Albspirit

Media/News/Publishing

Ludvig Fon Taloci: Kërkime iliro-shqiptare

LUDVIG FON TALOCI (1854-1916)

Taloci për nga origjina ishte hungarez i lindur në Ofen (Hungari) më 8 dhjetor 1854. Ishte themeluesi i kërkimeve dhe hulumtimeve hungareze mbi Balkanin. Studimet i kreu në Universitetin e Budapestit.

Më vonë punoi në Arkivin Shtetëror të Hungarisë. Viti 1877 e gjen si docent në Universitetin e Budapestit. Punoi edhe si drejtor i Arkivit të Financave të Vjenës.

Taloci ka qenë president i Shoqatës së Historianëve Hungarezë dhe gjithashtu bashkëthemelues i Akademisë së Shkencave Hungareze.

Fatkeqësisht gjatë kthimit nga varrimi i perandorit të Austro-Hungarisë, Franc Jozefit I, gjen vdekjen në një aksident me tren më 1 dhjetor 1916, në Herceghalom(1).

Veprat ku duket dhe kontributi i Talocit si historian mbi studimet per Shqiperinë janë përkatësisht, përmbledhja dokumentare “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia„ dhe “Illyrisch-Albanischen Forschungen„ (Kërkime iliro-shqiptare).

Të dyja këto vepra, kaq te rëndësishme për albanologjinë, si një burim i rëndësishem informacioni, kanë si bashkautor të tyre përveç Talocit edhe Jireçekun, Shuflajin dhe albanologë dhe historianë të tjerë.

Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia

Përmbledhja dokumentare e shkruar në latinisht (Vjenë, 1913-1918) ka një rëndësi të madhe, pasi ajo përfshin dokumenta nga arkivat e Venedikut, Raguzës, Romës etj, shumë prej të cilave deri në atë kohë ishin të pabotuara.(2) “ Acta… „ është e ndarë në dy vëllime, ku vëllimi i parë përmban 834 dokumenta të viteve 344-1344, kurse vëllimi i dytë përmban 812 dokumenta të viteve 1344-1406.(3)
Si vëllimi i parë ashtu edhe i dyti përmbajne dokumente interesante, mbi emra të ndryshëm vendesh, emra personash dhe regjistra terminologjikë.

Dokumentat na japin edhe të dhëna mbi marrëdhëniet ekonomike, shoqërore të shqiptarëve, kulturën e popullit tonë, të dhëna mbi qytetet shqiptare. Gjithashtu dokumentat na furnizojnë me informacione mbi marrëdhëniet dhe lidhjet e familjeve te mëdha shqiptare me njëra-tjetren, por edhe marrëdhëniet me popujt fqinjë.

Illyrisch-albanischen Forschungen

Botuar në Mynih-Lajpcig (1916) është vepra e dytë, ku Taloci ka dhënë kontributin e tij. Edhe kjo vepër përbëhet nga dy vëllime dhe për nga rëndësia e saj mund të konsiderohet primare dhe shumëanëshe. Dhe ky punim është produkt i punës së disa historianëve të shquar dhe ballkanologë me famë, si Jireçek, Shuflai, Taloci etj,.

Vëllimi i parë është i ndarë në dy pjesë: një pjesë i korrespondojnë shkrime me tematikë historike, pjesës tjetër shkrime me tematikë nga etnografia. Pjesës së parë i është bashkangjitur edhe një hartë në të cilën paraqitet Shqipëria me kufijtë e saj mesjetare, gjithnjë sipas konceptit të albanologëve bashkëautor të veprës në fjalë.

Artikujt kryesorë në vëllimin e parë dhe kryesisht të pjeses që përfshin tematika nga fusha e historisë, kanë si autorë të tyre Talocin, Shuflain dhe Jireçekun.

Por ka edhe shkrime që cekin edhe etnografine dhe kryesisht të drejtën zakonore shqiptare.
Vëllimi i dytë i këtij libri përmbledh shkrime të Talocit, Béla Péch, Karl Thopia-s, Ernst C. Sedlmayr-it, të cilët analizojnë me artikujt e tyre zhvillimin ekonomik të trevave shqiptare, ngjarjet historike të ndodhura gjatë kohës së re në territorin shqiptar.

Duhet thënë se këto shkrime janë përzgjedhje të artikujve, referateve të marra apo të përkthyera nga gazeta të ndryshme të kohës, në serbisht dhe hungarisht, por edhe nga referate të mbajtura në koferenca të ndryshme historiko-shkencore. (4)
Taloci në Kërkimet iliro-shqiptare, shkruan mbi diasporën shqiptare, mbi historinë e ngulimeve në Gadishullin Ballkanik, mbi historinë e së drejtës zakonore shqiptare.

Shkrimi “Diaspora Shqiptare” (Die albanische Diaspora), përbëhet në vetvete nga tre kapituj dhe përkatësisht:
1. Shqiptarët në Syrmien (Albaner in Syrmien)
2. Borgo Erico në Zarë (Borgo Erizzo bei Zara)
3. Italo-shqiptarët (Italo-Albaner)

Në kapitullin e parë, “Shqiptarët në Syrmien”, Taloci flet mbi legjendën e prejardhjes së fisit hungarez të Klementinëve të Petervaradit, në Syrmien të Hungarisë, të cilët sipas autorit janë etnikisht shqiptarë dhe rrjedhin nga fisi shqiptar i Kelmendit, që sipas Talocit u ngulitën në zonën hungareze pas humbjes që Perandoria Austro-Hungareze pësoi me osmanet gjatë luftrave austro-turke të viteve 1737-1739, ku kelmendasit si të krishterë, ishin pjesë përbërëse e ushtrisë perandorake austro-hungareze së bashku me fise të tjera të krishtera ballkanike kundra osmanëve.

Pas rifutjes në zotërim të Perandorisë Osmanëve të tokave të tyre, një pjesë e kelmendasve katolikë, nën presionin e frikës ndaj shpagimeve të ashpra të osmanëve ndaj tyre, marrin rrugën e emigrimit, dhe një pjesë e tyre vendoset si dhe shumë fise të tjera sllave në zonat e Hungarisë, në Syrmien.(5) Taloci jep në përshkrimin e tij edhe të dhëna për organizimin fisnor dhe ushtarak të këtij fisi, mosmarrëveshjet dhe konfliktet e tyre me administratën perandorake në zonën e re të ngulimit në Hrtkovci, Nikinci, Jarak. Në fund ai paraqet edhe një tabelë të banorëve të këtyre fshatrave, prej së cilës të tërheq vëmendjen kroatizimi i madh i gjuhës së këtij fisi.(6)
Ne kapitullin e dytë “Borgo Erico në Zarë„ Taloci përshkruan krijimin e komunës së Ericos në Zarë të Dalmacisë. Sipas Talocit gjatë Shek. XVIII për shkak të konflikteve me osmanët, shqiptarë të krishterë emigruan për në Dalmaci dhe u ngulitën në fshatrat e Zemenicos. Shqiptarë atje patën përzierje edhe me elemente kroate, por megjithatë në Borgo Erico karakteri shqiptar i kësaj popullsie u ruajt, veçanërisht në gjuhë.(7) Taloci paraqet edhe detaje etnografike dhe regjistra të familjeve të këtyre fshatrave, të cilat i përkasin viteve 1726, 1733 dhe 1756.
Kapitulli i tretë “Italo-Shqiptarët„ na jep arsyet e emigrimit të shqiptarëve në drejtim të Italisë në Shek. XV-XVI. Sipas tij këto shkaqe gjenden në luftrat e vazhdueshme dhe në ndërrimet e sundimit të huaj në territoret shqiptare, territore të cilat tanimë ranë nën sundimin otoman. Po sipas Talocit shqiptarët kanë kryer disa vale emigrimi, të cilat ai i paraqet në shkrimin e tij, dhe këto valë emigrimi të shqiptarëve në Itali janë si më poshtë vijon:

– Për në Ankona dhe Kalabri, në Shek. XV.
– Në provincën e Katanzaros, në vitin 1443.
– Në Monte San Angelo dhe S.Giovanni Rotondo, në vitet 1467-1471 dhe në Kalabri në vitet 1476-1478.
– Emigrimi i disa shkodranëve gjatë viteve 1477-1478 në Rionero dhe Barille, më pas themelojnë dhe vendbanime të reja si, Ginestra dhe Maschite.
– Emigrimi i toskëve në kapercyell të Shek. XV.
– Emigrimi disa shqiptarëve për shkak të pushtimit osman të Vllahise në fund të shek. XV.
– Emigrimi i disa barinjve shqiptarë nga Morea e Jugut (Peloponez) në vitin 1534.
– Emigrimi i maniotëve (Morea e Jugut), në Barille, në vitin 1675.
– Emigrimi i shqiptarëve nga zonat e Himarës në vitin 1774.(8)

Taloci përmend se ndër shqiptarët që emigruan në Shek. XV-XVI mbizotëron dialekti i toskërishtes, në gjuhën e tyre, por edhe në raportin e përqindjes së prejardhjes së popullsisë sundon karakteri tosk, megjithëse shqiptarët u përzien me popullsinë e vendeve përkatëse, ku këta emigrantë u vendosën. Autori përshkruan edhe zonat e vendosjes së shqiptarëve dhe marrëdhëniet e tyre me italianët.
Po në këtë kapitull të tretë, Taloci paraqet tabela ku janë regjistruar italo-shqiptarë në vitet 1881 dhe 1894. Po ashtu bën edhe një listë të emrave të vendbanimeve dhe paraqet të dhëna mbi raportet fetare të popullsise.
Shkrimi “Shkrime mbi historinë e zonave të ngulimit në Gadishullin Ballkanik„ (Beiträge zur Siedlungsgeschichte der Balkanshalbinsel) përbëhet prej dy artikujsh:

1. Teoria mbi çështjen vllahe ose rumune (Die Theorie der wlachischen oder rumänischen Frage)
2. Historia e motshme e ilirëve në zonat e Bosnjës (Die Urgeschichte des Illyrertums auf dem Gebiete Bosniens)

Ne shkrimin e parë Taloci jep qëndrimin e tij duke u bazuar mbi dëshmi filologjike, sipas të cilave barinjtë rumunë apo vllahë kanë qenë në kontakte të gjata me elemente ilire apo trake. Si rrjedhim, Taloci pohon se Trako-Ilirët kanë formuar një shtresë të rumunëve dhe gjatë kontakteve që kanë patur me to, ka ndodhur dhe një përzierje gjaku, por sipas Talocit nuk është përcaktuar ende shkalla e kësaj përzierje, kjo për shkak të mungesës së studimeve hulumtuese deri në atë kohë.(9)
Në shkrimin e dytë, ai jep një paraqitje të shtegtimit dhe zonave të ngulimit të helenëve në bregdetin lindor të Detit Adriatik dhe përkatësisht nga vendi i origjines së tyre helenët shtegtojnë në drejtim të veriperëndimit të Gadishullit Ballkanik dhe themelojnë kolonitë e tyre, si qytetet, Epidamnos (Dyrrhachion, Durrazo, Durrës sot në vitin 627 p.K.); Apollonia (Avlona, Pojan të Fierit sot, në vitin 588 p.K.); ishulli Pharos (Lesina, Hvare); Issa (Lissa, Isa, Vishi sot).
Taloci tregon se këto ngulime ishin qëndra të forta dhe banorët vendas në interland dëshironin t’i pushtonin këto koloni, “bashkinat greke qi u sheshuen përgjate bregut qenë qendra aq të forta sa fiset e popullit qi prej brenda vendit dojshin me u sule ka deti nuk mujtn me çue në vend dishirin e tyne. Barbarët e alpevet Dinare mujshin me greqizue lehtësisht, por helenët nuk u bajshin kurrë barbarë.(10)
Gjithashtu Taloci përmend po në këtë shkrim shtegtimet dhe ngulimet e fiseve trako-ilire, fise që sipas autorit jetonin në zemër të Ballkanit, ilirët në krahinat perëndimore të Gadishullit dhe trakët në krahinat lindore, kurse në jug të Gadishullit jetonin fiset maqedono-epirote që sipas Talocit qenë të afërm apo “kushërinj„ me të parët.(11)
Sipas Talocit të treja këto fise që autori i konsideron të afërm me njëri-tjetrin e kanë prejardhjen e tyre në familjen e popujve indo-evropianë. Dhe po sipas tij, ato u dynden në Gadishullin Ballkanik përpara helenëve. Emigrimi i tyre filloi nga veriu, më parë erdhën ilirët dhe më vonë zbritën prej Karpateve trakët. Taloci është mbështetës i tezës Trako-Ilire dhe sipas tij këtë e dëshmojnë edhe paralelizmat gjuhesore.(12)
Ai përmend se trakët, të cilët ndër emigrimet e tyre të mëdha u shpërndanë, me kohë u shuan si nga gjuha ashtu edhe nga kombësia. Tepricat e tyre qenë themeli i popullit rumun. Kurse fiset ilire që jetonin në perëndim të Gadishullit Ballkanik mundën t’i qëndronin shuarjes duke qëndruar ndër krahinat e vështira malore, e ruajtën gjuhën dhe gjakun e tyre, por me kohë edhe këto u latinizuan dhe u sllavizuan. Vetëm një pjesë e tyre mundi të mbijetonte midis fuqisë së gjuhës së atyre popujve me të cilët për njëmije vjet ishte në marrëdhënie dhe kjo pjesë është ajo që sot përbën kombin shqiptar. Shqiptarët e sotëm nuk janë veçse një pjesë e vogël e Ilirëve të vjetër, por ilirë të përzier me elemente trake.(13)
Taloci flet edhe mbi organizimin e fiseve ilire, përmend emrat dhe zonën e vendodhjes së tyre si p.sh. Liburnët, Japudët, shtriheshin nga kufiri verior i Adriatikut, prej Istrës deri tek lumi Kërka. Fiset ilire të Nestëve e Manirëve shtriheshin në krahinat mes lumenjve Kërka dhe Neretna. Ne jug të lumit Neretna shtrihej fisi i Ardianëve, në jug të tyre Desaretët. Rreth Liqenit të Shkodrës jetonin Labeatët, rreth Liqenit të Ohrit jetonin Enkelejtët, në prapatokën e Dyrrahut jetonin Taulantët; Albanët rreth zonës së Krujës sot. Dardanët shtriheshin në Ballkanin Qëndror. Në brigjet e Adriatikut jetonin Dalmatët, kurse Penestët në luginën e Drinit të Zi dhe Molosët, Kaonët e Thesprotët shtriheshin në Epir. Por fiset lire shtegtuan edhe përtej Gadishullit të Ballkanit, si në Itali, Venetët në luginën e lumit Po, Japigët në Italinë Jugore, disa fise të tjera në Umbri dhe në Latium, Picemum. Por ilirët shtegtuan edhe në fushat e Hungarisë, në Kroaci, Slloveni, Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, Dalmaci, Mal te Zi.
Fiset ilire emërtoheshin ose sipas të parit të fisit, ose duke marrë emrin prej natyrës, p.sh. bregu i detit ilir Dalmaci = vend kodrinash ose sipas etimologjisë semite = vend bri bregut. Dardanët = bujq, ata që merreshin me të mbjellurit e dardhëve, Labeatët = me lyp, të vobektit, Mendtarët = te mendshëm, Taulantët = dallëndyshe.
Studiuesit mendojnë se shumë fise ilire apo më vonë shqiptare e kishin origjinën e tyre në një paraardhës të përbashkët. Gjithashtu ato qenë shumë të lidhur mes tyre, dhe ndanin karakteristika te përbashkëta, siç ishin ekzogamia, patrilinealiteti, patrilokaliteti, monogamia, adhurimi i paraardhësve të fisit, që lidhet me kultin e të parëve, kult ky tepër i respektuar ndër fiset shqiptare dhe sot e kësaj dite.(14)
Në kohë rreziku të gjitha familjet bashkoheshin për të përballuar armikun dhe në krye të fisit dilte më i zoti. Disa fise ilire sundoheshin nga një i parë, disa të tjerë kishin në krye një pleqësi. Fiset ilire njihnin autoritetin e mbretit dhe i bindeshin urdhërave të tij, por ndodhte që lidhja midis fuqisë së mbretit dhe krerëve të fisit nuk ishte e plotë. Krerët e fiseve ishin pak a shumë vasalë të pavarur, të cilët mbreti kur kishte nevojë i thërriste për këshillim. Në rastin kur krerët e fisit bashkoheshin me armikun ndodhte që mbretëria binte dhe si rrjedhim kishim një pushtet paralel, dy sundime.
Ilirët tregonin një kujdes të madh për të ruajtur zakonet e vjetra të tyre. Gojëdhana ishte e një rëndesie të veçante për ta. Çdo gjë e dëgjuar prej gojës së të parëve ishte për ta e shenjtë, kjo vlente sidomos për fiset e veriut.
Taloci i përmend fiset ilire si fise luftarake, armët e tyre ishin heshta-hedhëse e shkurter, shpata, heshta, njihnin taganin, përdornin topuzin.
“Luftëtarit ilir i pëlqente lufta në male, mësymja prej pritës e me shpatë shngjeshur sikurse edhe shqiptari i sotëm kur hedh valle shkreh pushkën ose vringëllon hanxharin.(15)
Po të shihnin ndonjë rrezik o hetonin afrimin e armikut, me një shpejtësi jepej kushtrimi prej një maje mali në tjetrën, natën e kishin zakon të ndiznin zjarre roje. Të plagosurit nuk i lejshin me mbet kurrë ndër duer të armikut. Shtëpia ishte ndër ta sikurse edhe sot ndër shqiptarët e sotëm, e Zotit dhe e miqve. Puna më e nevojshme ishte mikut me i shtrue para pije dhe ushqim, mish dhensh, djathë, bukë e qepë”.(16)
“Besimi i tyne ishte një përzierje e çuditshme e të trupnuemit të sendeve të natyrës me gojëdhanat e vendit. Ata kishin tempuj të rrumbullakët të ndertuem maje kodrash e aty adhurojshin idhujt që ishin guri, druri, sermi të veshuna me petka të gjata, ndër të dyja duert mbanin nji shpatë, madje ilirët dhe trakët u kanë dhënë lëndën grekërve për të krijuar mitologjinë e tyne.”(17)
Taloci përshkruan po këtu dyndjen apo sulmin e fiseve kelte në fillim të shek. IV p.K. prej Renit, sulmit të të cilëve nuk mundën t’i rezistojnë fiset e paorganizuara ilire. Në luftën me keltët u shquan ardianët dhe autariatët, fise të cilat në këtë luftë dolën të mundur dhe rrudhën kufijtë e tyre. Këto luftime përfunduan kur në Ballkan u shfaq Aleksandri i Madh i Maqedonisë, “zaptuesi i botes”, i cili në të gjallë të tij arriti të bashkojë tërë Gadishullin e Ballkanit. Ai para se të ndërmerrte fushatat në Azi nënshtroi Ilirët e Trakeë, shumë prej të cilëve u inkuadruan në ushtrinë e tij.(18)
Taloci përmend me rradhë më pas edhe mbretëritë ilire si ajo e enkelejdëve, taulantëve, ardianëve, përmend edhe mundjet e ilirëve në luftë me romakët e pushtimin e tokave ilire prej Romës. “Në vjet 167 p.Kr. morri fund mbretnija ilire. Mbretnija e Gentit qe e ndame prej Romës ndër tri pjesë: Labeata (qendër Shkodër), krahina rreth Grykës së Kotorrit (me qendër Rrizonin) e një pjesë e vogël më vehte nën një kryetar ilir, i cili siç duket ishte i afërm i Gentit dhe mbante titullin e një mbreti; këtë gjë na e bëjnë me besue të hollat e mbretit Ballaeos që sundonte në vjet 107 p.Kr.„(19)
“Kanuni i Lekës„ përbën edhe kontributin e Talocit mbi të drejtën zakonore shqiptare. Ky artikull përbëhet nga dy pjesë, titulluar përkatësisht: “E drejta penale” dhe pjesa e dytë “E drejta private/civile”.
Të dyja këto pjesë janë të nënndara në nënkapituj.
Kapitulli i parë i së drejtës penale përmban paragrafët, “Goditja”, “Gjymtimi” dhe “Vrasja”. Kurse kapitulli i dyte përmban, “Çnderimi i gruas”, “Vjedhja me armë”, “Shkelja e së drejtës së mbrojtjes” dhe “Mbi benë”. Kapitulli i parë i së drejtës private titullohet, “Kontratat” dhe përmban paragrafët, “Dhurimi”, “Premtimi “dhe “Kontrata e depozitimit”.
Kapitulli i dytë i titulluar “Mbi sendet dhe të drejtën trashëguese dhe të familjes” përbëhet nga paragrafët “Mbi realizimin e fejesës”, “Mbi zotimin” dhe “Zgjidhja”. Shtojca ka edhe një ligj provizor për rastin e hakmarrjes.(20)
Në këtë shkrim, Taloci jep zonën dhe origjinën e Kanunit. Sipas tij, “Shtrirja gjeografike e maleve shqiptare, e cila siguron gjithashtu, vështirësi për të depërtuar në Alpet shqiptare, u ka siguruar fiseve veriore shqiptare në periudha të caktuara historike, njëfarë autonomie. Bazat e kësaj autonomie i formon e drejta zakonore, e cila trashëgohet prej kohërash nga i ati tek i biri. Në bazë të kësaj të drejte rregullohet jeta në malsinë shqiptare.(21)
Mendohet se emërtimi i Kanunit të Lek Dukagjinit rrjedh nga “Codex Alexandri”, ku me Aleksandër, nënkuptohen ose Aleksandri i Madh i Maqedonisë, ose njëfarë Aleksandri i fisit të Dukagjinëve. Ky i fundit ka qenë gjithashtu, dhe bashkëkohes i Gjergj Kastriotit, me të cilin krijoi dhe një lidhje kundra osmanëve. Aleksandri i Dukagjinit kishte ne zotërim të tijin, zonën e Mirditës. Mendimi i pergjithshem ne trevat shqiptare e lidh kodin ligjor te sipërpërmendur me emrin e këtij të fundit, nga i cili doli dhe emërtimi Kanuni i Lekës.(22)
Por disa studiues shqiptarë, vazhdon Taloci, mendojnë se kanuni mund ta ketë origjinën e vet që në kohën e Aleksandrit të Madh, mëma e të cilit vinte nga trevat ilire. Gjithashtu këta studiues, nuk besojnë se Kanuni nuk ka ruajtur deri në ditët tona formën origjinale të tijën, por ka pësuar modifikime. Pohimet e tyre mbi origjinën e Kanunit që në kohën e Aleksandrit këta studiues i bazojnë në këto arsyetime:

– Kjo e drejtë zakonore nuk ka veprim vetëm mbi trevat malore shqiptare, por dhe në qytete, sidomos e drejta penale, e cila zëvendëson atë shtetërore të osmanëve.
– Kjo e drejtë gjithashtu, në disa raste përdoret dhe nga vetë turqit. Po ashtu, këta të fundit nuk do të lejonin përdorimin e një të drejte të një princi të krishterë, si rrjedhim, nuk do të toleronin hartimin e ligjeve kanunore me baza të krishtera të vepronte në territorin osman.
– Kjo e drejtë përmban dhe elemente pagane, të cilat nuk mund të futeshin në të nga një princ katolik si Lek Dukagjini, por janë rrjedhojë e kohërave pagane ndër trojet shqiptare.

E vërtetë që ky kanun ka një përdorim tepër aktiv në zonën e Mirditës, e cila ishte nën sundimin e Lek Dukagjinin, dhe që njihet si një zonë me qeverisje të pavarur, por kjo e drejtë që në kohën e romakeve ishte lejuar të përdorej nga popullsia vendase e pushtuar prej tyre, në tre kuvende ilire.”(23)
Gjithësesi sipas Talocit, Kanuni duhet të ketë origjinën në një të drejtë zakonore të motshme të popujve blegtorë të Ballkanit, i cili vazhdoi të ekzistojë si në kohën e pushtimit sllav, atij bizantin apo më vone atij osman.(24)
Kontribut tjetër mbi të drejten zakonore shfaqet dhe në shkrimin “Projektligje turke” (Türkischer Gesetzesentëurf), që i kushtohet kodifikimit të së drejtës zakonore shqiptare. Shtojca përmban edhe njoftime mbi të drejtën zakonore të malsisë së Shqipërisë së Veriut, të ashtuquajturën “Dschibalkomission„ (Komisioni xhibal/komisioni i maleve).(25) Në këtë Komision të Maleve bënin pjesë fiset malsore të,

– Hotit (2 bajraqe)
– Grudës (2 bajraqe)
– Kelmendit (4 bajraqe – Selcë, Nikshi, Vukli dhe Boga)
– Kastratit (1 bajrak)
– Shkrelit (1 bajrak)
– Rancas (4 bajraqe – a)Buza Ujit, b)Kopliku, c)Grisha, d)Riolli me Grue-mir, Linai, e)Leporosh dhe Rapist
– Postribës (3 bajraqe – a)Drishti dhe Vilza, b)Bokshi me Dragoc, Vorf dhe Rashi, c)Shjaketa, Suma, Domni, Myselim, Mesi, Ura-Shtreint
– Shllakut (1 bajrak)
– Temalit (1 bajrak)
– Shalës
– Shoshit
– Pultit
– Recit (1 bajrak)
– Lohes (1 bajrak)

Po ashtu bënin pjesë dhe si bylykbashi,

– Anamali
– Kraina
– Brugu i Bunës
– Bregu i Drinit
– Göl-kenari
– Dag-kenari

Fiset Hoti, Gruda, Kelmendi, Kastrati dhe Shkreli në gjuhën shqipe thirren zakonisht si “pesë malet e mëdha” dhe si rrjedhojë shquhen më shumë se fiset apo malsitë e tjera shqiptare. Ndërsa autoritetet osmane i thërrasin të gjitha si “Xhibale” që arabisht nënkupton fjalën male, dhe u njeh këtyre fiseve malore të drejtën e lashtë të tyre (adet).(26)

Sipas Kurt Gostentschnigg historiografia shqiptare e kritikon veprën “Acta …„ në faktin se ajo nuk ka përfshirë dokumenta mbi zonën jugore të linjes Vlore-Ohër dhe se disa fakte mbi çështjet ekonomike dhe sociale janë përfshirë sëbashku ose janë shkurtuar, por në përgjithesi, pohon Gostentschnigg, kjo historiografi e çmon veprën “Acta …„ si përmbledhjen më të besueshme, të paktën deri më sot, të dokumenave apo burimeve historike mbi Shqiperinë mesjetare.(27) Kurse Robert Schwanke e konsideron veprën “Kërkime iliro-shqiptare„ si punën e parë shkencore kolektive mbi historinë shqiptare. Vetë një ndër hartuesit e vepreës, Milan Shuflai e vlerëson bashkëkolegun e tij për metodën kritike, njohuritë bazë dhe objektivitetin e tij gjatë veprimtarisë së tij shkencore.(28)
Historiografia shqiptare e vlerëson këtë vepër si një kontribut shkencor, i vlefshëm për njohjen e Shqipërisë dhe thekson përveç qëllimeve politike, rolin e Austro-Hungarisë si një faktor thelbësor edhe në fushën e albanologjisë.
Nje kritikë ndaj Talocit mendoj se mund t’i behet në tezën e tij trako-shqiptare, mbi afrimet midis ilirëve dhe trakëve, kryesisht në elemente gjuhësore. Sipas tij gjuha e ilirëve dhe trakasve ishte e përafërt. Këtë tezë e kanë mbështetur dhe studiues të tjerë si gjermanët, J. Ritter von Xylander, Karl Paul, Gustav Weigand, Tomaschek.(29) Ky i fundit madje, në studimin e tij, “Trakët e Vjetër“, botuar në Vjenë, e përkthyer në shqip nga Hil Mosi, ka nxjerrë disa fjalë trake, me të cilat ka konstatuar afrime me fjalet ilire, si p.sh. (trak.)aizi = dhi(ilir.); (trak.) pori = buri (ilir.) = vrasës/luftëtar (shqip.); (trak.) melg = me miel/me mjel (ilir., shqip); (trak.) tem = tym (ilir. shqip); (trak.) ketri = katër (shqip.) etj,.(30)
Në përgjithësi, studimet e kryera si nga të huajt ashtu edhe nga studiuesit shqiptarë kanë treguar se shqipja është trashigimtarja e ilirishtes së vjetër, se shqiptarët janë pasardhësit e ilirëve dhe jo të trakasve dhe nuk kanë ndonjë element trak ndër vena. Hahni p.sh. e pa shqipen si bijën e ilirishtes. Gjithashtu edhe Gustav Mayer është përkrahës i tezës së prejardhjes direkte të shqipes nga ilirishtja. Sipas tij, shqipja është forma më madhore e ilirishtes së vjetër, veçanërisht e formës më të re të ilirishtes. Tezën e prejardhjes së shqipes nga ilirishtja direkt e mbështesin edhe studiues të tjerë si Thumb, Karstien, Diefenbach.(31) Kjo është edhe teza bazë e historiografisë shqiptare që konkludon mbi bazën e studimeve dhe hulumtimeve të kryera se shqipja ështe pasardhësja direkte e ilirishtes dhe nuk ka afrime me trakishten.
Megjithatë, Taloci ka një vlerë të konsiderueshme si studiues, dhe shkrimet e tij janë interesante për të dhënat që paraqesin. Sipas Milan Shuflai-t “vdekja e Talocit ishte një humbje e madhe për Balkanistikën, vdekje së cilës mund t’ia kalonte vetëm ajo e Jireçekut„.

( 1)Barnath/Nehring (1981). 294-296.
( 2)Gostentschnigg (1996). 183.
( 3)Po aty., 183.
( 4)Po aty.
( 5)Thallóczy (1916). 316.
( 6)Gostentschnigg (1990). 239.
( 7)Gostentschnigg (1996). 184
( 8)Thallóczy (1916). 334-337.
( 9)Gostentschnigg (1996). 185.
(10)Thallóczy (1919). 22.
(11)Po aty.
(12)Po aty.
(13)Po aty., 23
(14)Shiko Baxhaku/Kaser (1992).
(15)Po aty., 51.
(16)Po aty., 52.
(17)Po aty., 53.
(18)Po aty., 73.
(19)Po aty., 76.
(20)Gostentschnigg (1996). 185.
(21)Thallóczy (1916). 409.
(22)Po aty., 410.
(23)Po aty., 410-411.
(24)Po aty., 411.
(25)Gostentschnigg (1996). 185.
(26)Thallóczy (1916). 482.
(27)Gostentschnigg (1996). 185.
(28)Po aty., 186.
(29)Dhrimo (1989). 164.
(30)Thallóczy (1916). 7.
(31)Dhrimo (1989). 163-164.

Bibliografia

1.Barnath, Mathias/Nehring, Karl. 1981. Biographisches Lexikon zur Geschichte Südosteuropas München.

2.Baxhaku, Fatos/Kaser, Karl. (1996). Die Stammesgesellschaften Nordalbaniens. Berichte und 3.Forschungen österreichischer Konsuln und Gelehrter (1861-1917). Wien, Köln, Weimar.

4.Dhrimo, Ali. 1989. Der Beitrag deutscher Forscher auf dem Gebiet des Albanischen. Tek, Albanien in Vergangenheit und Gegenwart. Internationales Symposion der Südosteuropa-Gesellschaft in Zusammenarbeit mit der Albanischen Akademie der Wissenschaften. Bonn.

5.Gostentschnigg, Kurt. 1990. Der Anteil der österreichisch-ungarischen Historiker an der Erforschung Albaniens. Graz.

6.Gostentschnigg, Kurt. 1996. Zëischen Wissenschaft und Politik (1867-1918). Graz.

7.Thallóczy, Ludwig von. 1916. Illyrisch-Albanische Forschungen. München-Leipzig.

8.Thallóczy, Ludwig von. 1916. Beitrage zur Siedlungsgeschichte der Balkanhalbinsel. Tek, Illyrisch-Albanische Forschungen. München-Leipzig.

9.Thallóczy, Ludwig von. 1916. Kanuni i Lekës. Ein Beitrag zum albanischen Gewohnheitsrecht. Tek, Illyrisch-Albanische Forschungen. München-Leipzig.

10.Thallóczy, Ludwig von. 1916. Türkischer Gesetzentwurf, betreffend Kodifizierung des albanischen Gewohnheitsrechtes. Tek, Illyrisch-Albanische Forschungen. München-Leipzig.

11.Thallóczy, Ludwig von. 1916. Die albanische Diaspora. Tek, Illyrisch-Albanische Forschungen. München-Leipzig.

12.Thallóczy, Ludwig von. 1919. “Historia e motshme e ilirevet ndër vende të Boznisë. Tek Agimi (1-2).

Please follow and like us: