Albspirit

Media/News/Publishing

Si e fitoi Kosova për të dytin vit një garë të NASA-s për aplikacione në celularë: flet kreu i grupit Labinot Bajrami

Labinot bajrami

Ditë më parë, Kosova ka fituar një garë të madhe, “NASA SpaceAppsChallenge”, po aq me vlerë në emër të njohjes dhe prestigjit ndërkombëtar sa dhe pranimi në UEFA; edhe për faktin  se u zhvillua për të dytin vit rradhazi në Prishtinë. Përreth 72 orë, njerëz nga e gjithë bota, studentë, ekspertë, inxhinierë, dizajnerë e artistë të ndryshëm, iu bashkuan kësaj gare, prej më të njohurave në botë sa i takon sjelljes së risive në teknologjinë e celularëve me inovacione dhe aplikacione që janë në dobi e shërbim të njerëzve si dhe japin zgjidhje për probleme të ndryshme në rang global.

Labinot Bajrami, i riu kosovar  në kye të grupit NASA SpaceAppsChallenge Prishtina, rrëfen më në detaj atë çka ndodhi në këtë konkurim dhe se me cc’lloj aplikacioni fitoi Kosova…  

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

Bajrami, fillimisht a mund t’na tregoni se ç’është “NASA SpaceAppsChallenge”?

NASA SpaceAppsChallenge është një ndër garat më të mëdha në botë që ne e quajmë ‘hackathon’, e cila organizohet në tërë botën ku për 48 deri në 72 orë, zhvillues të softuerit, dizajnerë, zhvillues të aplikacioneve mobile, ekspertë të lëmejve të ndryshëm të TI-së, artistë dhe njerëz nga profile të ndryshme bashkohen për të zgjidhur problemet ekzistuese përmes të dhënave publike të cilat NASA i publikon në faqen e tyre.

Çfarë aplikacionesh u paraqitën në këtë garë?

Në këtë garë duhet të paraqiten aplikacione, apo më mirë të themi zgjidhje për këto kategori: teknologji, aeronautikë, për stacionet hapësinore, sistemin solar, Tokën dhe udhëtimin për në Mars. Nëpër secilën kategori ekzistojnë probleme të ndryshme të cilat NASA i paraqet për pjesëmarrësit e kësaj gare. Secila kategori ka në vete tri deri shtatë probleme ku një ekip zgjedh njërën nga ato për ta zhvilluar.

Si shkoi ky organizim?

Në këtë aspekt, ICK (InnovationCenterofKosovo) ka bërë një punë të mrekullueshme. Organizimi ka qenë shumë i mirë ku gjatë gjithë kohës sa kemi qenë aty jemi vizituar nga mentorë të ndryshëm, të cilët ishin zgjedhur paraprakisht nga ICK-ja dhe të cilët ishin njerëz që kanë arritur sukses shumë të madh në aspektin e teknologjisë informative në Kosovë. Pra, nga kjo kuptohet që këshillat e tyre kanë qenë shumë profesionale dhe të cilat neve na kanë ndihmuar shumë gjatë garës, por edhe më tej. Gjithashtu, organizatori është kujdesur që të kemi edhe aktivitete relaksuese si p.sh. ping-pong, futboll në tavolinë, etj.

Cili ka qenë interesimi për pjesëmarrje në këtë garë?

Interesimi ka qenë shumë i madh. Njëra prej arsyeve që ka bërë që ne të interesohemi për këtë ngjarje ishte edhe suksesi i vitit të kaluar nga ekipi kosovar NatEv, ku përmes këtij suksesi kemi mësuar se edhe ne nga Kosova jemi në gjendje të ofrojmë zgjidhje të shkëlqyeshme të problemeve për të gjithë njerëzimin.

Po konkurrenca?

Duke pasur parasysh se të gjitha ekipet pjesëmarrëse ishin shumë të motivuara, atëherë që nga fillimi kemi qenë në dijeni se konkurenca do të jetë shumë e fortë dhe se për të triumfuar do të na duhej një ide e mrekullueshme dhe një realizim i shkëlqyeshëm.Vlen të ceket se njëra nga ekipet pjesëmarrëse kishte zgjedhur po të njëjtin projekt sikur i yni për ta zhvilluar, pra përpos që kishim konkurencë nga kategoritë tjera, kishim konkurencë interne edhe në kategorinë tonë.

A mund t’na tregoni si u përzgjedhën idetë dhe mbi ç’bazë janë vlerësuar ato?

Siç e përmenda edhe më lart, të gjitha idetë (projektet) i publikon NASA në faqen e tyre dhe ekipet duhet ta zgjedhin njërën nga idetë për ta zhvilluar atë. Ne si ekip e kemi parë të arsyeshme që ta zgjedhim një projekt nga kategoria e Tokës, për shkak se ne jetojmë në të dhe në këtë mënyrë do t’i ndihmonim njerëzve në mbarë botën. Idetë janë vlerësuar në bazë të dizajnit të tyre dhe në bazë të shfrytëzimit të të dhënave publike që NASA i ofron. Një pikë shumë e fortë të cilën NASA e vlerëson shumë është sesa është i lehtë apo i përdorshëm për shfrytëzuesit e thjeshtë ai aplikacion apo program. Ne ishim shumë të fokusuar në këtë pikë dhe mendoj se ia kemi arritur qëllimit. Pika tjetër që NASA e vlerëson shumë, është se si një ekip i shfrytëzon të dhënat publike që ata i ofrojnë. Edhe në këtë pikë, ekipiynë i shfrytëzoi mjaft mirë këto të dhëna ku përmes disa logaritmeve kemi arritur që të krijojmë të dhëna shumë të nevojshme për njerëzit.

NASA space challange

Me çfarë aplikacioni u prezantuat atje, si funksionon dhe kujt i hyn në punë më së shumti?

Ne u prezantuam me një aplikacion i cili bënë lokalizimin e tërmeteve, shkrirjes së akullnajave dhe stuhive të cilat ndodhin në kohë reale. Aplikacioni merr vendin se ku gjendet shfrytëzuesi, pastaj përmes disa logaritmeve ne e gjenerojmë një përqindje sesa është në rrezik ai shfrytëzues nga ato dukuri. Nëse në aplikacion i shfaqet 0 deri 60%, atëherë shfrytëzuesit i shfaqet se ai nuk është në rrezik nga ato dukuri, nëse i shfaqet 60 deri 90%, atëherë aplikacioni e udhëzon shfrytëzuesin që t’i kontaktoj autoritetet, e nëse i shfaqet 90 deri 100%, atëherë aplikacioni e lajmëron shfrytëzuesin se është në rrezik dhe përmes të dhënave që i marrin nga NASA e drejtojmë atë drejt një strehimore të sigurt. Në aplikacion gjithashtu shfaqen të dhëna rreth motit, shpejtësisë së erës, drejtimin e erës, numrat telefonik të autoriteteve etj. Përmes këtij aplikacioni një shfrytëzues mund që ta filmojë apo fotografojë një katastrofë natyrore që është duke ndodhur dhe ta shpërndajë nëpër rrjete sociale dhe kështu t’i lajmërojë të tjerët. Po ashtu, shfrytëzuesi nëse është i sigurt nga ajo katastrofë natyrore, atëherë mund ta markoj veten si të sigurtë dhe ta shpërndajë nëpër rrjete social ashtu që t’i lajmërojë të tjerët se ky është i sigurtë.

Si ju lindi ideja për të?

Pasi që i shikuam të gjitha propozimet e NASA-s, atëherë menduam se kategoria ku ne mund të japim kontributin më të madh ishte kategoria e Tokës. Të gjithë dakord dhe filluam të mendojmë rreth kësaj ideje ku më pas rrodhën ide shumë të mira të cilat i integruam në aplikacion për të cilat folëm më herët.

Grupi i juaj përbëhet prej gjashtë vetash. Si rrodhi puna dhe me çfarë sfidash u përballët gjatë krijimit të aplikacionit?

Që nga fillimi i garës ne e dinim se koha e realizimit ishte vetëm 72 orë dhe si e tillëishte e mjaftueshme që të zhvillohet një aplikacion si ky, kështu që iu përkushtuam punës. Puna shkoi shumë mirë nga fillimi e deri në fund.Mirëpo, gjatë kësaj kohe kishim sfida të ndryshme, ku më e madhja ishte pagjumësia. Brenda 72 orëve kemi bërë vetëm 6 orë gjumë. Sfidë tjetër ishte edhe aspekti i zhvillimit të aplikacionit ku ndonjëherë nuk gjenim të dhënat që na duheshin e si pasojë e kësaj duhej të kërkonim 2 – 3 orë deri sa arrinim tek rezultati që dëshironim si dhe sfida të ndryshme, por që në fund u shpërblyen.

Pasi që ju u shpallët fitues në një garë shumë të fortë. A mund të ndani me lexuesit tanë momentet kur u zbulua se aplikacioni juaj është zgjedhur si më i miri?

Fillimisht para jurisë u prezantuan të gjitha aplikacionet apo programet e zhvilluara. Ne ishim të parafundit në prezantim. Pasi që mbaroi prezantimi i të gjitha ideve, juria kërkoi që salla ku ishim të zbrazej në mënyrëqë ata të merrnin vendimin. Të gjithë garuesit dolën në katin e sipërm dhe të gjithë ishim në emocione të mëdha. Pa kaluar gjysmë ore, juria kërkoi që ne të ktheheshim në sallë. Fillimisht u nda një çmim për një ekip nga një kolegj kosovar. Pastaj filloi ndarja e çmimeve të NASA-s, ku ne si ekip fituam vendin e parë për nominim global dhe njëherësh ky ishte çmimi kryesor i kësaj gare.

Momenti kur u zbulua se ne jemi fitues ishte një ndjenjë e veçantë, pasi që të krijosh një zgjidhje për 72 orë dhe të konkurrosh me të gjithë botën, me të vërtetë të bënë krenar. Për mua personalisht ishte një nga momentet që nuk do t’i harroj kurrë.

Bajrami, çka do të thotë për ju pjesëmarrja në “NASA SpaceAppsChallenge”?

Për mua ishte një mundësi shumë e mirë që të tjerët ta shohin punën tonë përmes së cilës ne synojmë të promovohemi, së pari në NASA, e më pas në tregun kosovar dhe më gjerë. Sesa ishte e rëndësishme pjesëmarrja në këtë garë e tregon edhe vet interesimi i kompanive të huaja dhe vendore që të bashkëpunojnë me ne. Në këtë mënyrë për ne po hapën mundësi të shumta të zhvillimit të mëtutjeshëm të karrierës sonë.

Cili është interesimi i rinisë sonë për krijim të softuerëve kompjuterikë dhe aplikacioneve të telefonave?

Fatmirësisht interesimi i rinisë sonë këto katër vjetët e fundit është rritur dukshëm në këtë aspekt. Vazhdimisht na bie të jemi në kontakt me rininë tonë dhe shumë prej tyre kanë filluar që të studiojnë shkencat kompjuterike. Vet interesimi i madh në këtë garë është e dhe tregues i mirë se rinia kosovare është duke përparuar në këtë aspekt.

A gjejnë ata mbështetje për të çuar para talentin e tyre?

Lirisht mund të them se po. Sot ka shumë kompani në Kosovë të cilat ofrojnë trajnime falas për studentët e kësaj lëmie. Kështu që nëse ata dëshmojnë se janë të aftë dhe punëtorë, atëherë atyre iu ofrohet edhe mundësi punësimi.

A ka potencial të mjaftueshëm vendi ynë të shndërrohet një pikë reference i outsourcing të kompanive të mëdha të teknologjisë informative?

Disa nga ne që kemi përvojë pune e dijmë se kompanitë kosovare punojnë me tregun e jashtëm, pra si outsourcing. Në Kosovë ka kompani vendore të cilat bashkëpunojnë me kompani të mëdha ndërkombëtare. Vendi ynë ka potencial dhe këtë e ka dëshmuar në shumë raste. Mirëpo duhet ende punë që të jemi të gatshëm të punojmë me kompani të mëdha siç janë: Google, Facebook, Twitter, Yahoo etj.

Tani çfarë keni në plan? Do të konkurroni në gara të tjera prestigjioze të IT-së me të njëjtin aplikacioni, apo jeni inkurajuar që të nisni ndonjë projekt të ri?

Për momentin jemi të fokusuar që ta përfundojmë aplikacionin që e kemi zhvilluar për NASA-n dhe synimi ynë është që ta fitojmë këtë garë edhe globalisht. Sigurisht se do të konkurrojmë edhe në gara tjera prestigjioze të TI-së, të cilat organizohen në Kosovë apo në ndonjë vend tjetër fqinj, por jo me të njëjtin aplikacion, sepse ky aplikacion është i dedikuar vetëm për NASA-n. Pa dyshim se jemi të inkurajuar që të zhvillojmë projekte tjera të cilat do t’iu ndihmojnë njerëzve në të gjithë botën.

Kur mund të presim një çmim të ri nga ekipi juaj?

Me shpresë se do të fitojmë edhe në garën globale, atëherë mund të themi se brenda dy muajve mund të prisni njëçmim të ri nga ne. Gjithashtu çdo garë në të cilën ne do të marrim pjesë do të synojmë vendin e parë.

Please follow and like us: