Albspirit

Media/News/Publishing

Piktura më e shtrenjtë e një artisti të gjallë

Një pikturë abstrakte e artistit gjerman Gerhard Richter ka vendosur një rekord të ri për çmimin e paguar në një ankand për punën e një artisti të gjallë.

Piktura “Abstraktes Bild (809-4)”, është shitur për 34.2 milionë dollarë në shtëpinë e ankandeve ‘Sotheby’s’ në Londër, një çmim që është 10 herë më i lartë se sa ai që kitaristi britanik Eric Clepton (i apasionuar pas pikturave), pagoi për të njëjtën vepër dhjetë vjet të shkuara.

Blerësi anonim pagoi 34.2 milionë dollarë për pikturën abstrakte të artistit gjerman, gjatë një ankandi të mbajtur në shtëpinë e ankandeve ‘Sotheby’s’. Ndërkohë, përpara ankandit, piktura në vaj ku zotërojnë ngjyrat e kuqe, blu dhe e verdhë dhe që është krijuar në vitin 1994, mendohej të shitej deri në 15 mln dollarë. Çmimi me të cilin u shit piktura në fjalë është më i larti i dhënë ndonjëherë për një pikturë të Richter dhe njëkohësisht shifra më e lartë me të cilën është blerë në ankand një pikturë e një artisti që është ende gjallë, informon shtëpia e ankandeve  ‘Sotheby’s’.

Richter, 80 vjeç, ka lindur në Dresden dhe është rritur në Gjermaninë Lindore, por është arratisur në Gjermaninë Perëndimore në vitin 1961, pak përpara ndërtimit të murit famëkeq të Berlinit.

Shitja e pikturës së Gerhard Richter ka thyer rekordin e mëparshëm të vendosur në vitin 2010, për pikturën “Flamuri” të Jasper Jons, e cila në shtëpinë e ankandeve Christie’s, në Nju Jork, u shit për 28.6 milionë dollarë.

Please follow and like us: