Albspirit

Media/News/Publishing

Spahiu do të çelë festivalin e Letërsisë në Prishtinë

Xhevahir Spahiu do të çelë festivalin e Letërsisë në Prishtinë

Poeti Xhevahir Spahiu do të çelë edicionin e gjashtë ndërkombëtar të Letërsisë në Prishtinë, Polip, nga 13-15 maj. Gati 30 shkrimtarë nga vende të botës do të jenë të pranishëm përgjatë dy ditëve në Prishtinë në kuadër të Festivalit të Letërsisë.

Organizatorët kanë përzgjedhur që në këtë event poeti të recitojë vargje nga krijimitaria e tij. Ashtu siç ai me pak vështirësi, por me dëshirën e brendshme e bën edhe për Top Channel.

“Fjala. I thanë fjalës tani je e lirë/ po fjala s’kish fuqi t’u thosh: nuk më duhet”, Xhevahir Spahiu, shkrimtar

Fjala është një poezi që Spahiu e shkroi që në vitin 1986, kohë në të cilën liria që ajo përfaqësonte duhej të mbahej e fshehur.

“I thanë fjalës: ti je liria/ për ta kuptuar këtë të duhet fare pak./ Ajo e besoi/ ajo hapi gojë/ po në vend të tingujve /prej saj doli gjak”,rrëfen shkrimtari.

Veç këtij eventi poeti është i ftuar edhe në Mitingun e Poezisë me karakter ndërkombëtar të Gjakovës ku do të nominohet me një çmim nga Juria e këtij aktiviteti. Gjithashtu poeti është në prag të botimit të librit të tij të dytë në Francë.

Please follow and like us: