Albspirit

Media/News/Publishing

DHURATA LAZO: NJË CD E RE ME REPERTOR FRANCEZ

Fatmira Nikolli

Muzika e luajtur nga kjo pianiste e jashtëzakonshme ofroi një kënaqësi akustike. Ajo shkonte mbas tonit dhe na ledhatonte shpirtin duke luajtur me një teknikë të lartë dhe të admirueshme, kënaqësi e pafund”. Me këto fjalë është vlerësuar pianistja shqiptare Dhurata Lazo nga gazetarja Gabi Treiber në nëntor të vitit 2014.
Ndërsa ka përfunduar një recital në Francë dhe një në Poloni, ajo po punon për një CD të re, të cilën po e bën me bashkëshortin Zija “Bushi” Bejleri. Të interpretonte Chopen-in në sallën e koncerteve të Universitetit të Chopen-it dhe në publik pafund polakë e personalitete të ndryshme, qe një sfidë e bukur për të. Së shpejti ajo do jetë në Festivalin e Chopen-it në Poloni, ndërkaq për “GSH”, tregon punën për CD-në e saj të tretë. “Shumë shpejt po realizojmë një ëndërr, me një projekt të ri. Do regjistrojmë një CD të re me piano Fazioli, muzikë elegante, fine, emocionuese, perla me intimitet shpirtëror e pasional nga repertori francez për saksofon e piano”, – thotë ajo për “GSH”. Në CD ka muzikën e kompozitorëve: J.B.Singeleé, J.Arban, G.Donizzetti, A.Jolivet, J.Savari, A.Piazzolla, P.A. Genin dhe C.Franck. “Repertori klasik për saksofon dhe piano është i larmishëm. Jo vetëm nga veprat origjinale për saksofone, por edhe nga transkriptimet e shumta prej veprave klasike për instrumente të tjera. Në CD, repertori përmban vepra origjinale bashkëkohore, gjithashtu edhe klasike. Diapazoni i tingullit të saksit në CD është shumë i gjerë, që nga regjistrat e lartë me saks soprano, deri te ato të mesme me saks alto”, – thotë Dhurata, ndërsa shton se veprat janë me “forma të ndryshme, që nga sonata, koncerti, variacione. Gërshetohen virtuozizmi me melodinë në kantilenë, si për saksin gjithashtu për piano. Shumica e veprave i përkasin rrymës franko-belge për saksofonë klasikë”.
Në janar 2013 realizon në Zurich, CD-në me violinistin Klaidi Sahatçi(koncert Maestër në TonHalle Orkestër Zurich) me vepra të kompozitorëve shqiptarë “Albanian Memories” me vlerësim për nivel të lartë interpretimi. Performon me bashkëshortin e saj saksofonist Zija Bejleri prej vitesh, muzikë bashkëkohore dhe franceze, me vlerësime nga kritika të ndryshme. Që prej ikjes, në vitet 1990, në vitin 2008, pianistja Dhurata Lazo u kthye në Shqipëri me Koncert Recital në Akademinë e Arteve. Në maj të vitit 2009 luajti koncertin në “La minor” të E.Grieg me orkestrën e RTSh-së dhe me dirigjentin kanadez Alain Trudel. Prej atij viti u transferua në Gjermani, duke vazhduar aktivitetin koncertal dhe didaktik. E vlerësuar nga kritika gjermane për interpretimet e saj në shtypin gjerman, për të Marie Luise Funk shkruan: “Dhurata Lazo luan Chopin, veçanërisht spikatëse pedali i përdorur mjeshtërisht, interpretimi i saj me aq ndjenjë, ku publiku përkundej lirisht në një gjendje shpirtërore çlodhëse….”
Ka marrë pjesë në dy festivale internacionale të Chopen-it dhe në festivalin “ReMusika” e mbështetur nga ambasada gjermane, Prishtinë Kosovë, në festivalin “Different Trains” në Tiranë. Gjirokastra i ka dhënë titullin “Krenari e qytetit” për vlerat e jashtëzakonshme në fushën e interpretimit muzikor dhe për kontribut të shquar në promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të Gjirokastrës, ndërsa është vlerësuar edhe me çmimin “Muza”.

Please follow and like us: