Albspirit

Media/News/Publishing

Darkë mbretërish dhe mbretëreshash për Jubileun e Diamantit

Darkë mbretërish dhe mbretëreshash për Jubileun e Diamantit

Një menu britanike u përgatit për monarkët duke përdorur ushqime vendore

Mbretër dhe mbretëresha nga e gjithë bota u takuan në kështjellën Uindsor për të festuar për Jubileun e Diamantit të Mbretëreshës së Britanisë së Madhe, një darkë kjo e kritikuar nga aktivistët e të drejtave të njeriut. Dymbëdhjetë anëtarë të familjes mbretërore britanike iu bashkuan Mbretëreshës për të mikpritur sovranët e 26 vendeve.

Mes të ftuarve qe mbreti Hamad al-Khalifa i Bahreinit, prania e të cilit u kritikua nga aktivistët e të drejtave të njeriut ndërsa zyra e Mbretëreshës u përgjigj duke thënë se Ministria e Jashtme e kishte miratuar ftesën për të.

Një ftesë tjetër e kritikuar qe ajo për mbretin Mswati III i Zvazilandit (Zululandit) i cili akuzohet se bën një jetë luksoze deri në degjenerim ndërsa populli i tij vuan urinë. Aktivisti Peter Tatchell kritikoi mbretëreshën për faktin që ka ftuar “tiranë mbretërorë për të festuar Jubileun e vet”, ndërsa Ministria e Jashtme tha se aktualisht kishte “diskutim të plotë e të hapur me Bahreinin për shumë çështje.” Dreka pasohet nga një banket mbrëmjeje që do të shtrohet nga Princi i Uellsit dhe Dukesha e Kornuellit.

Duka dhe Dukesha e Kembrixhit qenë mes të ftuarve

Ndërkohë, mbretëresha Sofia e Spanjës e refuzoi ftesën për darkë pasi Spanja dhe Britania e Madhe kanë një mosmarrëveshje për territorin e Gjibralltarit, një territor ky aktualisht nën kontrollin e Londrës por që Spanja dëshiron ta rimarrë. Mbreti i Bahreinit është nën kritika aktualisht për shkak të shtypjes me dhunë të protestave prodemokracisë në vendin e tij në Gjirin Persik. Mbreti i Zvazilandit Mswati III akuzohet nga opozita se përdor fondet e buxhetit të shtetit për një jetë “mbretërish” ndërkohë që vendi i tij është nga më të varfrit e Afrikës së varfër.

MBRETËRVE IU OFRUA PËR FILLIM KULAÇ ME VEZË DHE ASPARAGUS ANGLEZ. KJO U PASUA NGA PJATA KRYESORE ME MISH QINGJI, PATATE ME LËNG, ANGJINARE, BATHË, KAROTA, GROSHË, LAKËR DHE NJË SALLATË ME BAZË DOMATESH E BORZILOKU. LULESHTRYDHET ME VANILJE MBYLLËN DREKËN NDËRSA MBRETËRIT DHE MBRETËRESHAT PO TË DONIN MUND TË MERRNIN EDHE ËMBËLSIRË FRUTASH OSE DJATHË.

Please follow and like us: