Albspirit

Media/News/Publishing

Artan Hoxha: Tre të penduarit në Itali që rrezikojnë Tahirin

Gazetari i njohur investigativ Artan Hoxha ka dhënë disa detaje të reja edhe më implikuese lidhur me ish-Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe dosjen e hetimit ndaj tij.

I ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News 24, Hoxha u ndal tek nisja e procedimit penal ndaj Tahirit nga Prokuroria e Katanias.

Sipas gazetarit, nga të dhënat që ai ka, të paktën tre prej anëtarëve të grupit “Habilaj” të arrestuar atje, mund të kenë folur dhe mund të kenë dëshmuar duke përfshirë edhe një herë tjetër emrin e Tahirit.

Dhe këto dëshmi sipas Hoxhës, pritet ta rrezikojnë ish-ministrin.

“Procedimi për Tahirin në Itali ka nisur në 27 tetor. Është marrë vesh vonë, dhe në rastin konkret Saimir Tahiri nuk është vënë në dijeni. Prandaj çështja ka qenë kaq e padukshme dhe kaq e vështirë për tu marrë vesh. Dua të them se çështja është bërë interesante se në grupin Habilaj janë 4 italianë dhe 3 shqiptarë, 3 prej tyre rezultojnë të penduar, 2 prej tyre shqiptarë. Kjo e intrigon çështjen. Kemi një bashkëpunëtor si Sebastiano Sardi, ky del edhe në përgjimet e Habilajve. Por fakti që Prokuroria ka edhe dy të tjerë të penduar, kjo mund të jetë për mua detaji i ri apo fakti i ri që e ka çuar prokurorinë e Katanias të nisë procedimin për Tahirin. Nga përgjimet ambjentale nuk është se ai implikohet. Por, në rast se mes grupit ka dikë që flet, aty situata ndryshon. Të penduarit mund të kenë folur. Megjithatë tashmë do kemi një arbitër të paanshëm, një prokurori profesionale që do sqarojë edhe publikun shqiptar nëse është apo jo i implikuar Saimir Tahiri, nëse ka apo jo prova për të”, u shpreh Hoxha

Please follow and like us: