bandite, ushtroi terror mbi to, e natyrisht jo për krimin që sot ka marrë nën kontroll të plotë qytetin, por për 3.000 leke energji të papaguar.

Lotët e Gertës jane po lotët e atij kryefamiljarit në Lushnjë, që dy ditë pasi INUK i kishte prishur shtëpinë me leje, i tha se mund ta rindërtonte, pa mbajtur asnjë përgjegjësi se kishte nxjerrë në mes të katër rrugëve fëmijë, gra e burra, njerëz me dinjitet!

Lotët e Gertës janë dhe lotët e fëmijëve të Arif Dodës, i cili i mori jetën vetes se nuk paguante dot energjinë elektrike.

Po, lotët e Gertës janë lotët e qindra kryefamiljarëve të papunë që nuk sigurojnë dot bukën për fëmijët e tyre, librat e shkollës, ujin dhe dritat apo më keq, dergjen në kampet e refugjatëve bashkë me Sirianët nepër Europë.

Gerta, dhe unë si ti kam studiuar jashtë, në SHBA, dhe ashtu si ti edhe unë mendoj se qeverisja për qytetaret është krejt e ndryshme nga kjo që na udhëheq sot.

Prandaj të kërkoj të mos i fshish lotët e aq më pak të lejosh pushtetin të keqpërdorë lotët e tu, por të gjesh forcën t’i bashkohesh mijëra familjeve në këtë vend për të ndryshuar qeverisjen, ndalur blerjen e votës dhe kthimin e pushtetit në duart e qytetarëve.

Please follow and like us: