Albspirit

Media/News/Publishing

Jeta Toçila: Mjaft me inferioritet!

 

Nuk di të them kur është shfaqur, por le të themi, se që prej periudhës së diktaturës, mes shqiptarësh është instaluar një idhujtari e theksuar për shumicën e gjësë që vjen përtej kufijve.
Bunkerizimi i vendit, antenat e fshehura ballkoneve, tek-tuk ndonjë takim me “alienë francezë”, forcoi bindjen e brendshme të shqiptarëve se përtej telave me gjemba njerëzit ishin më të butë, më të bukur, më të mirë, më të ditur. Kjo bindje përforcoi atë kompleks që kishte hedhur rrënjë edhe më herët se Edith Durham të shkelte në tokën shqiptare. (Në fakt do duhej një studim i thelluar për të gjetur burimin, ndoshta një ditë kur të bëhet sërish shkencë në vendin tonë).
Kompleksi i inferioritetit vazhdon sot në 2017, të shfaqet ethshëm ndaj të huajve. Në një moment të caktuar, për shembull në ndonjë takim zyrtar, kur u shtrohet tapeti i kuq ose tavolina tradicionale, sjellja mund të interpretohet si mikëpritje ose bujari shqiptare. Më pëlqen ky interpretim, pasi i dua këto vlera të popullit tonë. Por në një moment tjetër kur këta zyrtarë të huaj bëjnë ndonjë deklaratë të tipit: “Shqipëria është vend me diell”- dhe kjo deklaratë komentohet si e jashtëzakonshme dhe zë vend të veçantë në edicione informative, atëherë unë këtu gjej inferioritetin.
Mjaft të bëni një provë e të deklaroni një mendim tuajin dhe ta citoni atë si të thënë nga një personalitet “I huaj”, atëherë do bindeni që deklarata jo vetëm që nuk do të vihet në dyshim por do t’i jepet vëmendje e veçantë. Ose mjafton të kujtoni deklaratat e ndonjë ambasadori të huaj, dhe tundjet frenetike të kokave konformiste inferiore të politikanëve shqiptarë, të cilëve befas u erdhi goja njëlloj si fëmijëve pas një periudhë bllokimi emocional. Sepse nëse flet një “ndërkombëtar”, diç di ai. Faktori apo aktori i huaj vishet me superpushtetin e informacionit, të ekspertit, të heroit, etj,. Mbivlerësimet, lavdishmerizimet, adhurimet e shqiptarëve ndaj të huajve, me status apo arritje minimale, shfaqen dukshëm pa ndrojtje.
Kjo sepse përgjatë historisë, shqiptarëve iu është goditur vetë-besimi, iu është dëmtuar vetëvlerësimi, iu është dhunuar, frenuar e dënuar mendimi kritik e iniciativa private. Kështu ka arritur të gjallojë deri sot mes nesh inferioriteti individual e kolektiv. Kjo edhe në sajë të politikës dhe medias në vendin tonë. Janë këta dy aktorë me inferioritetin e tyre të skalitur, sikur një skulptor në krijesën e tij, të cilët kanë ngritur në mit faktorin e huaj.
Aq i fuqishëm konstrukti i tij, saqë për shumë kohë shqiptarët, sidomos emigrantët e viteve 90, druheshin të tregonin kombësinë e të flisnin shqip rrugëve të Evropës. Por sot tek emigrantët shqiptarë ka një ndryshim në sjellje e qëndrime në vendet ku jetojnë prej vitesh. Sidomos shqiptarët me histori emigracioni të suksesshme, të integruarit ligjërisht e kulturalisht në një vend tjetër, e kanë sfumuar inferioritetin. Po të vini re, sidomos shqiptarët me dy shtetësi, e shfaqin pa teklif krenarinë për kombësinë, e ndërveprojnë në raporte të drejta me të huajt.
Ndërkohë që shqiptarët brenda kufijve, për të shpëtuar nga ankthi i vazhdueshëm i inferioritetit mund të përdorin mekanizma mbrojtës të ndryshëm. Një formë është aplikimi për llotarinë amerikane. Një formë tjetër është që thirrjen “Oh sa mirë me qenë shqiptar!” të mos e përdorin vetëm stadiumeve, por edhe kur dëgjojnë sukseset e shqiptarëve në vend apo në botë. Një formë tjetër është ajo që tha ambasadori amerikan: të ngrihen të rinjtë… ? Kjo fjalia e fundit ishte një ngacmim për vëmendjen e lexuesit.

Please follow and like us: