FIFA dhe UEFA urojnë rizgjedhjen e Armand Dukës

Pas përfundimit të procesit zgjedhor në Asamblenë e Përgjithëshme dhe rizgjedhjes së Presidentit Armand Duka në krye të FSHF-së edhe për katër vitet e ardhshme, krerët më të lartë drejtues të FIFA-s dhe UEFA-s kanë telefonuar presidentin e zgjedhur z.Armand Duka.

Lajmi është pohuar nga Federata Shqiptare e Futbollit e cila në një njoftim në faqen zyrtare shkruan:

Fillimisht Presidenti i UEFA-s, z.Aleksandër Ceferin gjatë një bisede telefonike fare pak orë pas mbylljes së punimeve i përcolli urimet e menjëhershme z.Duka për vazhdimësinë e tij në këtë detyrë si dhe për bashkëpunimin e mëtejshëm mes UEFA-s dhe FSHF në projektet e përbashkëta. Presidenti i UEFA-s gjithashtu ka shprehur përgëzimet e tij për mbarëvajtjen normale të punimeve teksa ka rikonfirmuar edhe angazhimin e tij për një bashkëpunim akoma më të ngushtë në vijim.

“Po kështu edhe Presidenti i FIFA-s, z.Gianni Infantino zhvilloi një bisedë telefonike urimi me Presidentin Duka për votëbesimin që i dha sërish asambleja. Edhe kreu i FIFA-s përgëzoi z.Duka për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të Asamblesë dhe njëherësh rikonfirmoi thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy institucioneve“- thuhet në njoftimin e FSHF-së