Albspirit

Media/News/Publishing

Fjalimet që ndryshuan botën

 

De_Gaulle-OWIMëngjesi i 18 qershorit 1940 ishte një moment përqendrimi intensiv për Winston Churchillin dhe Charles De Gaulle. Në Whitehall, Kryeministri po i jepte dorën e fundit fjalimit të tij “Gjak, djersë dhe lot”, që do të mbante në Parlament më vonë atë ditë. Në qendër të Londrës, në një shtëpizë të vogël pranë Park Lane, që i ishte dhënë me qira nga një oficer francez, gjenerali me dy yje, i cili ishte larguar nga Franca një ditë më herët teksa qeveria e tij kërkonte një armëpushim me trupat gjermane që përparonin, po i jepte edhe ai dorën e fundit tekstit të një fjalimi radiofonik, ku u bënte thirrje francezëve që të mos braktisnin luftën kundër pushtuesve gjermanë.

Fjalimi i De Gaulle ishte rezultat i një oferte të bërë nga Churchilli që ai t’i drejtohej Francës nga BBC. Në histori do të hynte si deklarata më e famshme e De Gaulle – l’Appel du 18 juin – dhe data do të shndërrohej në një përvjetor për t’u festuar për të dhe vendin e tij. Fjalimi i asaj mbrëmjeje i mbajtur nga gjenerali 49-vjeçar do të ishte themeli i lëvizjes që do të quhej Gaullism dhe që e çoi atë drejt udhëheqjes së vendit të tij. I dha famën si “njeriu që tha jo” si dhe përmbushi sensin e tij të fatit historik në një moment kur establishmenti politik u dorëzua para humbjes dhe kompletoi kolapsin e Republikës së Tretë, që kishte drejtuar Francën për gjashtë dekada e gjysmë.

***

Charles de Gaulle

Apeli i 18 qershorit, 1940

Flaka e rezistencës franceze nuk duhet dhe nuk do të shuhet

Gjeneral de Gaulle gjatë fjalimit të famshëm të 18 qershorit

Udhëheqësit të cilët, në vitet e kaluara kanë qenë krerët e forcave të armatosura franceze, kanë themeluar një qeveri.

Duke nxjerrë si shkak mundjen e ushtrive tona, kjo qeveri ka hyrë në negociata me armikun me qëllim që t’i japë fund armiqësisë. Është e vërtetë se ne ishim, dhe ende jemi të dërrmuar nga forcat e mekanizuara të armikut, nga toka dhe nga ajri njëkohësisht. Ishin tanket, aeroplanët dhe taktikat e gjermanëve, shumë më shumë se faktet ato që kishin përparësi, që bëni që ushtritë tona të mundeshin. Ishin tanket gjermane, aeroplanët dhe taktikat ato që siguruan elementin e surprizës, e cila bëri që udhëheqësit tanë të jenë në këtë ngushticë.

Por a është thënë fjala e fundit? A duhet ta braktisim të gjithë shpresën? A është dështimi ynë përfundimtar dhe i pandreqshëm? Përgjigja e këtyre pyetjeve është, jo!

Flas duke patur njohuri të plotë të fakteve, ju kërkoj të më besoni kur them se kauza e Francës nuk ka përfunduar. Faktorët e vërtetë që sollën mundjen tonë një ditë do të na çojnë në fitore.

Prandaj, kujtoni këtë, Franca nuk është vetëm. Ajo nuk është e izoluar. Prapa saj qëndron një Perandori e gjerë, dhe ajo ka një kauzë të përbashkët me Perandorinë Britanike, e cila komandon detet dhe po vazhdon luftën. Ashtu si Anglia, ajo mund të tërheqë burimet industriale të gjera të Shteteve të Bashkuara.

Lufta nuk është e kufizuar vetëm në vendin tonë të pafat. Rezultati i përpjekjeve nuk është vendosur nga Beteja e Francës. Kjo është një luftë botërore. Janë bërë mjaft gabime, ka patur vonesa dhe vuajtje të pathëna, por fakti qëndron se ende ekziston në botë gjithçka që na duhet të shtypim armiqtë tanë një ditë. Sot jemi shtypur nga pesha e forcave të mekanizuara që na janë vërsulur, por ende mund të shohim drejt një të ardhmeje në të cilën një forcë edhe më e madhe do të na sjellë fitore. Fati i gjithë botës është në rrezik.

Unë, gjeneral de Gaulle, tani në Londër, i bëj thirrje oficerëve francezë he burrave, të cilët tani janë në tokën britanike, apo që mund të jenë në të ardhmen, me apo pa ushtritë e tyre. I bëj thirrje të gjithë inxhinierëve dhe punëtorëve të aftë nga fabrikat e armatimeve, të cilët tani janë në tokën britanike, apo mund të jenë në të ardhmen, të lidhen me mua.

Çfarëdo që të ndodhë, flaka e rezistencës franceze nuk duhet dhe nuk do të vdesë.

*Gjeneral de Gaulle zgjidhet kreu i qeverisë franceze në vitin 1945 dhe President në vitin 1958, 1965 dhe 1968.

Please follow and like us: