Albspirit

Media/News/Publishing

Panairi i Prishtinës, nderim për Budin, Bogdanin…Kadarenë

Rreth 100 botues nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria pritet të marrin pjesë në edicionin e 18 të Panairit të Librit në Prishtinë

kadareMë shumë se 100 botues nga hapësira shqiptare si Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria apo diaspora pritet të marrin pjesë në edicionin e 18 të Panairit të Librit në Prishtinë që do të mbahet nga datat 7-12 qershor. Shoqata e Botuesve të Kosovës, e cila është organizatore e panairit, është duke i dhënë fund përgatitjeve për ditët kushtuar librit. Sipas Besian Zenelit, nga Shoqata e Botuesve, në panair pritet të prezantohen 1.200 tituj të rinj librash dhe rreth 4.500 tituj të viteve të fundit. Ashtu si çdo vit, Panairi do të shoqërohet me aktivitete kushtuar personazheve apo periudhave të caktuara në letrat shqipe siç është 450-vjetori i lindjes së Pjetër Budit, 400-vjetori i vdekjes së Shekspirit, 400-vjetori i vdekjes së Servantesit, 150-vjetori i lindjes së Ndre Mjedës, 150-vjetori i lindjes së Andon Zako Çajupit, 100-vjetori i lindjes së Mbretëreshës Gjeraldinë, 100-vjetori i lindjes së Jusuf Vrionit, 100-vjetori i lindjes së Esad Mekulit, 90-vjetori i lindjes së Kasëm Trebeshinës, 80-vjetori i lindjes së Ismail Kadaresë, 80-vjetori i lindjes së Rexhep Qoses apo 80-vjetori i lindjes së Adem Demaçit. “Të gjitha këto personalitete do të kujtohen në kuadër të përurimeve, debateve dhe aktiviteteve të tjera në ditët e panairit”, ka thënë Zeneli. Dita e fundit e Panairit ashtu si çdo vit shoqërohet me çmime speciale për librat më të mirë në prozë, poezi, kritikë, studime letrare, eseistikë, publicistikë, përkthim letrar si dhe shpallet “Shkrimtari i vitit” nga letërsia shqipe dhe “Shkrimtari i vitit” nga letërsia e huaj, si dhe “Stenda më e vizituar e panairit”. Kjo ceremoni do të mbahet më 9 qershor, në hotel “Prishtina”.

Please follow and like us: