Albspirit

Media/News/Publishing

Çapajev Gjokutaj: Mashtrimi i deputetëve me vilat dhe dietat

Disa deputetë vjedhin dieta. Mashtrojnë, thonë se banojnë në zonat e tyre elektorale, por në fakt banojnë në Tiranë, në shtëpi të dyta e të treta, madje edhe në vila.

Flenë në shtëpitë e tyre, por shteti i kompeson sikur të flinin në hotel, të hanin në restorant e të udhëtonin qindra kilometra vajtje ardhje. Jemi apo s’jemi në epokën virtuale?

Me mashtrime të tilla, këta lloj deputetësh arrijnë të xhvasin deri në 1100 euro në muaj, thotë Instituti i Studimeve Politike.

Shifra më kujton një 52 vjeçar nga Lushnja. Nuk kishte paguar energjinë elektrike. Gjithë gjithë 32 mijë lekë të vjetra, dmth rreth 230 euro. E rrasën në burg dhe harruan t’i bënin gjyqin. Ra në depresion dhe pas një muaji vari veten në qeli fukaraja. Po ndrroheshin vitet. Gjyqtarë, deputetë, ministra merrnin avionët për të festuar jashtë. Me páre djerse ?

Po ku fukaraja e ku elitat. Dhe çfarë elite! I sjellin shërbime të çmuara popullit. A ka shërbim më të madh se ta kthesh sallën e parlamentit në skenë Portokallie? E qeshura të zgjat jetën. ?

Thonë se janë ligjvënës. Në fakt janë dorëvënës. Hasëll hasëll janë xhepistë. Jo për nga sasia e pareve që vjedhin me marifete dietash. Se 10-12 mijë euro në vit hajduti i xhepave s’i sheh as në ëndërr. Janë xhepistë se s’bëjnë dot pa vjedhur. E kanë xanxë.

Ndryshe pse do i votonim e vinim në krye?

Please follow and like us: