Albspirit

Media/News/Publishing

Media greke: Çfarë po ndodh në negociatat sekrete të Kretës?

Edicioni grek i Huffington Post deklaroi se pavarësisht se Ditmir Bushati ka pranuar që të kërcejë vallen kretase si për t’i treguar homologut të tij se i pëlqen “shpirti helen”, harta e ministrisë së jashtme të Greqisë nuk është pranuar nga shefi i diplomacisë së Jashtme shqiptare që ka qëndruar në lidhje direkte me kryeministrin e tij Edi Rama. Këtë e ka bërë të ditur edhe një nga mediat shqiptare në Athinë, Tribuna. Delegacionet e Shqipërisë dhe Greqisë janë mbyllur prej 48 orësh në një hotel në zonën e Iraklios në ishullin e Kretës në një fundjavë të paprecedentë pune diplomatike mes dy shteteve, në përpjekje për të zgjidhur problemet historike të mbartura prej vendeve. Siç bëjnë të ditur mediat greke, palët kanë rënë tashmë dakord për revizionimin e teksteve të historisë për të mos i sharë grekët; çështjet konsullore të vulës elektronike për legalizim dokumentesh; mund të vijnë në një qëndrim për Himarën, madje Athina është gati të tërhiqet, vetëm se kërkon që të përfitojë nga harta e Shelfit kontinental, duke marrë dy ishujt pranë Ksamilit, ku mendohet se ndodhet edhe damari i fuqishëm gazmbajtës.

Bisedë Rama-Tsipras për çështjen e Detit?

Nuk janë afruar fare tek çështja çame dhe ligji i Luftës, pasi Kotzias i ka dhënë Bushatit që kërkon një përgjigje deri sonte në 12 të natës për çështjen e Detit. Madje ka thënë se është gati që të zhvillohet një bisedë telefonike mes Edi Ramës dhe Alexis Tsipras. Për Detin, Kotzias ka thënë se ata po lëshojnë pe, duke u tërhequr nga marrëveshja e parë dhe është gati të pranojë vijën mesore që do ta ndante drejtë distancën mes brigjeve të dy vendeve në Kanalin e Korfuzit. Dhe kjo vijë mesore, për të nxjerrë baraz-largësinë, në bazë të së drejtës detare ndërkombëtare merret si bazë si një vijë e drejtë që nis nga kepet më ekstreme të brigjeve tokësore, dhe jo nga masa shkëmbore, apo ishuj që mund të gjenden kudo në mes të detit ndërmjet dy vendeve, sikurse u bë në marrëveshjen e parë.

Edhe një ditë bisedimesh

Ministrat e jashtëm të Greqisë dhe Shqipërisë do të kenë edhe një ditë të tretë bisedimesh, përpara se t’i drejtohen Brukselit për mbledhjen me homologët e tyre të Bashkimit Europian. Sipas kryediplomatit grek, po diskutohen çështjet e hapura, me synimin që “Shqipëria të bëhet shtet-anëtar i BE-së”.

Në “vendlindjen” e Zeusit

Një ditë më herët, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias, kanë vizituar malësinë e Kretës vendin ku sipas mitologjisë ka lindur Zeusi. Ministrat Kotzias e Bushati dhe shoqëruesit e tyre janë pritur me këngë e valle nga banorët e fshatit, ndërkohë që kryetari i bashkisë u ka bërë dhurata simbolike.

Please follow and like us: