Albspirit

Media/News/Publishing

Maqedoni, partitë politike shqiptare rrezikojnë shtyrjen e zgjedhjeve

Dy prej partive më të mëdha shqiptare në Maqedoni, të cilat janë BDI-ja dhe PDSH-ja nuk kanë deleguar anëtarë në këshillat zgjedhor brenda afatit i cili skadoi në mesnatën e ditës së enjte, duke rrezikuar në këtë mënyrë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. E vetmja parti e cila i ka dorëzuar listat e komisionerëve është partia VMRO-DPMNE, e cila kryesohet nga ish-Kryeminsitri Nikolla Gruevski. Nga ana tjetër, kreu i Unionit Social Demokrat, Zoran Zaev ka paralajmëruar bojkotin e zgjedhjeve në rast se nuk do të largohen politikanët të cilët sipas tij janë përgjegjës për praprambetjen e vendit.

Mosdorëzimi i listës së komisionerëve zgjedhorë brenda afatit të paracaktuar nga dy partitë më të mëdha shqiptare në Maqedoni, të cilat janë BDI-ja dhe PDSH-ja, mund të rrezikojë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në vend më datë pesë qershor. Ky veprim është interpretuar si një shprehje e vullnetit bojkotues nga forcat politike që kryesohen nga Menduh Thaci dhe Ali Ahmeti gjë që mund të shtyjë datën e zgjedhjeve. Zyrtarët e Partisë Demokratike Shqiptare, nuk kanë preferuar që të japin detaje për mediat, por kanë përsëritur edhe njëherë se janë në kontakt të vazhdueshëm me ndërkombëtarët dhe se do të përkrahin çdo alternativë të propozuar prej tyre për zgjidhjen e krizës. Deri më tani, e vetmja parti që ka dorëzuar listat zyrtare të komisionerëve është VMRO-DPMNE, e kryesuar nga ish-Kryeministri i Vendit, Nikolla Gruevski.

Nga ana tjetër, Unioni Social-Demokrat i Zoran Zaev ka mbajtur më herët një qëndrim zyrtar, duke deklaruar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje pa u pastruar listat zgjedhore si dhe pa u krijuar kushtetet e nevojshme për mbajtjen e procesit.

Shtyrja e zgjedhjeve është kërkuar edhe nga mijëra qytetarë maqedonas të cilët për ditë me rradhë kanë protestuar përpara institucioneve më kryesore të Maqedonisë. Edhe ata kanë kërkuar largimin e një klase politikanësh të cilët janë përgjegjës për prapambetjen e vendit.

Protestuesit kanë kërkuar gjithashtu që Presidenti, Gjorge Ivanov, të tërheqë vendimin e tij për pushimin e të gjitha cështjeve gjyqsore për politkanët që ndodheshin nën hetim. Ata kanë arsyetuar se ky verdikt i dhënë nga Presidenti është i jashtëligjshëm. Në Maqedoni ekziston edhe një krizë mes institucioneve shtetërore, pasi prokuroria speciale ka komunikuar se do të vijojë të hetojë për politikanët pavarësisht vendimit të Ivanov.

Please follow and like us: