Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Hiret e Kiki-së në ankand

Vështrojeni këtë fotografi: sot në Paris, në « ParisPhoto », hapet ankandi për blerjen e saj që antikuarët mendojnë ta shesin një milion e gjysëm euro. Duket se dhe fotografia artistike kërkon të konkurojë në një nivel tjetër me veprat e mëdha të Van Gogh, Modigliani, Picasso apo Chagall etj. Përsëri Kiki, vajza nga Bourgogne që u bë femra mitike e viteve 20-30 në Francë, idhulli i bukurisë së Montaparnasse, që kërcente gjysmë e dehur mbi tavolinat e « La Coupole » pas mesnatës.

Fotografi Man Ray, i cili e dashuroi aq marrëzisht dhe rendi një natë pas saj për ta vrarë, meqë ajo e tradhëtonte, me portretin e saj realizoi një nga fotografitë më të bukura të tij : « Vajza me maskë, » në bardh e zi, një «tirage argjentik», një fotografi impresionuese dhe e një kompozim tepër modern për kohën, një modernitet mesa duket i përjetshëm. Eshtë një klishe e vitit 1926 e botuar po atë vit në revistën «Vogue», e cila shumë vite më parë ishte blerë nga regjisori Thomas Koefer për 354.000 dollarë. Dhe ja, kjo fotografi na rishfaqet sërrish…Ishte koha e maskave afrikane që zbarkonin në paris dhe hynin në tablotë e Picasso-s dhe autorëve të tjerë avanguardistë, aq të dashura nga André Breton, themeluesit të surealizmit, i cili e kishte përmbytur dhomën e tij me këto maska, duke përjetuar kushedi çfarë lloj mitesh e legjendash. Sidoqoftë, moderniteti i Man Ray-it mbështetet në atë fytyrë perfekte të ndriçuar aq bukur dhe atë maskë që dëshmon për origjinën njerëzore. Man Ray- « Dada » Man Ray apo Emmanuel Radnitzky ishte fëmija i një emigranti nga Rusia që kishte zbarkuar në brigjet e Amerikës. Piktor, por që pëlqente shumë fotografinë, kur shpërtheu dadaizmi në Europë dhe veçanërisht në Paris, dhe meqë e ndjente veten të vetmuar me një art që të tjerët nuk ia kuptonin, veç dy miqve të tij, Picabia dhe Marcel Duchamp, Man Ray mori rrugën drejt Europës dhe më 1 korrik të vitit 1921 zbarkoi në brigjet e La Manche në Haver dhe që andej, me tren në Paris ku miku i tij Duchamp i kishte rezervuar dhomën e hotelit që sapo kishte lënë Tzara.

Aty pranë në kafenenë «Fshatari i Parisit», ai u njoh me André Breton, Paul Eluard dhe gruan e tij Gala, apo Philippe Soupolt, i cili do të shkruante dhe për hapjen e ekspozitës së tij në Paris në dhjetor të atij viti: «Nuk e dimë, – shkruante poeti Soupolt, – se ku ka lindur Man Ray. Pasi ka qenë një tregtar qymyri, disa herë milioner dhe shef i trustit të çimçakizëve, ai ka vendosur t’i përgjigjet ftesës së dadaistëve dhe të ekspozojë në Paris tablotë e tij të fundit…» Pikërisht në këtë kohë Man Ray, dadaist, filloi të drejtojë objektivin e aparatit të tij në portretet e Gertrud Stein, në tablotë e Picasso-s, të Braque, Cezanne e Matisse, fotografoi lezbiken Silvya Beach që kishte hapur librarinë «Shakeaspeare and Company» në krah të Notre-Dame de Paris, mikeshën e afërt të Hemingway dhe të Scott Fitzgerald apo James Joice… u njoh e bukuroshen Kiki, një «muzë» e poetëve dhe dashnore e ëmbël nga Bourgogne, që në tavernat e Montparnasse pëlqente verën, dansin dhe burrat, dhe që kishte trupin bëshëm të një gruaje si në një tablo të Renoir… Man Ray ishte gjeniu i fotografisë së re dhe i artit të vërtetë të fotografisë.

Me të filloi një epokë e re! Njëherë, një princeshë (Grufuhle) e thirri në kështjellën e saj pranë Parisit dhe i kërkoi t’i tregonte aparatin e tij që bënte mrekullira, meqë dhe ajo donte të bënte fotografi arti. Dhe Man Ray i tha: – E ç’rëndësi ka aparati. Goya, a nuk pikturonte me një bisht luge kur nuk kishte penel?…” Surrealizmi do të vinte pak më vonë, por kjo është një aventurë tjetër për Man Ray, këtë Melies të fotografisë, që pikturoi trupin e Kiki-së si një «violinë e Ingres», që një natë, i dehur dhe fatkeq pse ajo e kishte lënë me një tjetër, ai i kishte rendur nga pas për ta vrarë me një revolver!… Por nuk e vrau dot, se do ta pushtonte përsëri në krahët e tij për të rënë më pas në krahë të amerikanes Lee Miller të cilën e bëri një fotografe po aq të talentuar… Një nga miqtë e tij ishte Robert Desnos. Ata që të dy e dashuronin kërcimtaren e gëzueshme Kiki, që si një «Lola» e Marlen Dietrich në filmin «Engjëlli Blu» joshte botën në «La Rotonde» të Montparnasse. Gjatë një darkë, ku ishte dhe Kiki, Desnos krijoi aty për aty një poezi të titulluar Ylli i detit. Man Ray u frymëzua aq shumë sa mendoi menjëherë të realizonte një film. Ja çfarë kujtonte Desnos nga fjalët që u kishte thënë atë natë: «Kam një yll deti (dalë nga cili oqean?) blerë tek një brokant hebre në Rue des Rosiers, çka është mishërimi i dashurisë së humbur dhe ku pa të cilën s’do e kujtoja atë krijim të prekshëm…» Dhe filmi «Etoile de la mer» u realizua… Kiki hirëplotë do të linte aty gjurmët e një trupi që do t’i rezistonte vdekjes, kohës! Ishte filmi i parë me të cilin niste surrealizmi.

Please follow and like us: