Albspirit

Media/News/Publishing

“Konformistët” e Alberto Moravias

Kur vepra “Konformisti” e shkrimtarit italian Alberto Moravia e pa dritën e botimit në shekullin e kaluar, në pushtet ende mrizonin fashistët. Nga kritika letrare e asaj kohe, “Konformisti” u lexua në mënyrë ambigue: në njërën anë ata që mbronin tezën se me këtë vepër Moravia po mbronte sistemin dhe, në anën tjetër, ishin ata që te “Konformisti” shihnin veçse një alegori kundër diktaturave të shekullit XX. Pas Luftës së Dytë Botërore e drejta doli të jetë në anën e këtyre të dytëve.

“Konformisti” i Moravia-s, më shumë sesa një roman, është një vepër psikologjike, e cila qëmton në rrafshin individual origjinën e fashizmit. Qytetar normal në Italinë fashiste konsiderohej secili që bindej ndaj ideologjisë në pushtet. Kjo prirje për normalitet e ndjek gjatë gjithë veprës edhe Marçelon, protagonistin e romanit.

Marçelo, pasi kalon një rini të vështirë me prindërit abuzivë, ngushëllim gjen fillimisht në vrasjen e insekteve. Por sa herë që kryen ‘gjenocid’ mbi insektet, pas çdo akti të vrasjes, ai ndihet gjithnjë e më i vetmuar. Që ta tejkalojë vetminë kërkon bashkëpjesëmarrës në krim. Kërkon nga miku i tij më i mirë që të bëhet dëshmitar në vrasjen e insekteve dhe, për më tepër, më vonë edhe vetë ai të marrë pjesë në këto vrasje. Në adoleshencë konformisti i Moravia-s, nga vrasja e insekteve kalon në vrasjen e njerëzve. Por, si edhe në rastin e insekteve, sërish pas aktit të vrasjes, ndihet i zbrazët. Sërish kërkon bashkëpjesëmarrës në krimin e tij të radhës, në mënyrë që ta tejkaloj ndjenjën e fajit. Mirëpo, tanimë, meqë nuk është në pyetje vrasja e insekteve, por vrasja e një njeriu, Marçelo përfundon si nëpunës shtetëror në qeverinë fashiste. Si pjesë e sistemit, ai, veç ngushëllimit për vrasjet që kishte kryer në të kaluarën, tashmë fiton sigurinë se mund të vritet në masë pa ndier kurrfarë faji: më nuk është i vetmuar në krim. Çdo vrasje e tij pretendohej se po bëhej në shërbim të sistemit dhe që pastaj dekorohet dhe merr duartrokitjet e njerëzve. Me “Konformistin”, Moravia përpiqet që ta demaskojë pikërisht hipokrizinë e të gjithë atyre që në shekullin XX thirreshin në ide të mëdha, në emër të të cilave u duhej edhe të vrisnin. Jeta njerëzore konsiderohej hiçgjë para ideologjisë dhe pushtetit, mbase ajo vendosej tërësisht në mirëmbajtjen e tij.

Siç do të kishte thënë shkrimtari francez Albert Camus: “Krimi në shekullin XX u bë logjik”. Po të gjykojmë me fjalorin e shkrimtarit tjetër francez Patrick Modiano: “… në këtë botë, ku pandehja se isha një i mbijetuar, u prisnin kokën edhe pemëve …”.

Në shekullin XVIII dhe XIX, ata që konsideroheshin si “qytetarë normalë” ishin pikërisht ata që pësonin katarsis para një shfaqjeje teatrale publike, ku të “çmendurve/anormalëve” u hiqej koka në gijotinë. Në shekullin XX, “normalët” e shoqërisë ngarendnin në masë pas ideologjive çmendurake, që rezultoi me dhjetëra miliona njerëz të vrarë. Në të dyja rastet, vrasja e tjetrit duartrokitej, kurse vrasësi dekorohej me medalje. I pari konsiderohej i çmendur dhe kjo ishte alibia që pastaj vritej, kurse i dyti konsiderohej normal, sepse gijotina ishte një mjet vrasës i domosdoshëm, i legalizuar nga pushteti.

Përmes “Konformistit”, Moravia ngre edhe një dilemë tjetër: se kush, në fakt, janë “normalët” e shoqërisë: ata që binden ndaj sistemit dhe vrasin për hir të tij apo anormalët (të shpallur nga pushteti që përkrahet nga shoqëria), të cilët janë kundër çdo vrasjeje në emër të qëllimeve të mëdha. Për Moravia-n, rreziku më i madh në kohëra të errëta nuk vjen nga ata që shumica i konsideron të çmendur, por nga normalët (e që janë shumica), të cilët çmendurisht binden ndaj çdo sistemi, qoftë edhe kur ai shndërrohet në një makinë vrasëse. Ai shkruan: “Njerëzit normalë s’janë të mirë, se normaliteti paguhet gjithnjë, me vetëdije apo jo, me çmim të lartë, me bashkëfajësi të ndryshme, po të tëra negative, me pandjeshmëri, budallallëk, poshtërsi, në mos kriminalitet”.

Vepra e Moravias përfundon në mënyrë tragjike, siç përfundojnë edhe vetë pushtetet totalitare. Marçeloja, vetëm pas rënies së fashizmit, i kupton motivet e vërteta që e kishin shtyrë të bëhej pjesë e një sistemi që i duartrokiste, edhe vrasjes në emër të tij. Ai kupton që ka vrarë dhe është bërë pjesë e një “makine vrasëse”, për shkaqe ekzistenciale: në pamundësi të realizimit të vetvetes, përballjes me vetminë, pamundësinë që të jetojë i lirë në një shoqëri, e cila nuk e cenon lirinë e tjetrit.

 

Please follow and like us: