Albspirit

Media/News/Publishing

Dashuri në kohërat e teknologjisë

Ne, bashkudhëtarë të njerëzimit, historisë, legjendave, besimeve fetare e kulturave të ndryshme botërore. Ne, produkt i perandorive e dinastive, luftrave, fitimeve dhe humbjeve, civilizimit e qytetërimit ndër shekuj. Ne qenie biologjike, produkt i dijes, letrave, mjeksisë, fizikës, kimisë, teknologjisë, modës e dashurisë. Ne, produkt i hapësirës, i shpikjeve më të mëdha të njerëzimit. Ne që ndërtuam gjithçka jetojmë sot, në të njëjtën kohë u ndërtuam dhe ridimensionuam nga çdo faktor i tillë i jashtëm, faktor që gjithëherë e më shumë merr përmasa zhvillimi marramendës.

Me zhvillimin e teknologjisë, përdorimin e makinave, avionëve, telefonëve dhe internetit, ne kemi tejkaluar çdo pengesë duke sfiduar kohën dhe hapësirën. Dija njerëzore, më superiorja, nuk ka bërë asgjë më tepër se sa ka vënë në punë aftësitë e saj për të arritur shumëçka që më parë dukej ndoshta e pamundur. Marrëdhëniet njerëzore janë ndërthurur duke përdorur pikërisht ato mjete që na kanë sjellë më pranë njëri-tjetrit, duke kuptuar kështu kultura të tjera, takuar njerëz nga anë e mbanë globit, mbajtur dhe forcuar marrëdhëniet familjare e miqësore, komunikuar me të tjerët në çdo vend e kohë. Ndërkaq, efektet negative nuk janë të pakta dhe këtë e vërteton më së miri e mbi të gjitha, deformimi i marrëdhënieve midis njerëzve, izolimi i vetes. Shumë njerëz, në të njëjtën kohë, janë përfshirë në një numër të madh marrëdhëniesh sentimentale, por jo vetëm, të mbajtura nëpërmjet teknologjisë, më specifikisht rrjeteve sociale. Të rinjtë sidomos, shihen të jenë përfshirë më së shumti në marrëdhënie sasiore se sa cilësore, gjë që i bën ata të ndihen më bosh, më pak të plotësuar, më pak të realizuar. Komunitetet virtuale duket se luajnë një rol më të madh në të përditshmen tonë, se sa marrëdhëniet ballë për ballë, krah për krahë, mish me mish. Sigurisht që është gjë e bukur kur ne, në facebook për shembull, gjejmë një mik të vjetër, diku nëpër Botë, që s’mendonim se do e “rigjenim” më. Por në perceptimin tim, dhe perceptimi në konteksin social është realitet, njerëzit jetojnë më tepër në jetën virtuale se sa atë të vërtetë. Keni menduar ndonjëherë, në mënyrë racionale, të shkëputur nga rrethi shoqëror i tavolinës ku jeni ulur për kafe, se si ngjan një bar i mbushur plot me të rinj që nuk flasin asnjë fjalë me njëri tjetrin, por janë të gjithë të kërrusur e përhumbur mbi celularët e tyre? Ç’farë ndjesie keni patur? Unë sa herë gjendem në një situatë të tillë, fatkeqësisht në më të shumtën e rasteve, ndiej mungesë përqendrimi e për rrjedhojë mungesë serioziteti. Ndiej një realitet pa energji, një realitet të humbur në ekranet e smartphone-eve. Një realitet të trishtueshëm. Shpesh pyes veten, pse takohen njerëzit me njëri-tjetrin kur nuk komunikojnë më si dikur me atë që kanë përkrah? Në telefona ne flasim me miqtë tanë, e kur i kemi pranë bëjmë të njëjtën gjë me miq të tjerë e të tjerë, e kështu me radhë. Kjo më dhemb, se mbi të gjitha më dhembin marrëdhëniet dashurore që intensitetin e tyre e njohin me mesazhe e mesazhe pafund dhe jo me kohë fizike pranë njëri -tjetrit.

Shumë prej nesh do të debatonin, duke përdorur si armë mbrojtjeje argumentat pro përdorimit në masë të internetit, se në këtë mënyrë ata mbajnë gjallë marrëdhëniet midis njerëzve të dashur, që në fakt ndodh, pasi dihet fare mirë fuqia që ka një mjet i vogël për të sjell pranë ata që janë larg nesh. Por, kjo nuk do të thotë se efektet negative nuk kanë deformuar rendin shoqëror, duke dëmtuar në thelb marrëdhëniet njerëzore, mbi të gjitha ato dashurore. Shumë nga ne përdorin mënyrat e komunikimit virtual për të shpëtuar nga përgjegjësitë, nga përballja, nga emocioni i të qenurit pranë e jo ftohtësia e një ekrani. Nuk ka asgjë të keqe të shkruash një letër, një kartolinë, e ta nisësh me postë qoftë edhe në fund të Botës. Nuk ka asgjë të keqe t’i dërgosh njerëzve që do një tufë lulesh të vërteta se sa buqeta lulesh elektronike që mundësohen me stickers. Nuk ka asgjë të keqe, madje është e domosdoshme, ta marrësh personin që do në telefon, e ta ftosh për të dalë me të, për ta parë, e për t’i thënë, jo shkruajtur, “të dua” përballë. Duke menduar se arrijmë të tregojmë përkushtim nëpërmjet shumë fjalëve që shkruajmë lart e poshtë, ne reduktojmë cilësinë e të ndjerit, shpërfillim thelbësoren duke e zëvendësuar atë me sipërfaqësoren. Në fund të ditës, cilësia vlen më shumë se sa sasia. Mendojmë se jemi kështu më produktiv, por jo, nuk jemi ne që mendojmë si ta shpërfaqim dashurinë, është një telefon që na i jep gati të gjitha. Njerëzit kanë harruar të shihen sy më sy e të nxjerrin zë. Kam frikë se po dashurojmë në kohërat e teknologjisë, dhe kjo, personalisht nuk më gëzon, përkundrazi. Dashuria për mua është diçka më e madhe se kaq, është sakrificë. Dashuritë e mëdha kanë qenë ato të pamundësive dhe vënies së mendjes e shpirtit në punë për të gjetur mënyra për t’i treguar tjetrit, me xheste e jo fjalë, se sa vlen për ne, se sa…..

Please follow and like us: