Albspirit

Media/News/Publishing

Manjani: S’ka urdhër-arrest ndërkombëtar për Balilin

Manjani: S’ka urdhër-arrest ndërkombëtar për Balilin. LSI nuk mbron asnjë që shkel ligjin
Manjani: S’ka urdhër-arrest ndërkombëtar për Balilin. LSI nuk mbron asnjë që shkel ligjin

Ministria e Drejtësisë ka një rol të rëndësishëm në operacionet ndërkombëtare kundër krimit të organizuar, edhe në rastin e operacionit të ndërmarrë nga policia greke, ajo shqiptare dhe DEA amerikane kundër një rrjeti ndërkombëtar lëndësh narkotike, që dyshohet se drejtohet nga Klement Balili.

Megjithatë, ndaj këtij të fundit nuk ka ende një urdhër-arresti nga pala greke. Këtë e konfirmoi për Top Story me Sokol Ballën vetë ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani. Manjani tha se LSI distancohet nga të tillë persona dhe foli edhe për aktualitetin politik të ditës, marrëdhëniet brenda maxhorancës dhe me presidentin.

Intervista

Sokol Balla: Le ta nisim me rastin e denoncuar nga mediat greke për një operacion të madh policor të trafikut të drogës, që citojnë një ish-zyrtar të lartë transportesh, Debati është i rëndë, Balili është zyrtar i LSI-së, është emëruar aty nga një dikaster i drejtuar nga LSI, megjithatë Berisha nuk e lidhi për asnjë moment LSI me Balilin?

Ministri Ylli Manjani: Nuk kam ndërmend që të përgjigjem se çfarë thotë Berisha apo X apo Y. Ngjarja në fjalë është një hetim i nisur në Greqi, një histori e ndjekur nga institucionet tona hetimore, prokuroria dhe policia. Kjo nuk ka lindur 48 orët e fundit, por ka muaj që mbikëqyret në një operacion shumë të gjerë, ku qendra është Greqia. Në këtë qendër ka patur informacione për përfshirje të shtetasve shqiptarë, prokuroria dhe policië në kuadër të bashkëpunimit me fqinjët, kërkojnë hera-herës ndihmën e ministrit të Drejtësisë që të përcjellë letër-porosi dhe në këtë rast unë si ministër kreva detyrën. Kaq mund të them sepse është ende një operacon në vazhdim. Nëse i referohemi emrit konkret, zoti Balili deri kur flasim nuk ka asnjë rekord kriminal në Shqipëri. Është një qytetar i lirë dhe së dyti nuk përfaqëson LSI, nuk është anëtar i LSI, por ka kryer deri më sot një detyrë publike. LSI është partia e vetme e disiplinuar për këto gjëra edhe në statut, që do të thotë që nuk japim mbrojtje publike dhe politike askujt.

Sokol Balla: Ka patur akuza direkte drejtuar ndaj Ministrisë së Brendshme për mosarrestimin e këtij personi, për këtë person a ka një mandat arresti ndërkombëtar?

Ylli Manjani: Në dijeninë time zyrtare deri më tani nuk ka asnjë urdhër arresti. Në rekordin zyrtar të prokurorisë dhe policisë nuk ka një urdhër të tillë.

Sokol Balla: Atëherë si shpjegohet dalja e këtij informacioni kaq të strukturuar, pasi nga mediat serioze greke cilësohet si baroni i drogës?

Ylli Manjani: Mendoj që e gjithë kjo zallamahi publike nuk shkon në favor të hetimit profesional të çështjes, e vendos akuzën në pozitë të vështirë për të mbrojtur akuzat ndaj personave konkretë. Asnjëherë nuk është lajm i mirë përveç shuarjes së kuriozitetit publik, që për shkak të klimës populiste, jo vetëm në Shqipëri, dëmton procesin e hetimit dhe gjykimit.

Sokol Balla: Burime policore kanë thënë për Top Channel mbi pamundësinë e ndalimit të këtij personi. Sot Kryeministri i bëri një mbrojtje këtij operacioni në Kuvend, ku e quajti të suksesshëm me DEA-n dhe grekët. Ka një paradoks këtu, se po të ishte kjo që thoni pse do ta mbronte kryeministri operacionin?

Ylli Manjani: Kryeministri ka dashur të thotë situatën pas akuzave të opozitë…

Sokol Balla: Një muaj më parë kishim një situatë të ngjashme, Rama e Tahiri në SHBA u arrestua Shullazi këtu, këtë herë Meta në Amerikë arrestohet një i LSI-së këtu…

Ylli Manjani: Nuk shoh ndonjë konspiracion të kësaj natyre këtu. Ky është një operacion rutinë. Mund të them që Meta ka vizitë të rëndësishme në Uashington sot dhe nesër që do të kontribuojë edhe më shumë për reformën në drejtësi.

Sokol Balla: Thoni që vizita e Metës do të kontribuojë më shumë se ajo e Ramës?

Ylli Manjani: Edhe më shumë. Janë komplementare?

Sokol Balla: Një tjetër që kompromenton LSI-në është edhe ajo e Golemit. Mendoni që janë shenja presioni ndaj LSI-së këto?

Ylli Manjani: Rastet që ju thoni janë rastësi. Çështja nuk është kaq e thjeshtë, LSI, PS, PD. Jo gjithçka është e lidhur me partitë. Nuk ka parti që të mësojë njerëzit dhe t’u thotë hap traun dhe vrit një fëmijë. Nëse ka persona që shkelin ligjin unë bëj mbështetje publike prokurorisë dhe policisë që të hetojë dhe arrestojnë cilindo që shkel ligjin.

Sokol Balla: Prej dy ditësh ka një debat të fortë për thirrjen e Erion Veliajt për një protestë përballë gjykatës në prag të procesit mbi ndërtimin pranë digës, që e quajti të manipuluar nga gjykata dhe Presidenti i Republikës. Ka patur një reagim të fortë dhe të ashpër nga opozita dhe sot reaguan Presidenti dhe KLD, ju jeni me Nishanin apo Veliajn? Mos më thoni që jeni me  Artan Fugën?

Ylli Manjani: Më pëlqeu reagimi i profesor Fugës. Thirrja ime është që gjykata të shqyrtojë çështjen dhe të gjitha çështjet me qetësi dhe të gjykojnë shpejt sepse administrativja edhe jo për fajin e tyre gjithmonë, nuk po gjykon shpejt. Kemi çështje shumë më të rëndësishme për të gjykuar. Më shqetëson shumë dhe mendoj që edhe ne në Shqipëri në mënyrën si kemi ndërtuar politikën, po orientohemi nga reagimi populist më shumë se tek  ai reagimi njerëzor dhe human. Është e thjeshtë që të dalësh e të shash dikë që nuk mbrohet dot.

Sokol Balla: Megjithatë ju jeni në top 3 të personave që keni kritikuar gjyqtarët…

Ylli Manjani: Këtë e kam bërë në kuadër të ministrit të Drejtësisë dhe në forume, asnjëherë në sallën e gjyqit. E rëndësishme është që të mos bëhet presion tek vendimmarrësi.

Sokol Balla: Çështja e pajisjes së përgjimit, që sipas mediave është blerë nga Ministria e Brendshme dhe kjo u denoncua sot nga Presidenti dhe menjëherë prokuroria deklaroi se nisi hetimi. Jeni në dijeni të një pajisjeje të tillë?

Ylli Manjani: Jo nuk jam në dijeni dhe nuk kam asnjë mundësi që të jem në dijeni nëse është e vërtetë. U bë zyrtar edhe qëndrimi i Presidentit dhe prokurori ka nisur hetimet qoftë edhe për të sqaruar atë gjë nëse është dhe çfarë është. Pajisjet e përgjimit në Shqipëri administrohen në mënyrë të kufizuar dhe gjithmonë me urdhër të prokurorit dhe ka dy llojë përgjimesh, parandaluese dhe përgjime procedimi penal.

Sokol Balla: Keni marrë kompliment nga Presidenti sot…

Ylli Manjani: S’ka nevojë për komplimenta. Ne bashkëpunojmë me Presidentin dhe kjo është çështje zyrtare dhe jo komplimentesh. Unë shkoj shumë mirë me Presidentin, unë vetë, në kuptimin e kryerjes së detyrave ligjore dhe kushtetuese.

Sokol Balla:  Megjithatë, duke sikur reforma në drejtësi ecën deri diku mirë, pastaj ndodh dicka…

Ylli Manjani: Ka një vështirësi filozofike. Ka dy mënyra për të reformuar një sistem të kalbur, të lodhur dhe i tejlodhur dhe i pabesueshëm. Ka dy rrugë, kemi modelin francez të përmbysjes me revolucion dhe modeli anglo-sankson që përmirësohet. Ne kemi zgjedhur qasjen që të mos bëjmë revolucion. Është më i lehtë revolucioni, por nuk dihet se ku del fundi.

Sokol Balla: LSI do të votojë reformën siç është sot?

Ylli Manjani: LSI ka një qëndrim zyrtar, që me 20 votat që LSI  ka në Kuvend, duhej të votohej që dje.

Sokol Balla: Si ju duket amendamenti i PD? Përpjkekje për të rregulluar diçka apo pretekst shtesë për ta shtyrë?

Ylli Manjani: Çdo propozim që dihet është vlerë e shtuar, por tani jemi në presionin e kohës duhet ta bëjmë një orë e më parë miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe më pas të përqendrohemi tek reforma në drejtësi.

Marrë me shkurtime nga Top Story

Please follow and like us: