Vendet e Vishegradit, pro hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, mori pjesë në Konferencën vjetore të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Vishegradit (Hungari, Poloni, Çeki, Sllovaki) dhe atyre të Ballkanit Perëndimor. Ky takim u zhvillua në Budapest në kuadrin e Presidencës hungareze të Grupit të Vishegradit. Në takim morën pjesë edhe Ministrat e Punëve të Jashtme të Rumanisë, Bullgarisë si dhe përfaqësues të Estonisë, Kroacisë, Sllovenisë.

Diskutimet u përqendruan në identifikimin e hapave për përshpejtimin e procesit të zgjerimit të BE-së në rajon, jo vetëm si një ushtrim teknik, por edhe si një instrument në përballjen me sfidat e sigurisë në Evropë.

Në mënyrë specifike për vendin tonë, vendet e grupit të Vishegradit shprehën mbështetjen për caktimin sa më shpejt të një date për fillimin zyrtar të negociatave për aderimin në BE. Ata vlerësuan progresin e Shqipërisë, sidomos për reformën e sistemit të drejtësisë dhe kërkuan që ky progres të reflektohet qartë në vendim-marrjen e BE-së.

Ministri Bushati, në fjalën e tij, vlerësoi si tepër të rëndësishëm rolin e vendeve të Vishegradit dhe mbështetjen e tyre në mënyrë që angazhimi i shprehur së fundmi nga BE ndaj procesit të zgjerimit të përkthehet në hapa konkretë.