Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Dr. Arben Manasterliu: Na ishte njëherë LSI

Vitet e fundit, LSI-ja u kthye në një mit. Partia që qëndron gjithmonë në pushtet; partia që të siguron punë; partia që kushtëzon dy partitë e mëdha; partia që rritet dita ditës; partia e rinisë dhe e energjisë së pashteruar; partia që të mbaron punë, etj. Ky mit ra. E me sa duket zor se mund të ngrihet përsëri.

Viti 2017 ishte viti i shkëlqimit por dhe i rënies së LSI-së. Të gjitha atributet e saj më të vyera nisën të shkërrmohen një e nga një që në muajt e parë të këtij viti, kur në vend që të vepronte me qetësi e dashuri në lidhje me koalicionin e zgjedhjeve të Qershorit hyri në ato zgjedhje e vetme, me një vetësiguri arrogante. LSI-ja e etiketuar prej vitesh si partia që mbron njerëzit e saj nuk bëri zë kur u shkarkuan turpshëm ministrat e saj. LSI-ja që krenohej se kishte lindur si opozitë tani kushtet opozitare i përballojnë vetëm pak njerëz të cilët pot resin dhjamin e akumuluar ndër tetë vite në qeveri, ndërsa të tjerët kanë përfunduar në rrugë pa punë e pa shans për punësim, ndryshe nga slogani zgjedhor “një shans për të gjithë.”

Rezultati i LSI në zgjedhjet e Qershorit mund të pranohet si optimal, por rrëzimi i mitit LSI nisi të zbehet në opozitë. Zonja Monika ka një qasje tjetër në drejtimin e partisë nga bashkshorti i saj Ilir Meta. Ajo po përdor të gjitha mekanizmat e lidershipit, por, fatkeqësisht për të, nuk po funksionojnë. Madje po përshpejtojnë rrëzimin e mëtejshëm të mitit të LSI. Ajo cfarë nuk po kupton znj. Kryemadhi është se të shumtët e simpatizantëve dhe votuesve të LSI u anëtarësuan apo mbështetën këtë parti vetëm prej Ilir Metës. Në Shqipëri, madje edhe në botë, qytetarët dhe fshatarët nuk votojnë për platforma politike, as për organizimin e brendshëm të parties, por për drejtuesit e tyre. Ilir Meta arriti të krijojë një profil të vecantë lideri, profil i cili konkuronte suksesshëm Edi Ramën e kapërcente lehtë Lulzim Bashën. Si socialistët ashtu edhe demokratët dëshironin të kishin edhe ata një lider si Ilir Meta, sepse ishte i vetmi figurë e rëndësishme politike që kishte lidhje të drejtëpërdrejtë me cdo anëtar të thjeshtë të partisë. Zgjedhja që Ilir Meta bëri si president i dha oksigjen Ramës dhe Bashës, dhe krijoi një hendek të pakapërcyeshëm për LSI-në si parti dhe Kryemadhin si kryetare e saj.

Pozicioni i femrave lider në politikë është më delikat se ai i meshkujve. Kjo ndodh në vendet më të zhvilluara të botës, ndaj në Shqipëri është shumëfish edhe më komplekse. Në historinë e politikës lideret femra, si Thacher, Merkel, apo Golda Meir, treguan një stil unik drejtimi, znj. Kryemadhi nuk ka asgjë të përbashkët me figurat e shquara femërore të historisë.

Edhe Amerika e pati të vështirë të pranojë Hilary Clinton si presidenten e parë femër, e jo më në Shqipëri, ku cdo qytetar e ka të vështirë të pranojë një femër që kritikon bashkëshortin sic bën Monika ndaj Ilirit, të shprehet se ka ditë e netë pa e pare, etj. Cila është logjika politike pas këtij qëndrimi? Cila është logjika familjare pas këtij raporti? Shqiptarët janë patriakal në organizimin e shoqërisë, pavarësisht frymës moderne të emancipimit, ndaj e kanë më të lehtë të falin një qeveritar të korruptuar e një kryeministër që lejoi kanabizimin e vendit, sesa një grua që kritikon publikisht bashkëshortin, i cili nuk është një njeri i zakonshëm, por Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Dhe znj. Kryemadhi dallon edhe në prezantim dhe në imazhin publik me lideret femra të historisë pasi asnjëra prej tyre nuk shkonte tek parukierja përpara cdo dalje televizive apo konference për shtyp, dhe asnjëra prej tyre nuk ka kryer akt histerie as në parlament e as në opozitë, e le më pak të gjuajë me cisme që kushtojnë sa shumë rroga e pensionesh shqiptarësh të thjeshtë.

Sot LSI-ja jo vetëm që nuk po e rrënon mazhorancën por pa dashur po e ndihmon atë. Përpara zgjedhjeve shqiptarët kishin alternativën e zgjedhjes midis Ramës, Bashës dhe Metës, sot znj. Kryemadhi nuk shihet si kryeministre e mundshme. Jo vetëm kaq, por protagonizmi i saj i tepruar dhe konkurenca me Bashën se kush është lideri i vërtetë i opozitës po favorizon edhe më shumë Ramën, i cili nëse do kishte përballë Metën apo Berishën në opozitë, me të gjitha skandalet që kanë mbuluar këtë mazhorancë, do ishte rrëzuar që në muajt e parë të mandatit të tij të dytë.

Me sa duket mëkatet e së kaluarës së LSI po i paguan sot. Në zgjedhjet e fundit vendore, të shtyrë nga arroganca, mungesa e vizionit dhe kapaciteteve njerëzore, LSI përfshiu në listën e këshillave bashkiake, njerëz anonim, klientë të krerëve të partive në qytete, familjarë të afërt e të largët, etj, të cilët kohët e fundit me lehtësinë më të madhe votuan pro PS për vendimet më të rëndësishme të këshillave bashkiake, si rasti i Tiranës dhe Durrësit.

Edhe përfshirja e të rinjve në listat e deputetëve në zgjë edhjet parlamentare rezultoi një dështim. Të rinj pa experience pune, të pa dalë ende nga bankat e shkollës, jo vetëm që nuk kanë asgjë për të ofruar, asnjë ide ndërtuese dhe emancipuese por ofendojnë të rinjtë shqiptarë të cilët nuk gjejnë dot punë pas shumë vitesh studimi. Të rinjtë deputetë të LSI të cilët nënshkrimin e parë në bordero e kanë në Kuvendin e Shqipërisë, dhe puna e parë që shkruajnë në CV është “deputet” shërbejnë dhe shpenzojnë energjitë e tyre vetëm për të valëvitur flamujt e partisë.

Gjithashtu, këta bashkë me të gjithë LRI-në guximin e tyre e tregojnë vetëm në rrjete sociale, pasi në komunitet nuk i njeh askush. Në Tiranë, LRI feston në lokale luksoze e nuk del të protestojë për lagjet përreth Tiranës të cilat jetojnë në kushte të mjerueshme e viktima të neglizhencës së pushtetit lokal dhe qendror. Në Durrës, asnjë i ri i LRI nuk ka ngritur zërin kundër masakrës urbane në qendër të qytetit, por për ironi, nga njëra anë promovojnë përgjegjësi sociale e nga ana tjetër mbulohen nga uji deri në gju sa herë Durrësi përbytet nga shirat. E njëjta situatë në Fier, Elbasan, Vlorë, etj. Por Mona i fal sepse e quajnë “Burrneshë” në facebook dhe instagram.

Mëkatet e LSI do shlyhen në zgjedhjet e ardhshme, kur me këta kalamajë e kolopucë do humbasë edhe bashkitë që ka në zgjedhjet vendore. Ish drejtorët e pashkollë, ish gjobëvënësit ndaj bisneseve të vogla e të mëdha në Elbasan, Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier, në doganë, mjedis, port detar, AKU, etj, po fshehin gjurmët dhe e kanë mbyllur me aktivizimin partiak, madje dyshohet se kanë bashkëpunuar me PS që në zgjedhjet e qershorit. LSI-ja duket se është në rënie të lirë.

Shqipëria ka histori të gjatë dikatoriale, ndaj edhe politika shqiptare ka natyrë diktuese, për këtë arsye sistemi dy partiak krijon natyrshëm vetëm diktatorë. Një parti e tretë, si LSI, është në fakt aseti më i vyer që ka politika shqiptare. Një parti e tretë zbut diktatin dhe moderon qeverisjen. Nëse menaxhohet mirë dhe drejtohet me vizion të qartë politik dhe opozitar, LSI mund të ngrihet përsëri e të faktorizohet në opinionin publik dhe ndërkombëtar.

Nëse transformohet nga një cerdhe për militantë foshnja, me komponentë të lyer me parfum korrupsioni, me klane familjare e drejtues të pashkolluar, në një institucion profesional politik me vlerat e duhura, politikat e zhvillimit, dhe marketingun alla Fuga, viti 2018 nuk do jetë më viti i rrënimit të metejshëm të LSI, por ndoshta Rilindja më e vërtetë se sa ajo e Ramës. Shumë shpejt do mësojmë nëse në tavolina e biseda shqiptarësh do thuhet: “Na ishte një herë LSI-ja!” apo “Kujdes, se u rikthye LSI-ja”!

 

Për të drejtuar një parti politike të suksesshme kërkohet një masë e caktuar tribalizmi si ngjitësi që mban njerëzit të bashkuar. Sigurisht, shumë njerëz mund t’i duket shumë tribale dhe mos të pajtohen me këtë thënie, por ajo është diskutuar në një nga konventat më të rëndësishme partiake të Britanisë, një vend jo vetëm tribal, por shumë progresiv për cdo standard të botës. Megjithatë, ata vlerësojnë tribalizmin brenda partive politike. Ndaj, partitë shqiptare janë janë praktikisht korrekt me natyrën e tyre arkaike. Në vecanti, LSI-ja e cila është ndërtuar e drejtuar nga mbi parimin e tribusë, familjes, krahinës, rangut, kastës, mbretit, shamanit, dhe sigurisht, skllavit. Kjo i ka shwrbyer LSI-së deri më tani të faktorizohet si parti e tretë, por kjo natyrë tribale do jetë edhe rrënimi i saj, pasi PS dhe PD kanë ndryshuar stilin e luftës: tashmë dy partitë e mëdha, dikur kampione të tribalizmit, janë transformuar në aleanca diplomatike e forca strategjike largpamëse e të duruara.

Pas daljes në opozitë LSI-ja kishte rastin të rigjenerohej dhe të transformohej nga një parti tribale në një forcë politike sharmante dhe atraktive. Por që në muajt e parë të opozitarizmit të saj, në vend që të ngrihej në piedestal si forca e rinisë dhe e integrimit, ajo u bë simbol e cizmeve, e histerisë, dhe qesharake në qëndrime e deklarata. Amatorizmi i drejtuesve të saj sa vjen e shtohet duke humbur fokusin dhe misionin opozitar. Për shembull: prej muajsh të tërë drejtues të LSI kanë si target të cdo statusi në facebook ose deklarate televizive vetëm Kryeministrin, familjen e tij, atletet e tij, madje edhe breshkat e tij. Duke harruar që cdo deklaratë duhet të ketë target e shërbejw si mesazh drejtuar shqiptarëve. U bënë disa muaj që shqiptarët e thjeshtë shohin humor e nuk dëgjojnë zgjidhje. Shohin Petrit Vasilin, kryetarin e Grupit Parlamentar të meret me breshkat e Edi Ramës, duke e akuzuar se nuk kupton asgjë nga shëndetësia, dhe duke mos propozuar asnjë alternativë për një shëndetësi më të mirë e cila i nevojitet kaq shumë qytetarëve shqiptarë. Edi Rama vërtetë nuk kupton asgjë nga shëndetësia, por me sa duket as edhe Vasili i cili është edhe mjek, dhe prej shumë vitesh vetëm vegjetoi si Ministër i Shëndetësisë, sikurse po vegjeton edhe tani në mungesë të ideve opozitare për një shëndetësi më të mirë. Dhe shqiptarët dëgjojnë e skandalizohen me thënie të tilla tribale si: “Qentë e plakur e të tredhur nga matufepsja i lehin vetes dhe pastaj gërmojnë kazanët e plehrave për të gjetur ndonjë kockë apo kafshatë ushqim.” Apo aludime Eleonorash e dashnoresh, nga Elona Guri, e njohur shumë mirë brenda partisë e tribusë si krahu i djathtë i Monës por e panjohur për shqiptarët, të cilët skandalizohen me një opozitarizëm të tillë, të dëshpëruar që cështja e pronës nuk do zgjidhet kurrë sepse askush nuk flet; punësimi nuk do rritet sepse opozita hesht; investimet e huaja do jenë zero sepse askush nuk ia tërheq veshin qeverisë; arsimi do vazhdojë të jetë kaotik sepse shumë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë as nuk janë diplomuar sepse janë ende në bankat e shkollës ose nuk janë diplomuar fare sepse investuan në parti si krerët e tribuve të tyre në fshatrat e qytetet nga vijnë.

Ylli Manjani e quan 2018-ën si viti i opozitës. Skandalet e qeverisë ai i sheh si “ …një mundësi e mirë që partitë e opozitës të formësojnë një alternativë serioze qeverisëse. Një mundësi që nëse nuk shpërdorohet, mund ti japë hapësirës demokratike një dimension tjetër të paparë deri më sot. Vendit i duhet shpresë, dhe ajo vjen vetem kur opozita të jetë alternativë dhe të ngjallë besim.”

Viti 2018 do jetë padiskutim rrënimi ose ringritja e LSI si rrjedhojë dhe e opozitarizmit shqiptar. Kërkohet një opozitë logjike dhe jo histerike. Batutat me humor pa kripë nga krerët e LSI janë vetëm një besdi prej mize për Edi Ramën, i cili po e përdor LSI-në dhe PD-në si një kosh basketbolli, jo në një ndeshje të vërtetë por thjeshtë për stërvitje. Rama duket se është kilometra përpara politikanëve të tjerë, duke shijuar se si krerët e LSI mundohen t’a imitojnë me batuta e sarkazëm politike, mjete të cilat në të vërtetë ishte vetë ai që i shpiku. Ndaj Rama duket konfident dhe i pafrikësuar nga kopjacët amatorë të asaj që ai vetë ka krijuar. Por Rama ka një frikë të vetme të cilën opozita nuk e ka kuptuar sic duhet. Kjo frikë është e vërteta. Gjendja reale, dëshpëruese, jo ajo propagandistike, ku gjendet vendi është frika më e madhe e Edi Ramës. Ndaj nëse LSI-ja kërkon të fitojë dinjitetin e saj duhet të pushojë së imituari Ramën e të luftojë natyrën e vet tribale, dhe të denocojë gjendjen reale në të cilën gjendet vendi, duke propozuar zgjidhje serioze, konkrete dhe efektive.

Por jo të gjithë brenda LSI-së janë tribalë. Shumë personalitete të kësaj force politike nuk paktohej me këtë stil opozitarizmi të LSI, duke ruajtur qëndrim serioz ose duke mos u përfshirë në debate të padobishme apo duke mos u bërë pjesë e kësaj histerie që ka zabtuar partinë e tyre. Por disa të tjerë po shkojnë përtej kësaj, duke treguar një pragmatizëm të egzagjeruar dhe të rrezikshëm duke flirtuar me mazhorancën. Sipas zërave brenda LSI-së, disa deputetë të saj, në qarkun Shkodër e Fier, e gjetkë, mendohen të vihen në shërbim të Ramës, në shkëmbim të ndonjë pozicioni kryebashkiaku në zgjedhjet e ardhshme vendore, ose interesa të tjera, si përshembull mos-hapja e disa dosjeve kur ata drejtonin ministri gjatë qeverisjes Rama 1. Nëse këto lëvizje realizohen atëherë rrënimi i LSI do jetë më i shpejtë se sa pritet.

Politika është një bërë një hobi i egzagjuar i shqiptarëve. Natyra e vendeve ish diktatoriale karakterizohet me komplekse kulturore, histeri të panevojshme personaliteti, intriga të epokave të shkuara, e vorbulla mendimi të padobishme. Por vendet e mëdha dhe njerëzit e mëdhej që kanë bërë histori edhe situatat më të vështira e më komplekse i shohin dhe i zgjidhin ato me lehtësi. LSI-ja dhe PD-ja apo cilado parti tjetër, nuk duhet të drogohen emocionalisht e të lehin pas elementeve të parëndësishëm të mazhorancës dhe pas lidhseve të këpucëve të Kryeministrit por me qetësi e dashuri, maturi e racionalizëm të gjejnë sekretin e një opozite të vërtetë, i cili është përpara syve të tyre, e gjendet në zemrën e cdo shqiptari. Ky sekret është shpresa. Nëse një parti bëhet shpresë për qytetarët e thjeshtë ajo nuk do rrënohet kurrë, përkundrazi do rritet gjithmonë e më shumë.

A do arrijë LSI-ja të jetë shpresa e gjallë e politikës dhe e opozitarizmit shqiptar apo do njihet si një shpresë e vdekur. “Na ishte një herë LSI-ja!” apo “Kujdes, se u rikthye LSI-ja”! Kjo varet nga se sa mirë do e lexojë kjo forcë politike shpresën në zemrat e cdo shqiptari; dëshirën e madhe që lëngon brenda njerëzve të thjeshtë jo për një vend tribal, as një politikë të bazuar mbi interesin vetjak, por një vend të zhvilluar, një të ardhme më të mirë, një shpresë të gjallë.

Please follow and like us: