Albspirit

Media/News/Publishing

Përse kaq mllef për familjen Hoxha?

Familja HoxhaNga Dalina Buzi

Lajmi se drejtuesja ekzekutive në fuqi e Top Channel, Vjollca Hoxha, humbi gjyqin ndaj dy aksionerëve të tjerë të këtij televizioni, të cilët kanë shumicën e aksioneve (60%), çuditërisht u prit mirë në rrjete sociale. Dhe nuk është çudi që të jenë të njëjtët njerëz që 4 muaj më parë përgëzuan të venë e Dritan Hoxhës, e cila fitoi gjyqin e parë për të marrë drejtimin e televizionit. 

Eksperienca e gjatë në komunikimin me rrjete sociale, na ka mësuar që të pjestojmë me 10-të (ose të mos i llogarisim fare), “të vërtetat” e komentuesve anonimë ose atyre që nuk kanë asnjë lidhje personale apo profesionale me protagonistët e një lajmi. Por gjithashtu, kemi mësuar që nëse veçmas komentet janë të pavlera, fryma totale (nëse do të merrnim një të mesme të përgjithshme të të gjithë qëndrimeve) shpreh një të vërtetë të perceptimit të njerëzve ndaj një individi apo fenomeni. Në rastin e lajmit të datës 10 Maj, kuptuam se shqiptarët aktivë në rrjete sociale, në përgjithësi kishin nisur të ushqenin një qëndrim armiqësor ndaj familjes Hoxha, ku shprehjet më të përdorura nëpër komente ishin: “Vajzat i bënë lekët e babait rrush e kumbulla” apo “Vjollca e shkatërroi televizionin”.

Fakti që humbja e gjyqit – që pritet të kalojë në apel – nga ana e Vjollca Hoxhës (aksionere me 40% së bashku me 4 fëmijët e saj), ishte një ndër lajmet më të klikuara në Anabel.al dhe në portale të tjera, tregon se njerëzit kanë një interes të madh ndaj zhvillimeve të këtij televizioni, ashtu siç kanë ndaj çdo lajmi të veçuar për dy prej vajzave më të përfolura të familjes, Lori dhe Sara. Fatkeqësisht, këto dy vitet e fundit, Top Channel e ka kaluar interesin nga ekrani në portale dhe ka fituar shikueshmëri më të lartë me telenovelën e jetës private dhe profesionale të familjes Hoxha që pasqyrohet në media të tjera, sesa me prodhimet që nxjerrin në ekranin e tyre.

Megjithatë, ky pasqyrim është i pashmangshëm, sepse bëhet fjalë jo vetëm për një televizion kombëtar, por për një “household name”  që falë vizionit të themeluesit të ndjerë, Dritan Hoxha, u kthye në “bukën dhe ujin” e gjithë shqiptarëve me një fuqi ndikuese të jashtëzakonshme, që nga ndikimi në politikë e deri në gjëra të thjeshta në jetën e përditshme: kafja që pinim e që duhet të ishte Lori, veshjet që vishnim që ndikoheshin nga prezantuesë të Top Select-it, muzikën që pëlqenim që na e sillte Top Fest, miq “virtualë” që krijuam të cilët ishin banorë të shtëpisë së ‘Big Brother’, “kishë” ku faleshim për hallet tona që ishte “Fiks Fare” etj. Lidhja e ngushtë që krijuam me këtë televizion, i cili mbushi jetët e varfra të shqiptarëve dhe i dha një zë çdo kategorie, ishte një prej lidhjeve më të forta media private-publik që ka ekzistuar dhe besoj se do të ekzistojë ndonjëherë.

Ndaj nuk është e çuditshme që njerëzit të kenë një interes kaq të madh ndaj këtij televizioni e të revoltohen me zhvillimet e fundit, madje të marrin edhe rolin e trupit gjykues e të vënë gisht mbi fajtorët që sipas tyre kanë çuar në rënie të popullaritetit dhe ndikueshmërisë së këtij ekrani. Gjyqi që po i bëhet këto kohë këtij televizioni, është më i ashpër se çdo lloj gjyqi tjetër nga publiku drejt një mediaje, edhe pse kur sheh vërdallë, ka plot televizione, gazeta e media online që meritojnë kritika më të ashpra, duke nisur nga televizioni publik që vazhdon prodhon konflikte e lajme partiake me taksat tona e deri tek programe të veçuara të cilat promovojnë dhunën, vajzat gjysëm nudo – të cilat vetëm sa nuk e thonë me zë të lartë, që marrin lekë në shkëmbim të seksit- televizione e gazeta që vendosin gjoba ndaj bizneseve, apo portale që publikojnë çdo gjë, deri tek foto njerëzish në rrugë e fëmijësh të pafajshëm për ca klikime më shumë.

E vetmja gjë e bukur në këtë mes është fakti që publiku, ende ushqen dashuri për Top Channel dhe si rrjedhojë, dhimbsuri. Ndërsa e shëmtuara në të gjithë këtë histori është fakti, që gjyqin më të ashpër publik po e merr familja Hoxha, duke nisur nga matriarku e kësaj familjeje, Vjollca Hoxha.

Ajo çfarë njerëzit nuk kuptojnë ose nuk duan të kuptojnë, është fakti se e veja e Dritan Hoxhës ka ardhur në drejtim ekzekutiv rreth 5 muaj më parë ose në gjuhën televizive “gjysëm sezoni më parë”, ndërsa televizoni “Top Channel” ka nisur një rënie graduale të cilësisë së prodhimeve (gjithmonë duke i matur standartet me vetveten, meqënëse në këtë formë ka garuar) që pas ndarjes nga jeta të Dritan Hoxhës në 23 Maj 2008.

Aftësia e Tanit qëndronte në gjenialitetin e tij. Ai ishte 10 hapa përpara të tjerëve dhe çfarëdo që ai e shihte si sukses të ardhshëm, çdo njeri që kishte përreth e kuptonte vetëm kur produkti hidhej në treg dhe kishte marrë rezultatet sipas parashikimeve të Tanit. Por talenti autodidakt dhe vizioni ishin izoluar në trurin e tij dhe e vetmja mënyrë që ky vizion të përçohej tek masa, do të ishte nëse përreth Tanit të kishte njerëz të talentuar (siç ka pasur për shumë kohë) të cilët do ta kuptonin idenë e do ta përcillnin tek publiku ashtu siç duhej duke i shtuar dhe eksperiencën e talentin e tyre.

Fatkeqësia e Tanit, qëndron në faktin që ai kurrë nuk e mendonte (dhe s’kishte se si!) se do ta largohej nga jeta në moshën 38-vjeçare, në kulmin e energjisë, duke lënë pas një boshllëk të jashtëzakonshëm që ishte mungesa e trurit të tij. Pa atë vizion dhe gradualisht edhe pa mendje të tjera krijuese që nisën të largoheshin nga ky televizion që nga viti 2005, Top Channel ngeli me shumë ekzekutues dhe me shumë pak vizionarë. Edhe nëse këta të fundit, kishin fuqi për vepra të bukura (të cilat vijuan edhe pas vdekjes), sërish në rolin e rrogtarit, fuqia e tyre ishte e kufizuar dhe përballe një drejtimi nga ekzekutues të thjeshtë pa aftësi krijuese dhe pa një vizion të qartë në raport me kërkesat e tregut, “rrogtari krijues” i cili nga natyra ka nevojë për nxitje dhe liri, por edhe për shpërblim financiar, do të humbte frymëzimin, që do të ndikonte edhe në një “letargji” të televizionit që u përpoq për vite me rradhë nën moton “Ëndrra vazhdon” të vijonte me shënimet e mbajtura nga koha e Tanit.

Ne që falim çdo gjë e ri-besojmë deklarata nga politikanë hajdutë të cilët kanë vjedhur me miliona dollarë në tendera, e kemi të vështirë të mirëkuptojmë situatën në Top Channel -një situatë që është krejtësisht normale edhe në botë, pas humbjes së forcës më të madhe krijuese – dhe e paskemi shumë të lehtë të vëmë gisht mbi gratë e familjes Hoxha, duke i quajtur ato fajtore për gjendjen e televizionit.

Kjo ka të bëjë edhe me një farë mosbesimi që ushqejmë ndaj grave sipërmarrëse në këtë vend ende shumë seksist, ka të bëj edhe me një “urrejtje” të fshehtë që kemi ndaj të pasurve, ves i induktuar nga komunizmi, me një vetë-kënaqësi djallëzore që marrim kur shohim se njerëz, stilin e jetës të të cilëve ne zilepsim (Si garderoba e Lori Hoxhës dhe pushimet e saj në Maldive) vihen në vështirësi. Por nuk ka të bëj fare me të vërtetën, e cila qëndron në faktin, se Vjollca Hoxha, Lori Hoxha, Sara Hoxha, Redia Hoxha dhe Itan Hoxha janë familja dhe gjaku i themeluesit dhe të parët që e kanë dashur themeluesin më shumë se kushdo tjetër dhe të parët që duhet të kenë zë në trashëgiminë, që në fund të ditës, i përket familjes së tyre.

Nuk duam të kuptojmë as faktin që nuk është kjo familje “fajtore” për humbjen e magjisë së Top Channel, sepse po ta zgjasim pak memorjen tonë, magjia ka humbur kur drejtimi i tyre ende s’kishte hyrë në fuqi; nuk janë këta fajtorë as për largimin e të gjithë emrave të njohur të medias, sepse një pjesë janë larguar duke nisur nga koha e Tanit e më tutje; nuk janë fajtorë edhe për zgjedhjet redaksionale, sepse një pjesë e vendimeve janë marrë në grup, ku Vjollca nuk përbënte shumicën. Nuk janë as fajtorë për humbje të mundshme financiare, sepse një pjesë e investimeve janë nisur e janë mbyllur pa sukses gjatë këtyre viteve dhe jo gjatë 5 muajve të fundit. Vjollca dhe familja e saj gjithashtu nuk kanë asnjë faj për shpenzimin e parave dhe pushimet që vendosin të bëjnë në botë, sepse e para, si aksionerë, ata kanë të drejtë të përdorin si të duan fitimet e tyre, ashtu si çdonjeri prej nesh ka të drejtë të bëj ç’të dojë me rrogën e tij/e saj dhe askush nuk i kërkon llogari dhe së dyti, burimet e të ardhurave të kësaj familjeje (në rast se nuk na zë gjumi natën duke menduar se po harxhojnë buxhetin e televizionit), vijnë edhe nga biznese të tjera si Digitalb, Lori Café etj.

Vjollca Hoxha nuk ka asnjë faj që të kërkoj drejtimin e një televizioni që nuk do të ekzistonte, (ose të paktën jo me kaq bujë) nëse i shoqi, Dritan Hoxha nuk do ta kishte projektuar në trurin e tij dhe për më tepër, ajo nuk është fajtore të mendoj se mund ta bëj më mirë se paraardhësit, kur televizionin nuk e gjeti me kulme shikueshmërie, por me rënie.

A do ta bëjnë më mirë Vjollca, Lori, Sara televizionin se ç’ka qënë? Fillimisht, për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet që të largojmë nga mendjet tona Tanin si matës. Tani ishte i izoluar në llojin e vet dhe këto 9 vitet e fundit, kemi vërtetuar që ka qënë vërtet i pakonkurrueshëm përsa i përket mediave elektronike. Por Tani nuk jeton më. Matësi “Tani” duhet hequr përfundimisht nga mendjet tona.

Ri-pyesim: A do ta bëjnë më mirë Vjollca, Lori, Sara televizionin se ç’ka qënë këto vitet e fundit? Ndoshta. Nëse kanë mençurinë të  shohin gabimet e të shkuarës dhe të vlerësojnë sukseset e konkurrentëve në raport dhe me kërkesat gjithmonë e në ndryshim të tregut, edhe mund të ndodhë. Nëse do t’i qëndrojnë parimeve bazë të këtij televizioni kombëtar: Paanshmërinë, gjithpërfshirjen, qytetarinë dhe nivelin e lartë të përmbajtjes, edhe mund të godasin në shenjë.

Dy gjëra është e sigurt se do ta ndihmojnë këtë familje: E para, publiku ka ushqyer dashuri për Top Channel, ndryshe nga çdo media tjetër dhe kjo dashuri (edhe pse së fundmi shprehet në formë urrejtjeje apo mllefi) vazhdon. E dyta, familja Hoxha ka dashuri për këtë televizion ndoshta më shumë se kushdo tjetër, sepse të paktën, në venat e katër fëmijëve, buron gjaku i atij që “dha shpirtin” për krijimin e emrit më të famshëm në historinë e medias shqiptare. Këto dy dashuri, nëse do të vlerësohen siç duhet, janë hapi i parë pozitiv drejt ngjitjes. Por jo aq domethënës, në rast se nuk kombinohen me punën dhe me ato çfarë përmenda më sipër.

Ajo çfarë ne duhet të bëjmë, është të mos presim Top Channel-in e kohës së Tanit. Sepse as koha e Tanit nuk është më sot. 80% e shikuesve të rinj (publik shumë i fortë i TCH dikur) kanë braktisur ekranin e vogël dhe kanë kaluar në celularë e marrin çdo informacion nga interneti. Në kohën e Tanit, “Klani” merrte shënime nga Top Channel, por tashmë është Topi ai që duhet të shohë me kujdes fuqizimin e madh të konkurrentit më të ashpër, që mbështetet në një formulë fituese në shumë vende të botës: Prodhime të pavarura të cilat blejnë kohën e transmetimit në Klan. Në kohën e Tanit, VIP-at e rinj krijoheshin nga Top Channel, ndërsa sot, VIP-at edhe vetë-krijohen me foto të bukura në Instagram. Në kohën e Tanit, ishte një , një Fiks Fare, një “Portokalli”, ndërsa sot të gjitha këto formula janë duplikuar ose trefishuar dhe me sukses.

Sot aftësia e familjes Hoxha – nëse fiton plotësisht të drejtën e aksioneve – do të shihet në mënyrën se si do të arrijë që t’a përshtasë televizionin me kërkesat e një tregu modern dhe tejet të informuar nga interneti dhe jo të vijojë një vizion të vjetër zhvillimi që për hir të së vërtetës, ngeci prapa si shkak i një fatkeqësie të madhe.

Unë nuk dua të luaj as rolin e avokatit (sepse nuk jam) dhe as të gjykatësit (sepse ligjet të tjerë i dinë më mirë se unë), por besoj fort, se përderisa “burra më të mirë” nuk arritën ta vazhdojnë ëndrrën e Tanit, ashtu siç e kënduan me entuziazëm çdo fundvit, le t’i japim një shans trashëgimtarëve të themeluesit, të provojnë se ç’mund të bëjnë. Jemi të famshëm si popull se u kemi dhënë e ri-dhënë shanse atyre që e trajtuan Shqipërinë si të ishte prona e tyre, ndaj është qesharake të persekutojmë një familje që në fund të fundit, kërkon vetëm të kontrollojë dhe të përmirësojë pronën e gjakut të saj.

Please follow and like us: