Albspirit

Media/News/Publishing

Faik Konica: Epiri dhe e vërteta për minoritetin grek

Rubrika: Faik Konica, histori dhe aktualitet

Në Himarë dhe në gjithë bregun e Shqipërisë nuk ka pasur asnjëherë minoritet grek

Është koha kur Athina zyrtare duhet t’i thërrasë mendjes e të kuptojë përfundimisht: Në Himarë dhe në gjithë Bregun e

Koncerti europian, gravure e shtypit francez, 1897

Shqipërisë, historikisht, nuk ka pasur asnjëherë minoritet grek. Ka pasur dhe ka vetëm popullsi me gjak të pastër shqiptar që ka tundur Bregun, shekuj pas shekujsh, jo vetëm me kryengritjet popullore të fuqishme, që mbeten të lavdishme në Historinë e Shqipërisë, por edhe me këngën polifonike shqiptare dhe ison e famshme himarjote të “Vajzës së Valëve”. Dhe, nëse është folur e flitet edhe greqisht në atë trevë tipike shqiptare, kjo është përsëri vetëm në nderin e shqiptarit, falë shpirtit të tij fisnik, që ka ditur të dojë e të respektojë edhe një gjuhë të dytë, gjuhën e fqinjësisë së mirë e të marrëdhënieve të ngushta Korfuz-Breg.

Është koha gjithashtu kur patriarkana greke dhe Athina zyrtare të kuptojnë njëherë e përgjithmonë se ortodoksia shqiptare nuk ka dhe nuk njeh kurrfarë vartësie e tutele që me themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare (KOASH) të Bostonit më 1908, ku Noli meshoi për herë të parë në gjuhën shqipe. KOASH është dhe do mbetet vetëm shqiptare, vetëm për ortodoksët dhe patriarkët shqiptarë, në bazë të së drejtës së autoqefalisë që rrjedh nga parimi i miratuar në Sinodin e Shenjtë të Kishës Ortodokse. E pavarur tërësisht, Kisha Ortodokse shqiptare është e denjë për misionin e saj shpirtëror po aq sa edhe Kishat ortodokse serbe, polake, ruse, gjeorgjiane, qipriote, e me radhë, që nuk kanë në krye të tyre ndonjë patriark grek. Pra, boll Athinë me tutelë dhe me orekse shoviniste!

Historia i ka vënë tashmë pikat mbi -i- mbi bazë dokumentare: Jo vetëm tërë Bregu është me identitet të pastër shqiptar, por edhe krejt Veriu i Greqisë kontinentale përmban troje të mirëfillta shqiptare të grabitura jo më larg se Lufta e parë botërore, që nga Arta, Preveza, Janina e Mecova – përfshirë tërë Çamërinë historike martire – gjer në Kostur, Follorinë e Manastir.

Duan apo s’duan grekët, suljotët fustanellorë prejardhur prej shqiptarit Suli, Marko Boçari dhe gati krejt plejada e kapedanëve arvanitas të Luftës për pavarësinë greke, janë shqiptarë 24 karat, denbabaden, tek derdhën gjakun e tyre për të dhënë atë kontribut të pashembullt dhe vendimtar në fitoren e revolucionit grek të 1824-ës. Të jesh pra, ortodoks shqiptar nuk do të thotë kurrsesi të jesh grek. Është një mashtrim kolosal, është si t’i vësh gomarit brirë cjapi! Paçka se na paska, siç thotë Konica më poshtë me ironi, të ashtuquajtur të prejardhur nga Perikliu! 

Do apo s’do, Greqia me popullsi të amalgamuar historike – e vërteton Konica aq bukur më poshtë dhe sa herë! -, i është njëmijë herë borxhleshë kombit shqiptar, qëkurse shqiptarët ngritën Greqinë e pavarur dhe dhanë ndihmesën e tyre të vyer në konsolidimin e shtetit grek të shekullit XIX.

E ndërsa ne me pambuk e mirësi, ata me gurë e ligësi. Vazhdimisht Athina zyrtare ka vënë në veprim ndaj kombit shqiptar sharlatanizmat e veta, me frymë grabitqare e shovinizëm të egër! Historikisht, vetëm na është rënë në qafë, dhe si shumë! Si shumë është përdorur gjuha greke e nënçmimit dhe e ndërhyrjes në punët e brendshme të shtetit sovran shqiptar.

Disa fakte të pamohueshme jo dashamirëse ndaj Shqipërisë, për të mos thënë fakte  antishqiptare të qarqeve zyrtare greke – fakte që tingëllojnë absurde në frymën e sotme europiane që duhet të mbisundojë në Ballkanin e djeshëm fuçi baruti – janë aq evidente sa nuk i kanë hije jo më demokracisë së sotme greke dhe shtetit europian grek, (në janë të tillë!), por as demokracisë së lashtë greke me të cilën mburren grekët dhe Europa bashkë. Sepse, të mbash sot e kësaj dite, “Ligjin demode të Luftës me Shqipërinë” fqinje, dhe ta tundësh si dordolec për të trembur karkalecët, kjo nuk flet aspak për një Greqi europiane. Sepse, të kërkosh me zor, me hir, pa hir, me ndoca partiçka lëpirëse a la Bollano, financuar prej Athinës zyrtare krimbur në borxhe, ekzistencën e minoritetit grek në Rivierën e pastër Shqiptare, as kjo nuk flet kurrsesi për Greqi europiane. Në të kundërt, të mos pranosh kurrsesi në Greqi asnjë prani pakicash minoritare, asnjë prani dhe rol qoftë historik, qoftë aktual të elementit arvanitas e shqiptar në Historinë e djeshme dhe të sotme të shtetit grek, as kjo, s’ka se si të flasë për një Greqi me frymë europiane.

Martese arvanitase

Dhe, se sa europiane është Greqia, mjaft të themi se ajo i trembet keqas nënshkrimit të Konventave të rëndësishme evropiane. “Konventa kuadër për mbrojtjen e minoriteteve kombëtare” (STCE nr. 157) e Këshillit të Europës, as që është ratifikuar nga shteti grek, i cili i trembet idesë së pakicave kombëtare në truallin e vet si djalli thimjamit. Ndërkohë që Shqipëria e ka nënshkruar këtë Konventë të rëndësishme evropiane që më 1995 dhe ratifikuar më 1999! Me ç’të drejtë atëherë, Greqia e mbarsur nga fryma e saj shoviniste dhe e klerit që e drejton, na kërkoka respektim të minoritetit grek në Shqipëri, kur për vete nuk njeh si duhet kuptimin e fjalës “minoritet” apo “pakicë kombëtare?!!? Çfarë Greqie europiane është ajo që nuk njeh, sot e kësaj dite, gjenocidin çam (si Turqia me gjenocidin armen)! Pale të kërkojë të falur për masakrën historike që ka kryer, ndërkohë që mban me arrogancë prona të vjedhura të popullsisë çame?! Çfarë Greqie europiane është ajo që nuk çel një shkollë të vetme shqipe në Athinë, në respekt të punës dhe djersës së shqiptarëve që ndodhen në territorin e saj, kur përpiqet, përkundrazi, t’i asimilojë dhe vetëm t’i asimilojë, me çdo kusht e çdo çmim paguar në mënyrë të paligjshme?! Çfarë Greqie europiane është ajo që ushtarët e vet na dashka të bëjnë në mënyrë kanibaleske lidhëse këpucësh me zorrët e shqiptarëve?!

Durimi i një populli të tërë shqiptar ka kufi dhe defterët e Historisë nuk janë të varrosura. Athina zyrtare duhet të dijë se ka marrë fund njëherë e përgjithmonë koha kur Shqipëria u kthye në kasaphane ballkanike dhe kur greku me fustanellën shqiptare të shkurtuar qesharakisht hidhte vallen sipas koncertit të krisur europian që paralajmëronte furtunën e marrë të Luftës së parë botërore.

Është koha kur Athina zyrtare të japë prova konkrete dashamirëse ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, koha kur Athina t’i flasë më në fund rradakes! / Monet Maneshi.

***

SHËNIM TEK REVISTA “ALBANIA”

Londër, 15 shkurt 1909.

Faik Konica ngjyraNga Faik Konica

“Që feja shërben si maskë për qëllimet më të ulëta, ky është një fakt aq i rëndomtë sa nuk ka pse të habisë askënd. Por që të ndodhë kështu edhe me filozofinë, vajza  engjëllore e qiellit, që nuk ka kërkuar kurrë gjë tjetër përveç së vërtetës, kjo veç në kohën tonë ka ndodhur”. (Schopenhauer, Parerga und Paralipomena*, passim. Përkth. A. Dietrich, 1906-1909).

SHQIPËRIA E POSHTME APO EPIRI – DHE GREKËT

Ushtare shqiptare ne Moré, Hilaire, 1782

Tek Albania e vitit 1901 (vëll. G, f. 141) kemi paraqitur, sipas Le Mémorial Diplomatique de Paris, mendimin e një diplomati austro-hungarez për shqiptarët dhe çështjen shqiptare. Artikulli është aq i ngjeshur, dhe me pastërti e njohuri aq të thellë e të admirueshme për t’i vënë gjërat në vend, sa mund t’i rikthehesh me dëshirë lëçitjes të tij.

Ja dhe një diplomat italian, Z. Silvestrelli, ministër në Athinë që mendoi të shprehet për këtë çështje, duke thënë edhe ai copë disa të vërteta të thjeshta. Mendje kritike, Z. Silvestrelli nuk u kufizua vetëm në opinionet e rëndomta; por kërkoi të studiojë etnografinë dhe gjendjen e vendit ku ndodhet; dhe rezultati i kërkimeve të tij u përmblodh në një memorie që u botua në Buletinin e Ministrisë së Punëve të jashtme të Italisë, as më shumë e as më pak por 150 fletë të mira. Dy çështje vlen të vihen në dukje në këtë memorie: 1° që banorët e sotëm të Greqisë nuk janë pasues të grekëve të lashtë, por janë rezultat i një  përzierjeje të sllavëve, shqiptarëve dhe latinëve; 2° që Greqia ka për kufi në Veri, Shqipërinë.

Këto dy konstatime të diplomatit erudit italian kanë shkaktuar në Greqi një indinjatë dhe protesta të shfrenuara, sa është e vështirë për një të huaj të krijojë një ide të qartë se ç’po ndodh. Qeverisë italiane iu desh madje të dorëzohet përpara këtij presioni qesharak popullor; por për të treguar edhe më mirë se ç’është në gjendje të bëjë me përfaqësuesin e vet të shkëlqyer në Athinë, ajo e ngriti Z. Silvestrelli në rangun e ambasadorit, dhe me këtë cilësi e akreditoi pranë Oborrit të Madridit.

Ushtar shqiptar ne GreqiNga të dy vërejtjet e diplomatit italian po veçoj të dytën për ta komentuar. Por së pari, më duhet të them se ajo që ka të bëjë me origjinën e grekëve modernë është sot një e vërtetë e pranuar; pas veprës monumentale klasike të Fallmerayer dhe pas tërë atyre veprave të kritikës historike, ata që këmbëngulin të besojnë tekέλληνιχότης (helenët) e grekëve modernë, ata mund të thonë çfarë të duan, por ama jo se janë me mend. Që Greqia është e banuar nga një grumbull sllavësh, shqiptarësh, latinësh, dhe në sasi të vogla edhe nga gjermanikë, keltë, normandë (Kryqëzatat) e nga hebrenj (shekulli I e II pas J.K.) kjo, as që lë shteg për dyshimin më të vogël. Veçse grekët, s’ka pse ndihen të turpëruar për këto origjina. Një përzierje racash nuk është domosdoshmërisht e keqe. Përkundrazi, dhe mjaft të kujtojmë për këtë që populli më artist e më i brishtë që ka ekzistuar ndonjëherë, populli francez, është një agregat të paktën prej tri racash. Madje, e mira është që, për vetë grekët, e vërteta të njihet; ajo, në këtë mënyrë, u hyn më shumë në punë. Si pasues të grekëve të lashtë, ata do dukeshin më të zvetënuar; përzierje të shumë racave, relativisht kohët e fundit, ata përkundrazi janë një popull i ri dhe si të tillë kanë të drejtën e një prestigji para se të pohojnë vlerën e tyre. Nga ana tjetër, ata popullojnë Greqinë dhe janë kësisoj, depozituesit e gjuhës së grekëve: për këtë arsye të dyfishtë, pavarësisht nga gjithçka, ata duhen quajtur grekë; por duhet kuptuar më së miri se ky term nuk nënkupton aspak një vijimësi etnike.

Le të arrijmë te vërejtja e dytë e Z. Silvestrelli. Grekët kanë përfytyruar t’i japin Shqipërisë së poshtme emrin e vetë të lashtë të Epirit, duke nënkuptuar që këtej se kjo zonë ka qenë e banuar nga grekë dhe duhet t’i përkasë një ditë Greqisë; dhe kështu, Greqia nuk e prek më Shqipërinë. Për grekët, ka vetëm një Shqipëri të Veriut dhe jo një Shqipëri të Jugut; Shqipëria është për ta, në njëfarë mënyre, një distik (grup dy vargjesh në një poemë), thjeshtëzuar në një varg, apo një biçim vargu aleksandrin që nuk përbën veçse një hemistik (gjysmë vargu).

Mirëpo, të gjitha pretendimet janë qesharake e të përbuzshme. Në fakt:

1. Strabon-i na mëson se epirotët nuk flisnin greqisht, ishin të huaj. Po citoj fjalët e tij: “Όί δέ Θράκες καί Ίλλυριοί και Ήπειρώται καί μέχρι υϋυ έν πλευραίς (Έλλάδος) είσιν έτι μευτοι μάλλον πρότερον ή υϋυ όπου γε καί τής τώ παρόντι Έλλάδος άναντιλέκτως οΰσης τήν πολλήν οι βάρϐαροι έχουσι, Μακεδονίαν μέν Θράκες ( άλλα δέ μερη) Ήπειρώτικά έθνη.”

Është më se e qartë, po jo? Strabon-i na mëson se “kombet epirotike” ishin “barbare”, domethënë të huaja para racës dhe gjuhës greke (Vepra, Strabon, VII, 6-13, f. 267. bot. Dübner-Muller).

2. Jo vetëm që shqiptarët nuk kanë emigruar në ndonjë Epir grek, por janë pikërisht grekët ata që kanë emigruar, në numër të vogël në Epirin shqiptar.

3. Përherë shqipja është quajtur “gjuha epirotike”. Dictionarium latino-epiroticum (Fjalori latono-epirot) i F. Blanchus (Frang Bardhit), Romë, 1635, provon pikërisht këtë. Jo më larg se para dyzet vjetësh, Rossi botonte përsëri në Romë një “Vocabolario italiano-epirotico” që nuk është tjetër veçse një fjalor shqip.

Allom, Thomas 1808 shqiptare ne Moré

4. Në të gjitha veprat e botuara para periudhës së intrigave greke, përngjashmëria midis fjalëve Epir dhe Shqipëri e Poshtme është e përkryer.

5. Po e njëjta gjë edhe në hartat gjeografike. Po kënaqem me një shembull të vetëm: më 1827, admiraliteti anglez botoi një hartë zyrtare të Brigjeve të Shqipërisë, hartë e përgatitur nga një komision hartografësh anglezë, austriakë dhe napolitanë: krejt brigjet e Epirit përfshihen në të.**

6. Rusët, francezët dhe anglezët kanë pasur njëri pas tjetrit në ishujt jonianë një regjiment që e kanë quajtur zyrtarisht Regjimenti shqiptar. Krejt ushtarët e këtij regjimenti ishin rekrutuar në Epir, të gjithë ishin të së njëjtës fe me grekët dhe prapë, të gjithë e quanin veten shqiptarë dhe flisnin shqip. Një nga oficerët e regjimentit franko-shqiptar ishte Marko Boçari, i cili ka shkruar madje në atë kohë, me kërkesë të Pouqueville (Pukëvilit), një leksik shqip, dorëshkrimi i të cilit ndodhet në Bibliotekën Kombëtare të Parisit (Mss.Fonds albanais, n.1); kujtojmë që ne kishim parashikuar ta botonim këtë leksik. Po i njëjti Boçar shkëlqente në luftën e pavarësisë duke besuar, i shkreti, se bëhej fjalë për themelimin e një mbretërie shqiptaro-greke. Nipërit e tij, me mbiemrin Boçari e quajnë tani veten “helenë” dhe të prejardhur nga Themistokliu. Përshëndetje, o të prejardhur të Themistokliut! Të gjithë “helenët”, siç e shihni, janë po aq të vërtetë sa nipollët e Boçarit tonë. Ka madje në Athinë bij bavarezësh vendosur në Greqi në kohën e Otonit dhe që e mbajnë veten po ashtu për helenë, me demek të prejardhur nga Perikliu: Përshëndetje dhe juve, o të prejardhur të Perikliut!

7. Tradita diplomatike e të gjitha Fuqive evropiane ka njohur, pa kufizim, identitetin e Epirit dhe të Shqipërisë së Jugut, që janë e njëjta gjë. Pata ndër duar që prej një muaji qindra dokumente diplomatike të pabotuara që flasin për Shqipërinë dhe në të gjitha, njëjtësia është po aq absolute midis Epirit dhe Shqipërisë së Poshtme sa dhe midis Lutesës e Parisit, apo Ali hoxhë dhe hoxhë Aliu.

8. Më në fund, le ta provojë i huaji që përgatit një studim rreth Shqipërisë dhe që ka dyshime rreth çështjes së albanitetit të Epirit: të udhëtojë duke u ndalur për ca ditë nga Elbasani në Parga dhe nga Vlora në Janinë, domethënë le të përshkojë si turist Epirin nga Veriu në Jug dhe nga Perëndimi në Lindje, për së gjati dhe për së gjeri, duke zigzaguar në atë mënyrë që të vizitojë lokalitete sa më shumë që të jetë e mundur, – dhe le të na vijë pasandaj e të na kundërshtojë po të dojë.

Po i drejtoj tani një pyetje grekëve të zgjuar dhe që dinë të thellohen: a pandehin ata se këto intriga foshnjarake kundër unitetit kombëtar shqiptar janë të tilla që i shërbejnë interesave të Greqisë?

Albania, Viti 8, 1904, Seria 9 (nr. 1).

* Parerga dhe Paralipomena – Shtojca dhe Heqje – Vepër filozofike e Artur Shopenhauerit ( 1778-1860) botuar më 1851.

*The coast of Albania, fron the Austria, English and Neapolitan Cooperations, directed by colonels Campana and Visconti and capt. W.H. Smyth, London, 1827 (shënim i Faik Konicës).

Please follow and like us: