Jeta TOÇILA: Çorba e zilisë, e kazanit dhe tepsisë!

 

 

Për disa minuta dritat e skenës e ndriçuan, dhe për disa ditë rresht gurët e balta e ç’meritën. Kjo është historia e fjalimit të një gruaje. Shumë epitete iu ngjitën, plot skenarë u hodhën në treg, të denjë për filma me konspiracion e tradhëti. Jehona e rastit “Gerta Loku” është mbresëlënëse. Reagimet e audiencës ishin të larmishme, spektri emocional më impresionoi, ndërsa gjykimet e tyre më zhytën në mendime.
Çfarë i shqetësoi këta njerëz?! Përmbajtja e fjalimit, portreti i gruas, interpretimi, zëri, mënyra e të lexuarit, diploma në “La Sapienza”, ferma e kafshëve, lotët?
Ka patur plot raste kur në foltoren e kuvendit është folur për fshatin, ka patur dhe deputetë apo kandidatë për deputetë me ferma dhish e dhensh, madje edhe me diploma Harvardi. Por nuk u mor njeri me ta, duke i qesëndisur dhe hedhur dyshime mbi vërtetësinë. Ndoshta sepse atyre u kanë munguar lotët në fjalim. Sepse ishin lotët ato që e çuan Gerta Lokun drejt linçimit, apo jo? A thua lotët të jenë sot ekskluzivitet i aktorëve?!
Po nëse kjo grua nuk do të kishte marrë vëmendje nga media, a do të ishte linçuar ajo për ditë me rradhë nga opinioni??
E sigurt që jo…askush nuk do kishte patur rast të xhelozohej për suksesin e saj.
Shpesh herë i jam vërtitur fenomenit të zilisë e xhelozisë njerëzore, për ta trajtuar, po dhe aq shpesh jam stepur. Jo sepse nuk ka patur raste, por sepse kam rrëmuar argumenta për të shpërbërë zilinë apo xhelozinë me qëllimin e vetëm për të stopuar përhapjen e saj Njëlloj si guraleci që krijon rrathë në liqen kur e hedhim duke luajtur, ashtu përhapet zilia.
Është kaq e kollajtë ta dallosh atë, dhe aq më e lehtë të dallosh ziliqarët. Janë ata që merren më shumë me thashetheme dhe flasin më tepër për dikë. Ata mund të përhapin fjalë negative, të ndërtojnë historira të tmerrshme mbi jetën e dikujt. Ata dëshirojnë të jenë në vendin e tij/saj, por e dinë që nuk munden dhe prandaj kanë zili. Ziliqarët e idealizojnë personin tjetër, duke imagjinuar se cilësitë e tij apo të saj do t’u sillnin edhe atyre suksesin. Zilia është një gjendje përjetimi mungese të diçkaje, të cilën nëse do e kishe do admiroheshe nga bota. Frika e zhgënjimit nga vetja, i motivon ziliqarët të zhvlerësojnë këdo tjetër me histori suksesi. Ata janë gati të lëshojnë lumë kritikash ndaj dikujt që sapo ka kaluar një sukses, duke i gjetur një milion të meta për një minutë. Eh po.. janë të zotë ziliqarët, s’ke ç’u thua!
Por kemi edhe xhelozët në këtë turmë…janë ata që mendojnë se dikush tjetër po merr më tepër vëmendje apo adhurim. Ata që vërtet mund të kenë folur, kënduar apo shkruar shumë bukur, por që nuk kanë arritur të marrin aq shumë klikime edhe në rastin kur kanë paguar faqe të posaçme për rritje klikimesh fiktive. Këta bëhen xhelozë për shembull për suksesin që zonja mirditore, arriti brenda 5 minutave. “Je çeloz”? – do pyeste dikur një personazh i Portokallisë.
Në këtë moment turma e ziliqarëve do të kapej pas fjalës sukses që unë sapo përdora. Po po, sukses është të mbash një fjalim para një audience të gjerë, sukses është të të shpërndahet fjalimi përtej çdo pritshmërie. Sukses është të tërheqësh vëmendjen, sukses është t’ia dalësh mbanë edhe përtej kufijve të fermës, edhe përtej gardheve të vendit të vogël me emrin Shqipëri. Sukses është që në pak kohë të arrish të mbledhësh bashkë turma ziliqarësh.
A e dini se ka shumë prej tyre që do kishin dashur të prodhonin të njëjtin efekt që prodhoi zonja, madje edhe të kishin dalë fotografi me Peleshin? Ndoshta ka syresh që do donin ta kishin patur diplomën e zonjës dhe të mos e shpërdoronin në Mirditë, por ta kishin futur në dosjen prej ambasadori. Kush e di, ka të tjerë që edhe lotët ia kanë patur zili zonjës, me ankthin e madh se as lot nuk mund të nxjerrin dot në vendin tonë të çudirave, vogëlsirave, absurdit apo paradokseve. Në mungesë të lotëve, i fryjnë një zjarri të ndezur ndaj dikujt që ndoshta u përdor pa dijeninë e saj, si aktore episodike në një film të gatuar nëpër kazanë zyrash marrëdhëniesh me publikun apo mediatike. Pas këtij tymi, nuk është çudi që filmi të vazhdojë me serinë tjetër, ku zonjës nga Mirdita t’i ofrohet një pozicion i lartë në administratën shtetërore, gjë të cilën do ta marrë vesh vetëm nga media. Ajo ndoshta nuk e di se Pushtetit i pëlqen të luajë e të gatuajë çorbë me zili, në kazanë e tepsi. Sepse sërish soditësit do merren me Gertat!
02.10.2017