Albspirit

Media/News/Publishing

Portretet e të famshmëve me pulla e pirunë

Portreti i futbollistit të famshëm David Beckham ka marrë formë nga pirunë plastik. Hunda e presidentit amerikan Barack Obama e flokët e fizikanit Ajnshtajn janë improvizuar me copa lodrash të fëmijëve. Por, për t’iu dhënë formë imazheve të tyre, një artiste britanike përdor gjithçka që gjen: që nga pullat, rruazat, lugët e makiatove e deri te stolitë jashtë përdorimit dhe kapëset e perdeve.Jane Perkins është artistja e cila që nga viti 2008 mbledh materiale të tilla dhe formëzon portrete personalitetesh. Baza e tyre janë portrete a foto të tyre që janë realizuar nga artistë të njohur. Në stilin e saj ribën edhe kryevepra. “Mona Lisa” e Leonardo da Vincit apo “Luledielli” i Van Gogh janë vetëm dy prej tyre.Iu desh një kohë e gjatë për të kuptuar se kjo është ajo që e bën të lumtur. Që nga fëmijëria ajo ishte e pasionuar pas artit. Për 17 vjet kishte punuar si infermiere, e 10 vjet të tjera i kishte kaluar në shtëpi duke u kujdesur për fëmijët e saj. Ka marrë diplomë për tekstil në “Somerset College of Arts and Technology” në qytetin Taunton të Anglisë. E për provimin përfundimtar ajo kishte bërë një punim ku kishte përdorur për herë të parë objekte të tilla. Që nga ajo ditë, ajo e kishte kuptuar se kjo është rruga që ajo do të ndjekë.

Please follow and like us: