Saimir Kadiu: Fati i Polonisë mbi ndërgjegjen e Ruzveltit dhe Çërçillit
83 vjet me parë…

Jozef Stalini duke puthur «Shpatën e Stalingradit» gjatë Konferencës së Teheranit, Iran, 1943.
Midis 28 nëntorit dhe 1 dhjetorit 1943, në Teheran, Jozef Stalini, Uinston Çërçilli dhe Frenklin Delano Ruzvelti zhvilluan bisedimet e tyre. Pikërisht aty u morën vendimet më të rëndësishme për fazën përfundimtare të luftës dhe për fatin e Evropës së pasluftës, përfshirë edhe Poloninë.
Koha dhe vendi i konferencës u përcaktuan nga Stalini. Ai dëshironte që vendndodhja e bisedimeve të ishte sa më e favorshme për palën sovjetike, ndërsa për britanikët dhe amerikanët të ishte e papërshtatshme dhe e lodhshme, për shkak të kohës dhe distancës që kërkonte udhëtimi.
Stalini zhvilloi një diplomaci të aftë dhe këmbëngulëse me udhëheqësit aleatë, duke synuar realizimin e objektivave që i kishte përcaktuar paraprakisht. Synimi i tij kryesor ishte të siguronte një datë të përafërt për zbarkimin e forcave aleate në Evropën Perëndimore, duke e kufizuar ndërhyrjen e tyre ushtarake pikërisht në këtë pjesë të kontinentit.
Diktatori sovjetik arriti të siguronte mbështetjen e Ruzveltit për çështje thelbësore të strategjisë së tij, si vendi i zbarkimit të forcave aleate dhe ndarja e zonave të influencës në Evropën e pasluftës. Kjo ishte edhe pasojë e mungesës së interesit të presidentit amerikan për zhvillimet në Evropën Qendrore dhe Lindore. Ruzvelti nuk shihte ndonjë interes të drejtpërdrejtë politik për vendin e tij në këtë pjesë të Kontinentit të Vjetër.
Bisedimet e Teheranit çuan, si rrjedhojë, në hapjen e frontit të dytë në Francë, në qershor të vitit 1944, në përputhje me planet e Stalinit. Atij iu la liri e gjerë veprimi për të përcaktuar zhvillimet ushtarake dhe politike në pjesët lindore të Evropës. Dhjetëra kombe mbetën në mëshirën e Bashkimit Sovjetik, ndër to edhe popujt më të mëdhenj të kësaj pjese të kontinentit: çekët, hungarezët, bullgarët dhe polakët.
Pozita e Polonisë ishte veçanërisht e ndërlikuar, për shkak të konfliktit të pazgjidhur midis qeverisë polake në mërgim dhe palës sovjetike, lidhur me agresionin e Bashkimit Sovjetik kundër Polonisë më 17 shtator 1939. Krahas kësaj, mbeteshin të pazgjidhura çështjet e kufijve dhe zbulimi, në pranverën e vitit 1943, i varreve masive të oficerëve polakë në Katininë, të vrarë nga NKVD-ja në vitin 1940.
Të gjitha këto çështje të rënda u lanë në periferi të negociatave midis fuqive të mëdha në nëntor 1943. U ra dakord që kufijtë e Polonisë të “rishikoheshin”: në lindje, përafërsisht përgjatë vijës së Curzonit, ndërsa në perëndim, në dëm të Gjermanisë, përgjatë lumit Oder. Në Teheran nuk u përcaktua qartë as territori përfundimtar i shtetit të ardhshëm polak, as sistemi i tij qeverisës dhe as orientimi i tij politik.
Për më tepër, Stalini deklaroi hapur se nuk dëshironte të arrinte asnjë kompromis me qeverinë polake në Londër, duke e konsideruar atë të komprometuar për shkak të bashkëpunimit të pretenduar me gjermanët në hetimin e rrethanave të vrasjes së oficerëve polakë, eshtrat e të cilëve ishin zbuluar në Katini. Megjithëse Çërçilli bëri kërkesa dhe propozime të përsëritura për arritjen e një marrëveshjeje, Stalini i hodhi poshtë ato. Këmbëngulja e tij u bë gjithnjë e më e fortë, ndërsa përpjekjet e kryeministrit britanik duket se po e shtonin bezdinë e presidentit amerikan.
Në fund, udhëheqësit e fuqive të mëdha shpallën se Polonia do të kompensohej në kurriz të Rajhut të Tretë dhe dhanë një garanci të paqartë për vendosjen e një rendi demokratik në Poloninë e rilindur. Premtime të tilla synonin të “qetësonin” emocionet e qarqeve politike polake në mërgim, por edhe ndërgjegjen e udhëheqësve britanikë.