Albspirit

Media/News/Publishing

Leonardo da Vinçi pikturoi veten tek “Darka e fundit”?

 

Sipas një eksperti britanik artesh, mjeshtri i madh i Rilindjes italiane, Leonardo da Vinçi ka përjetësuar portretin e tij në dy prej dishepujve në një nga pikturat më përfaqësuese të piktorit të madh, “Darka e fundit”. Të dhëna nga periudha e rinisë së Leonardo da Vinçit ka shumë pak, përveç faktit që, sipas Giorgio Vasari, gjeniu i gjithanshëm i Rilindjes ishte një njeri me bukuri të rrallë. Dhe, edhe pse disa dijetarë të kohës kishin dyshuar gjithmonë se piktori toskan kishte portretizuar vetveten në një nga pikturat e tij, ashtu si kishin bërë para tij Andrea Mantegna dhe Benozzo Gozzoli dhe ndoshta në kohën e vet edhe Mikelanxhelo, deri më tani askush nuk kishte identifikuar piktura ose afreske ku kjo gjë të vërtetohej edhe për Leonardon. Por specialisti i arteve, Ross King, sugjeron se piktori i ‘Mona Lisa’ i ka dhënë karakteristikat e tij fizike dy apostujve që gjenden në pikturën e famshme ‘Darka e Fundit’, dhe pikërisht dishepujve Thomas dhe Jakobi i Vogël.

“’Darka e fundit’ nga Leonardo është vepra e vetme në të cilën askush, qoftë akademik apo amator, nuk ka kërkuar asnjëherë për të gjetur një portret të Leonardos”, – tha King për gazetën ‘Independent’ .
Prova e argumentit të tij mbështetet në një poemë pak të njohur, shkruar në vitet nëntëdhjetë të shekullit të pesëmbëdhjetë, nga miku i tij Gasparos Visconti, në kohën kur Leonardo ishte duke pikturuar ‘Darkën e Fundit’, në kishën Shën Maria, në Milano.

Në poemën në fjalë, Visconti ‘tallet’ me një artist të kohës, i shquar për pamjen e bukur, emrin e të cilit nuk e përmend, i cili ka vendosur autoportretin në pikturën e tij. Sipas studiuesit britanik, gishti i ngritur nga apostulli Thomas, në ‘Darkën e fundit’, duket sikur evokon një gjest tipik që i atribuohet Leonardos. Gjithashtu, King e mbështet teorinë e tij edhe në një portret të Leonardo da Vinçit që i përket vitit 1515, i bërë nga njëri prej asistentëve të tij, ku duket një njeri me bukuri klasike; me një hundë greke, flokë të gjatë dhe mjekër të madhe, kjo e fundit e rrallë për një burrë italian të epokës. Sipas King, dy apostujt e ‘Darkës së fundit’, ku sipas tij Da Vinçi ka përjetësuar vetveten, Thomas dhe Jakobi i Vogël, kanë të njëjtat karakteristika.

Please follow and like us: