Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Një “dallëndyshe” shqiptare në kupolën e Akademisë Franceze

Tek dëgjoja referatin e arkeologes Etleva Nallbani në sallën e Akademisë Franceze (Académie des Inscriptons et des Belles Lettres), atje midis shumë akademikëve të njohur të botës shkencore botërore, më ngjau për një çast se një dallëndyshe kishte fluturuar nga veriu shqiptar, nga malet e Komanit dhe të Shurdhahut dhe pasi kishte kapërcyer tre mijë kilometra, përmes borës së Alpeve ishte ulur më së fundi aty në kupolën plot dritë, ku shekuj me rradhë kishin mbajtur fjalimet e tyre shkencëtarët e mëdhenj të qytetërimeve të vjetra, figurat e të cilëve në mermer më qëndronin përballë.
Ishin Colbert, themeluesi i saj më 1663, boileau, Champllion, Merimée e Renan, madje dhe konsulli francez i Janinës, Pouqueville, ishin ata që quhen «savants», ata që kanë ndriçuar enigmat e njerëzimit në formulën «cilët jemi, nga vimë dhe ku shkojmë».
Por ky ishte vetëm një çast sepse energjia, profesionalizmi dhe eksperienca e madhe e Etleva Nallbanit, figurën e dallëndyshes e kanë kthyer në një lloj shqiponje, edhe pse në vendin e shqipeve shqiponjat po zhduken realisht dhe figurativisht. Nuk është thjesht çështje krenarie, pasi ajo bën pjesë në Qëndrën e Kërkimeve Shkencore Francese (CNRS), por sepse kësaj rradhe ishte ajo që përfaqësoi Shkollën Franceze të Romës, një institucion i jashtëzakonshëm shkencor që bashkë me Shkollën Franceze të Athinës të krijuara në mesin e shekullit XIX, ato i kanë sjellë njerëzimit një kontribut të jashtëzakonshëm. Dallëndyshja Nallbani mund të kishte mbetur dallëndyshe në mjedisin shkencor të trazuar keqas nga politika shqiptare, mund të kishte pranuar kompromisin, postet, ti përkulej forcës dërmuese të biznesit mafioz që s’pyet për trashëgimi, vlerat që ata i quajnë të «vdekura» dhe nuk do ta njohë atë, por sedra profesionale e ktheu këtë arkeologe në një mbrojtëse shëmbullore të trashëgimisë kulturore në Shqipëri dhe në kuadrin e trashëgimisë të vendeve të jug-lindjes europiane.
Për këtë foli dje ajo, për sfidat aktuale, për mbrojtjen, kërkimet, restaurimet dhe transmetimin e këtyre kulturave si pjesë përbërëse të kulturave moderne, që kjo kulturë të dëshmojë identitetet dhe lidhjet që kanë patur popujt gjatë mesjetës, pikërisht në këtë mjedis ku janë pikëtakuar ndër shekuj Lindja dhe Perëndimi. Kërkimet e saj të vazhdueshme të sukseshme në zonën e Komanit, të kështjellës së Lezhës e së fundi të Sardës (Shurdhahut) e kanë kthyer atë në një lloj shqiponje për të luftuar kundër interesave të ulta në dëm të trashëgimisë, çka u bë e dukshme në zonën e Komanit me historinë e linjave të tensionit të lartë apo të kështjellës së Lezhës, ku imazhet e projektit me godinat lluksoze brenda kështjellës krijuan habi jo vetëm në rrethet shkencore shqiptare por dhe në sallën e kësaj akademie prestigjioze, siç u shpreh dhe vetë Sekretari i Përhershëm i Akademisë Jean Louis Ferrary.
Pata rastin të takoj akademikun André Vaucher, i cili siç më thoshte, kishte firmosur marrëveshjen arkeologjike franko-shqiptare në vitin 2001. Entusiazmi i tij rreth punës së kësaj « shqiponje » ishte i jashtëzakonshëm dhe me humorin e tij shkencëtari tha duke qeshur se dy herë desh ishte përplas nga kamionët shqiptarë pasi rrugët atëherë ishin të ngushta.
Po kështu numizmati Picard që aq shumë i ka studjuar monedhat e Apolonisë, vlerësoi pikërisht këto sfida shqiptare përballë problemeve politike e sociale që përjeton Shqipëria si dhe projektet e ardhme në këtë drejtim. Etleva Nallbani e gjetur si duket çelësin e përballimit të sfidave : angazhimin e shoqërisë civile dhe të rrjeteve sociale, që padyshim kërkon energji të mëdha, por kur shoqëria civile ngrihet në këmbë dhe mbështet shkencën e vërtetë kundër veprimeve dhe interesave private që cënojnë trashëgiminë kulturore dhe kulturën në përgjithësi,  çdo sfidë kapërcehet…
Please follow and like us: